Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Homazh për shkrimtarin patriot e revolucionar Haki Stërmilli

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
Prof. Nasho Jorgaqi

Në jetën dhe krijimtarinë e Haki Stërmillit tërheqin vëmendjen ngjarje të rëndësishme ku mplekset e lidhet ngushtë fati i shkrimtarit me fatin e popullit e të progresit të shoqërisë shqiptare. Ne do të ndalemi vetëm në dy nga momentet sa heroike aq edhe dramatike të jetës politike të shkrimtarit tonë demokrat. Momenti i parë ka të bëjë me operacionin e dimrit që ndërmori reaksioni gjermano-ballist kundër ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe Haki Stërmilli, siç do të tregojmë më poshtë, e përballoi me sukses. Është fjala këtu për ato situata të vështira që përshkruhen në librin “Rreziku Anglo-Amerikan” për Shqipërinë “dhe që shkrimtari ynë militant disa prej tyre na i rijep në këndvështrime origjinale ose na i pasuron me dëshmi të reja. Pasi niset rishtas Shtabi i Përgjithshëm për në jug, Haki Stërmilli sipas porosisë të udhëheqësit të shtabit, vazhdon të qëndrojë në Okshtun. Vijnë ditë tepër të vështira. Operacioni armik kalon në ofensive. Të ftohtit ka arritur kulmin. Duke u gjendur në mes fshatarëve patriotë të Okshtunit ai përjeton thellë dhe mediton për mjerimin dhe prapambetjen e popullit të këtyre anëve në të cilën e kanë katandisur krerët. “Më vjen të qaj e të pëlcas-shkruan ai-kur shoh se ç’mjerim i ka mbulue këta katundarë… Këta njerëz jetojnë disa shekuj mbrapa…”. Po në të njëjtën kohë shkrimtari e vështron me besim të ardhmen e tyre dhe shkruan: “Vetëm lufta Nacionalçlirimtare, vetëm revolucioni popullor besoj se ka me e shpëtue popullin nga ky mjerim i përdhunshëm…”. Aq i fuqishëm është ky besim sa i sjell të gjallë para syve përfytyrimin e s’ardhmes duke përshkruar me këto fjalë:”…si një armatë e ngjeshur me armët e shkëlqyeshme dhe e stolisur me aureolën e ngadhnjimit, marshon para meje vargu i pasosun i shokëve dhe shoqeve, me prijsin e ndritur në ballë, me Enverin në krye… Hapet shtegu i lirisë, çelet rruga e lumnisë”. Me këto mendime optimiste jetonte Haki Stërmilli në ditët e vështira të operacionit të dimrit. Ai ndiqte me kujdes zhvilimin e ngjarjeve. Lajmet që vinin nuk ishin të gëzuara. Armiku kish pllakosur si mutajë nga të katër anët. E megjithatë shkrimtari partizan nuk rrinte duarkryq. Bisedonte me burrat për fitoren e pashmangshme të luftës. U mësonte të shkruanin fëmijëve dhe grave. Përpiqej t’ishte i vlefshëm në ato kushte që ndodhej. Ndërkaq, mbante shënime gati të përditshme në ditarin e tij. Ai ishte shkrimtar dhe i takonte ta bënte këtë. Po a mjaftonin vetëm këto shënime për ta kryer detyrën? Ai po jetonte në një kohë heroike, populli luftonte çdo ditë dhe derdhej gjak…Operacioni armik, nuk do t’ja arrinte kurrë qëllimit. Në shënimin e 5 janarit 1944, ai tregon për dy partizanë që janë gjetur të ngrirë në maj të malit dhe i tronditur shkruan se këta “ pranuen të vdesin nën kërcënimin e të ftohtit se sa të krusen para armiqve të idealit” dhe shton se “ Brezat e ardhshëm kanë me qenë krenar…se kurkujt s’ua kemi hua lirinë…se ajo fitohet me gjak të madh…Dy ditë më vonë, shkrimtarit i lindi ideja për të shkruar një roman, megjithëse nuk ka “as letër, as laps, as dhe kurgja…”. Por vendosmëria e vetmohimi i luftëtarit çfarë nuk bën. Pas dhjetë ditëve, më 17 janar, ai shënon: “ Fillova me shkrue romanin…Ky ka me qenë libër i shokëve dhe shoqeve në luftë…libri i heroizmave të një brezi..”që ka për t’u lexuar nga trashëgimtarët e lirisë së fitueme me sakrificë mbinjerëzore”. Çdo gjë, pra, është e qartë: ai i hyn punës sa të guximshme aq edhe të rëndë për të hartuar një roman. Një fakt unik në historinë e letërsisë sonë! Është e vërtetë se ai kishte botuar disa vepra, se ishte një nga pionierët e romanit shqiptar, por që të krijojë një roman kur mungonin dhe kushtet më elementare, ky ishte një akt tepër prekës dhe domethënës.

