Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

I përndjekuri

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Hamdi jupe



  • Nuk më njeh? – pyeti ai.
  • Nuk të njoh – u përgjigj tjetri.
  • Domosdo që nuk do më njihje. Kush jam unë e kush jeni ju. Ju jeni një futbollist i madh, i nivelit botëror, ndërsa unë jam një hiç, një anonim. Ja, kjo është e gjitha.

Ra një heshtje e shkurtër mes tyre. Dëgjohej vetem zhurma a karrigeve të sallës që lëvizeshin nga njerëzit që po largoheshin. Kishin mbaruar fjalët përshëndetëse, kujtimet nga shokët, urimet me rastin e shtatëdhjetë – vjetorit të lindjes së futbollistit, qirasjet me ëmbëlsira e pije etj. Njerëzit po largoheshin për në punë të tyre. Ish – futbollisti i takonte dhe përqafohej me ta, duke i falenderuar për respektin. Pikërisht atëherë u shfaq ky njeri i panjoihur me atë pyetjen e tij: “Nuk më njeh?”

Për ish – futbollistin, nuk ishte çudi që ta njihnin shumë njerëz. Ai kishte luajtur për njëzetë vjet rresht me ekipet kryesore të vendit dhe me kombëtaren. I vinte mire që nuk e kishin harruar edhe tani që kishin dalë me dhjetëra futbollistë të rinj. Ndërsa ai nuk mund t’i njihte të gjithë, ishte e pamundur.

  • Nuk ka si të më njohësh – përsëriti tjetri, duke tundur kokën e tij me flokë të thinjura. – Ju jeni një futboollist i njohur, një Njësh, ndërsa unë një zero me bisht. Sidoqoftë, ne njihemi. E kam emrin Shpëtim dhe jam gjashtëdhjetë e tetë vjeç. Pensionist tre-vjeçar. Ndërsa ju sot i mbushët të shtatëdhjetat. Bravo. Prandaj edhe erdha në ditëlindjen tuaj.
  • Faleminderit – tha tjetri. – Uroj të keni edhe ju jetë të gjatë, tani që keni dalë në pension.
  • Gjithashtu – u përgjigj Shpëtimii. – Dhe ju duhet ta dini se keni edhe ju meritë në jetëgjatësinë time. Po, po, mos u çudisni, pa diskutim. Po të mos ishit ju, unë ndoshta sot nuk do bëja hije mbi dhe. Mbi varrin tim do të kishin mbirë lisat tani, jo më Ja, kështu.
  • Me gjithë mend? – pyeti tjetri i habitur. – Nuk e dija këtë. Po më çudit me ato që po thua.
  • Po, po, është e vërtetë kjo që them.
  • Po, si? Si ndodhi? Më shpjego, të lutem.
  • Kanë kaluar pesëdhjetë vjet që atëherë – vazhdoi Shpëtimi. – S’keni faj. Ka rrjedhur shumë ujë dhe harresa bën të sajën. Po unë e mbaj mend. Si sot e kujtoj. Ja si ka ngjarë:

Ju erdhët në qytetin tonë me skuadrën tuaj, për të luajtur ndeshjen e futbollit. Atëherë ne ishim në kategori të parë. Unë nuk kisha qenë ndonjëherë në stadium, se nuk isha tifoz. Unë dija vetëm të lexoja libra, libra, libra. Edhe atë ditë nuk do vija. Po ç’t’i bëja kolektivit të klasës? Ishim në maturë. Kolektivi, djem e vajza, vendosën të shikojmë ndeshjen në mënyrë të organizuar. Ishte hera e parë dhe e fundit që do shkonim bashkë, se pastaj do fillonin provimet e maturës dhe do iknim në shkollë të lartë.

