Veç gjendjes jo të mirë fizike, ekipi duket se vuajti ndryshimet e skemës, që siç pohuan edhe lojtarët me zë dhe nën zë, ishin deri diku të paprovuara.
Gjithmonë thuhet se është e lehtë të analizosh kur përfundon gjithçka, por në 10 ndeshje, 9 skema të ndryshme dhe dhjetëra lojtarë të provuar thuajse nuk funksionuan asnjëherë.
Kanë qenë rreth 15 lojtarët e rinj që ka grumbulluar trajneri Panucci që nga korriku i vitit 2017, kur mori drejtimin e Shqipërisë, por thuajse asnjëri prej tyre nuk mundi të lërë gjurmë, për të qenë brez i së ardhmes, apo pjesë e ekipit që mban vulën e pasuesit të De Biasit.
Kryefjala e çdo grumbullimi të Christian Panuccit ka qenë disiplina, lojtarët që largohen dhe thirren në grumbullimet pasardhëse për eksperiencën, apo për të plotësuar vendet e lojtarëve të dëmtuar e me pak minuta aktivizim.
Prania e kapitenit Agolli në këto dy ndeshje u pa vetëm në konferencat për shtyp, ndërkohë që në futboll thuhet se formacioni fitues nuk ndryshon. Mesfusha e paraqitur mirë në ndeshjen ndaj Izraelit, me Bashën në krye apo Hykën, u ndryshua 3 ditë më pas pa ndonjë arsye bindëse, ndryshim që rezultoi jo i suksesshëm.
Fitorja me Izraelin, thjesht i dha një frymëmarrje atmosferës mbytëse të krijuar nga një presion i drejtë rezultatesh. Ndërkohë, tani pas humbjes në Skoci, gjithçka zbret në vendin ku ishte, në të njëjtën atmosferë, presion e pasiguri.
Teorikisht jemi me 3 pikë në grupin tonë, aq sa edhe Skocia, por luajmë në Izrael ndeshjen e ardhshme me frikën se nuk dimë çfarë na pret, kush do të luajë dhe mbi të gjitha si do të luajmë.
Një pikëpyetje që e ka shoqëruar trajnerin Panucci përgjatë të gjithë këtij viti që na udhëheq, edhe pse vlen të thuhet se për fatin e tij jo të mirë, aventura e drejtimit të një përfaqësueseje filloi nga një Shqipëri në tranzicion.
Shumica e lojtarëve janë pa minuta në këmbë, me dëmtime të shpeshta, e disa madje edhe pa ekipe për të luajtur në mënyrë të vazhdueshme, duke sjellë një kolaps mendimi për një zgjidhje të së ardhmes.t/ch
The post Humbja me Skocinë lëkund pozitat e Panuccit appeared first on Lajmi i Fundit.