Nga koha kur kishte dalë partizan, Haki Stërmilli shkruante gati çdo ditë në ditar. Shënonte ngjarje e përshkruante situata, shfrynte dufe, shprehte mendime që i zgjonte epopeja e përditshme. E megjithatë kjo, me sa duket, nuk i mjaftonte. Përshtypjet dhe emocionet ishin aq të fuqishme sa frymëzimi dhe nevoja e brendshme e artistit kërkonte hapësirë më të gjerë. ai desh të bënte diçka më tepër se sa të mbante kronikën e ngjarjeve. Desh të krijonte, të përgjithësonte atë realitet të ri, të pangjarë ndonjëherë dhe këtë mund ta bënte romani. Një vepër e tillë nuk ishte thjeshtë një akt krijues, por e shkruar në rrethana të jashtëzakonshme përbënte do të thoshnim dhe një akt heroizmi. Ai e shkruante romanin në një nga momentet më dramatike të luftës, pa përfillur asnjë vështirësi, pa dashur t’ia dijë për rreziqet, për shëndetin e dobët, për urinë e të ftohtit.

Nga kjo kohë na ka mbetur dëshmi e gjallë dorëshkrimi i romanit, i shkruar në copa letrash të rëndomta, në 200 e ca faqe të madhësive e ngjyrave të ndryshme. Këto faqe janë pasqyrë e asaj beteje të heshtur që autori ka zhvilluar në vetminë e kasolles së ftohtë malësore për të thurur veprën. Një vepër e këtillë nuk është fryt i shprehive të një krijuesi as dhe i një vullneti të zakonshëm. Ky roman i shkruar në këto kushte është një akt besimi e frymëzimi vullneti e sakrifice. Në të flet bindja e ndërgjegjshme, për fitoren e pashmangshme të Luftës Nacionalçlirimtare besimi, që kish Partia tek ai dhe udhëheqësi i saj, kur i kishte shkruar “medoemos do të fitojmë”…

Dhe shkrimtari militant desh të tregohej i denjë për këtë besim. Në qoftë se në ato rrethana që gjendjeje, nuk mund të luftonte me armë, ashtu siç kish vepruar e do të vepronte më vonë, ai do të bënte të pamundurën, duke luftuar me një armë tjetër. Do të luftonte për të rikrijuar zjarr për zjarr në faqet e një vepre letrare disa pamje të epopesë së madhe që po zhvillonte populli nën udhëheqjen e PKSH. Po që ta bënte këtë, ishte një ndërmarrje tejet e vështirë, kur vetë romani shqiptar sapo kishte hedhur hapat e para. E megjithatë shkrimtari vlonte nga dëshira për t’i shprehur përshtypjet e mendimet që i zgjonte Lufta çlirimtare e jo vetëm t’i shprehte, por dhe mishëronte nëpërmjet personazhesh e situatash artistike. Kjo gjendje e tensionuar e autorit duket që në fillim, nga titulli që i ka vënë romanit: “Afsh dhe hov zemrash”. Me afshin dhe hovin e shkrimtarit ta kapluar nga frymëzimi, ai do që t’i hyjë punës për të gjetur fabulën e për të thurur subjektin, për të krijuar linjën dramatike e për të lokalizuar ngjarjet. Gjithë ato ditë ai do të jetonte me fatin e heronjve të romanit, të komunistëve të ri të Fatos Malaj e të Lules, që lufta për çlirimi e atdheun, kish lindur dhe dashuria. Duke ndjekur rrugën e heronjve të vet, shkrimtari do të përshkruante beteja e atentate, do zbriste në qytete e do të ngjitej në male, do të hynte nëpër burgje e në mbledhje ilegale. Ai do të derdhte urrejtjen ndaj fashistëve dhe tradhtarëve si Petriti por do përjetonte çaste të një atdhedashurie të thellë, kur do të përshkruante figurën e patriotit Hajdar Malaj.