  • E pastaj? – pyeti futbollisti.
  • Pastaj ne erdhëm. Stadiumi ishte i mbushur plot, se atëherë vinin edhe gratë në sport. Pra, popull i madh. Brohorisnin në kupë të qiellit për skuadrën e tyre. Ata shikonin ndeshjen, unë shikoja majat e plepave përreth stadiumit që sapo ishin mbushur me gjelbërim, se ishte maj dhe mërmërisja me vete vargje poezish të Eseninit. Nëpër degët e plepave kishte fole laraskash, por zogjtë ishin arratisur nga zhurma dhe të bërtiturat e tifozëve. I vështroja foletë bosh, pa zogj e pa cicërima dhe më kapi trishtimi. Më dhimseshin zogjtë. – Shpëtimi heshti për një çast, sa për të marrë frymë. Pastaj vazhdoi:
  • Në një çast, stadiumi uturiu i tëri nga thirrjet e forta. Unë u trondita. Hodha sytë në fushë. Skuadra e qytetit tonë kishte shënuar gol. Njerëzit po përqafoheshin. Po bërtisnin. Po kërcenin përpjeti nga gëzimi. Pastaj nuk di çfarë ndodhi. Muri i jashtëm rrethues i stadiumit u shemb nga pesha e tifozëve. Një pjesë e tyre ranë bashkë me murin përjashta. Pjesa tjetër u shty përpara nga frika dhe hipën mbi gardhin rrethues prej hekuri, që ndante fushën nga shkallët e stadiumit. Me këta të fundit isha edhe unë. Thirrje, ulërima. Mirëpo çfarë ndodhi? Kur po kapërceja gardhin prej hekuri, ai u shemb dhe ra mbi mua. Unë mbeta poshtë tij. Turma kalonte mbi gardh, domethënë mbi mua. Ulërima, thirrje: “o nëna ime!” Unë nuk merrja dot frymë nga pesha e atyre që më kalonin sipër. Thashë se kaq e pata. Po i lija shëndenë kësaj bote në moshë të re. Po shkoja si qeni në vreshtë. Kur, ja, pikërisht atëherë, kur turma kishte kaluar e gjitha mbi mua, atje u shfaqët ju. Pikërisht ju, shpëtimtari. A ju kujtohet?
  • Jo, për zotin, nuk më kujtohet – tha tjetri. – Unë isha duke luajtur futboll, siç thatë ju, apo jo?
  • Po, pikërisht. Por ju e latë lojën. Iku loja, nuk kishte më kohë për topin. Kush pyeste më për futbollin? Atje po vdisnin njerëzit.
  • Edhe?
  • Edhe ju kapët me të dya duart tuaja të fuqishme (atëherë ishit i ri, kuptohet, njëzetë vjeç) atë copën e gardhit prej hekuri që kishte rënë mbi trupin tim dhe më kishte palosur si petë poshtë tij. Ju e ngritët atë lart, si një dragua. Dikush më kapi mua për këmbësh dhe më tërhoqi zvarrë me forcë deri te bari i fushës. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Më kishte rënë të fiktë. U zgjova vetëm në spital.
  • Ashtu? Nuk e mbaj mend fare këtë ngjarje – tha tjetri.
  • Po si nuk e mbani mend? Më vjen keq. Unë nuk jua dija emrin më parë, por mbajta mend numrin që kishit në fanellë. Kishit numrin nëntë. Kjo m’u fiksua në kokë, kur u afruat.
  • Po – tha tjetri. – Eshtë e vërtetë. Këtë numër kam mbajtur gjithmonë, kur kam luajtur futbool
  • Ja pra, që ju kujtohet, – tha Shpëtimi gjithë gëzim. – Mos më thoni që nuk e mbani mend. Pastaj, kur dola nga spitali, ju kam kërkuar gjithandej. Pesëdhjetë vjet rresht që ju kërkoj. Me qiri në dorë ju kam kërkuar. Pyesja: Kush është ky futbollist me këtë numër që më ka shpëtuar jetën dhe më kishin thënë emrin tuaj. Për sytë e ballit, në të gënjej. Pesëdhjetë vjet që kërkoja t’ju takoj e t’ju falenderoja për atë që bëtë atëhere për mua. Thjesht, t’ju shprehja mirënjohjen. Nuk mund të ikja nga kjo botë, pa e bërë këtë. Por nuk kam mundur dot deri tani. Një dramë e vërtetë, kuptohet.
  • Më vjen keq – tha tjetri. – Me pak vonesë, po, ja, u takuam. Sinqerisht nuk më kujtohet ky episod. E di, kanë ndodhur ngjarje tilla nëpër stadiumet tona. Edhe në botë kanë ndodhur, por nuk më kujtohet. Po më vjen mirë që ju sot jeni mirë e shëndoshë.
  • Ndërsa unë e kisha peng që nuk ju kam takuar – përsëriti tjetri. – Jeta është njerkë për disa. Midis tyre, bëj pjesë edhe unë. Të mos ketë mundësi njeriu të bëjë një falenderim për pesëdhjetë vjet rresht! – U bë një heshtje e shkurtër për disa çaste. Ish – futbollisti takoi edhe disa pjesëmarrës të tjerë që gjithashtu po largoheshin. Pastaj Shpëtimi mori fjalën prapë.
  • Dhe kështu, – vazhdoi ai. – Kur dola nga spitali, pikërisht atëherë filluan të këqiat për mua. Atje filloi tatëpjeta ime, te shembja e stadiumit. Më çuan në shkollë të lartë për matematikë. Deri atëherë unë lexoja vetëm letërsi, letërsi klasike dhe moderne. Eh, Pushkini! Letër e Onjeginit për Tatjanën:

Po marr guximin që t’ju shkruaj,

Ç’do donit më, veç shpirtit tim?

E keni parasysh, apo jo? Domosdo që e keni. Po kush të linte se! Në vend të vargjeve të Pushkinit e të Gëtes, tani duhet të mësoja teoremën e Pitagorës, ligjet e Njutonit dhe trungun e konit e të piramidës. Punë trungjesh, me një fjalë. Merre me mend: Në vend të gjashtëmbëdhjetë – rrokëshit të Naimit, do studjoja sistemet me tri të panjohura të analizës matematike.

  • E vështirë – tha sportisti.
  • E tmerrshme, – tha Shpëtimi.
  • Po pastaj?
  • Të këqiat erdhën pastaj njera pas tjetës. E dashura që kisha në gjimnaz, më la. Ajo shkoi në shkollë për aktore. Ajo në Tiranë, unë në Shkodër. Ku ta gjeja më unë atë? Ajo u mpleks me një tjetër atje. “Harromë!” më thoshte mua, në letrat e fundit të dashurisë që më dërgonte. “Të lutem, harromë! Vëri një gur zemrës sate. Gjej një tjetër shpirt binjak paskëtaj. ” – më thoshte. Edhe ishte hedhur në krahët e atij tjetrit ajo. Po unë nuk e harroja dot. Ja, këtu ishte tragjedia.
  • Për të ardhur keq – tha sportisti. – Ke vuajtur vërtetë.
  • Lere mos e pyet – tha tjetri. – Por të këqiat nuk morën fund këtu. Kur mbarova shkollën, më hodhën mësues në fshat. Një orë me biçikletë nga qyteti.
  • E hante biçikleta fshatin? – pyeti ish – futbollisti.
  • E hante, e hante. Por çdo ditë, dimër e verë, unë mbi shalë të biçikletës, me çantën mbushur me fletoret e detyrave të nxënësve. Rruga ishte e paasfaltuar. Rrota e pasme e saj më hidhte pikat e baltës në shpinë dhe nxënësit nga kjo, qeshnin me mua.
  • E kuptoj – tha tjetri. – Kur lashë futbollin, edhe unë punova disa vjet mësues fizkulture në fshat, se s’kishte vend në qytet. Çdo ditë bëja gjysmë ore me autobuz dhe gjysmë ore me këmbë. Edhe në kthim, po ashtu.
  • Nuk e dija – tha tjetri. – Po ju shkonit në fshat për piknik, se ishit velur nga qyteti. Apo jo?
  • E, ashtu, pothuajse, – tha tjetri duke qeshur. – Po më tej?
  • Më tej, pas dhjetë vjetësh në fshat, më sollën në qytet. Atëherë fillova të shkruaja vjersha. Kam botuar njëmbëdhjetë libra. Por të gjitha këto, pasi erdhi demokracia. Më parë nuk m’i botonin. “Nuk ha pykë nga letërsia” më thoshnin.
  • Ashtu, ë!
  • Po më e tmerrshmja ishte, se nuk gjeja dot nuse – vazhdoi Shpëtimi. – Kërkoja, kërkoja, çdo javë i propozoja një vajze për martesë, po ato nuk ma fërshëllenin. Thoshnin për mua: “Ai ka dërrasat mangut”. E lidhnin këtë, me atë aksidentin e stadiumit. Kujtonin se kisha mbetur me pasoja nga ai aksident. Ja, kështu.
  • Më vjen keq – tha tjetri. – Ndërsa ju i kishit dërrasat tamam.
  • ****, mund të kisha ndonjë dërrasë më tepër.
  • E kuptoj. Tani jeni i martuar, besoj.
  • Po, po, ka kohë ajo punë. I kam fëmijët të rritur. Po tani të vijmë te thelbi i çështjes.