Jeta dhe lufta i sillnin përpara shkrimtarit njerëz e ngjarje, fakte e të dhëna me të cilat ai s’ishte ndeshur ndonjëherë. Kjo ishte një kohë heroike, me ide që ngrinin popullin në këmbë, me probleme të mëdha, me heroizëm të përditshëm. Shkrimtari demokrat s’i kish menduar kurrë këto në të kaluarën. Ai kishte shkruar një roman për vajzën shqiptare të skllavëruar nga fanatizmi e ligjet mesjetare. Kish ëndërruar për një lëvizje që t’i çlironte gratë shqiptare. Deri këtu kishin shkuar dëshirat e shkrimtarit, kurse Lufta Nacionalçlirimtare po çlironte një popull të tërë, po merrej me heroinën e tij. Dijen për vuajtjet e saj dhe të shoqeve të veta, tani gjendej para detyrës të përshkruante një pjesë të epopesë së madhe të luftës që po bënin “shokët e shoqet të prirë nga Partia. Një detyrë kjo e madhërishme, fatlume, një ëndërr e dëshmuar për çdo artist, patriot, por edhe një e përpjetë e madhe. Para shkrimtarit dilnin detyra të ndërlikuara ideoartistike. Realiteti revolucionar kërkonte koncepte të reja krijuese, kufij më të gjerë pasqyrimi, një ecuri tjetër pune. Këto mund t’i mendojmë sot, kurse Haki Stërmilli atëherë iu vu punës për të shkruar romanin. Kjo ishte kryesorja. Ai desh të tregojë pa humbur kohë për heroizmin e dramacitetin e luftës, të vizatojë figurat e luftëtarëve e të demaskojë armiqtë, ai nuk mund të rrinte pa derdhur gjithë ato emocione që i zgjonte lufta çlirimtare, njeriu i ri që po brumoste e kaliste ideali i lirisë.

Janë këto impulse të forta shpirtërore që e bënë autorin ta shkruajë veprën me një frymë. Ai e shkroi romanin në më pak se një muaj. Në ditar më 10 shkurt, ai do të shënojë “e mbarova romanin që pata nisë më parë. Tash duhet ta vejë në gjumë, që të mundem me e korigjue më vonë”.

Me këtë punë të parë, të kryer në një kohë rekord, shkrimtari kish hedhur në letër ngjarjet, personazhet, disa nga përshtypjet e veta. E prapë kjo nuk kishte qenë e lehtë, përkundrazi. Puna e tij kish ndjekur një proces kompleks, të mundimshëm po të kemi parasysh, jo vetëm kushtet e rënda në të cilat ndodhej, por edhe lufta sfilitëse që bënte me veten si krijues për të gjetur mjetet e format e denja që do të mund të pasqyronin drejt realitetin e saj. Me kaq, autori nuk e ngau më dorëshkrimin e romanit në kohën e luftës. E vuri në çantën partizane tok me ditarin “Shtigjet e Lirisë” dhe me to do të kalonte nëpër rrugët e luftës deri në çlirimin e vendit. Në vitet që erdhën ai do të vijonte luftën, duke kryer detyra të rëndësishme, e duke mbetur gjithnjë një patriot i zjarrtë, një njeri modest, një krijues i heshtur kokëulur. Gjatë kësaj kohe, ai do të përgatiste për botim ditarin e luftës, do të botonte një dramë për fëmijë, do të mbaronte një roman me temë nga koha e Skënderbeut. Ndërkaq kish filluar të rishikonte romanin “Afsh dhe hov zemrash”, por vdekja e parakohshme nuk e lejoi ta ripunonte veprën. Romani mbeti në trajtën e frymëzimit të parë. Është ky një frymëzim i ngrohtë, i sinqertë, i përshkruar nga idetë dhe pathosi i luftës. Romani ndonëse i pakryer ruan vlera njohëse dhe jo vetëm njohëse. Ai përbën një dokument me vlerë në historinë e përpjekjeve që u bënë në zjarrin e luftës për krijimin e një letërsie të re. “Afsh dhe hov zemrash” është tek e fundit shëmbëlltyra e ndërgjegjes së lartë të një shkrimtari të lidhur ngushtë me fatin e popullit, një vërtetim e pohim i qartë i vlerësimit të lartë që i bëri udhëheqja e Luftës Çlirimtare. Një fakt i tillë nuk ka si të mos e nderojë letërsinë tonë.