  • Po, – tha tjetri.
  • Mua më duhet një vërtetim që ju më keni shpëtuar jetën, kur u rrëzua muri i stadiumit. Kjo është e gjitha.
  • Ashtu? Po unë ju thashë se nuk mbaj mend të kem qenë atje. Si mund të jap një vërtetim të tillë?
  • S’e mbani mend ju, po e mbaj mend unë. Unë isha nën rrjetën e hekurit. Domosdo që unë do ta mbaja mend, se mua më doli fryma.
  • Po më habit – tha tjetri. – Po përse ju duhet ky vërtetim?
  • Më duhet që të marr statusin e të përndjekurit. Ju e dini, jepen shpërblime për të përndjekurit e diktaturës. Ju jeni njeri i njohur dhe ju besojnë të gjithë.
  • Po kush ju përndoqi juve?
  • Sistemi, regjimi, diktatura, kuptohet. Sistemi kishte ndërtuar një stadium të dobët. Në atë kohë, u prishëm me sovjetikët. Ata na sabotonin. Muri i stadiumit ishte jashtë standartit. Gëlqerja e murit ishte e skaduar. Për beton, as që bëhej fjalë fare. Prandaj u shemb stadiumi dhe më zuri mua poshtë. Vetë shembja e stadiumit, ishte një akt i rëndë, i paprecedent, i persekutimit tim. Pse muri u shemb pikërisht atë ditë që vajta unë në stadium dhe jo një ditë tjetër? Ndeshje zhvilloheshin çdo javë atje. Ndërsa atë ditë, aq e pat. Pra, shembja ka qenë diçka e qëllimshme kundër meje.
  • Po, mirë, po e zemë se po ta jap vërtetimin, përse të hyn në punë ai?
  • Shiko, të gjithë po marrin lekë nga qeveria. Përse të mos marr edhe unë? Si i përndjekur i diktuturës, kuptohet.
  • Nuk e di, nuk e di, më duket si e vështirë kjo punë – tha futbollisti.
  • Po, s’ka gjë. Rëndësi ka vërtetimi, pa të tjerat ndreqen. I rregulloj vetë unë punët pastaj. Ehuhaa, sa ka zanati. Edhe nëse nuk i marr dot lekët sa të jem gjallë, u lë një pasuri fëmijëve në letra. U lë vërtetimin. Se nuk kam çfarë t’ju lë tjetër, kur të iki nga kjo botë, përveç librave me poezi, për zotin. Mirëpo, poezitë nuk i ha as qeni sot. Nuk është ide e keqe, apo jo?

Sportisiti u mendua disa çaste. Çfarë të bënte me këtë njeri që i kishte zënë derën? Duhej përcjellë me lezet.

  • Dogjo, – i tha. – E shikoj që ke vuajtur vërtetë nga ai regjim. Pasojat e vuajtjeve duken akoma. Më vjen keq. Po vërtetimin nuk ta jap dot.
  • Mirë, si të duash, – tha tjetri. – Po kur të kesh tetëdhjetë – vjetorin e lindjes, këtu më ke prapë mua, nuk të ndahem. Se, atëherë, ç’fitova unë nga shembja e stadiumit? Po nga prishja me sovjetikët, çfarë fitova? Vetëm nëse thyej qafën para teje nga kjo botë, atëherë do shpëtosh prej meje.
  • Harrove prishjen me kinezët – tha futbollisti.
  • Kinezët janë popull i butë, të mos u biem në qafë. Nuk kam patur të keqe prej tyre.
  • Ikim edhe ne tani në shtëpi, se u bë vonë, – i tha e shoqja ish –futbollistit.

Korrik, 2018
 

Postime të reja

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back