***

Ngjarja e dytë në jetën politike shoqërore të Haki Stërmillit na çon në vitet ’20, kur ai militonte në radhët e demokratëve revolucionarë të kohës.

Këto ngjarje në jetën e një shkrimtari luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në biografinë dhe veprën e tij, por zgjojnë interes dhe për vetë historinë e letërsisë. Nga kjo pikëpamje, tërheq vëmendjen tonë një ngjarje, do të thoshnim madhore në jetën dhe veprimtarinë politike të shkrimtarit demokrat Haki Stërmilli (1895-1953) në vitin 1929.

Haki Stërmilli ishte arratisur jashtë atdheut pas kundërrevolucionit të dhjetorit të ‘24-ës dhe për disa vjet me radhë zhvillonte një veprimtari të gjallë antizogiste e antifashiste. Ai kishte jetuar e punuar në Itali, Francë, Austri, e kishte qëndruar afro një vit në B.S dhe së fundi i ngarkuar me detyra kishte ardhur në Jugosllavi. Këtu, ndonëse ishte nën vështrimin e përhershëm të policisë së vendit, nuk e kishte pushuar punën dhe luftën në dobi të kauzës së lirisë, që kishte shpallur, Komiteti i Çlirimit Nacional anëtar i së cilës ai ishte nga themelimi i tij.

Ashtu siç shënon në autobiografi luftëtari emigrant propagandonte idetë e veta demokratike. Ngrinte grupe ilegale, bashkëpunonte me organet federale ballkanike me gazetën “Liria kombëtare” kryente detyra në përshtatje me kushtet e reja. Këtë veprimtari Haki Stërmilli do ta vazhdojë deri në 17 mars 1929. Kohë në të cilën, ai do të arrestohet në qytetin e Manastirit ku më në fund pas shumë peripecish ishte bashkuar me familjen e ikur nga Shqipëria. Dy ditë më pas, i burgosuri politik, në kundërshtim të plotë me dispozitat ndërkombëtare ju dorëzua nga autoritet jugosllave organëve të mbretit Zog. Dorëzimi i një emigranti politik përbënte një akt flagrant padrejtësie e pabesie që ngjalli menjëherë habi dhe zemërim në rrethet e opinionin publik përparimtar në shkallë botërore. Jehona e kësaj ngjarje të shëmtuar vuri menjëherë në lëvizje forcat demokratike dhe i ngriti në mbrojtje të të drejtave e të jetës së demokratit-revolucionar shqiptar Haki Stërmilli. Një rol të rëndësishëm luajtën padyshim komiteti i çlirimit –Nacional dhe organi i tij “Liria Kombëtare”, të cilët ne bashkëpunim me organizatat revolucionare dhe Nacional-Çlirimtare të vendeve të tjera ballkanike që frymëzoheshin në luftën e tyre nga Federata komuniste e Ballkanit organizuan një fushatë protestash në shkallë ndërkombëtare. Për aktin djallëzor të qeverisë jugosllave dhe rreziqet që i kanoseshin jetës së Haki Stërmillit, revista “Federata Ballkanike” botoi menjëherë dy artikuj gjatë muajit maj 1929 “Dorëzimi i robërve i qeverisë shqiptare nga qeveria jugosllave” dhe “Bashkëpunimi i diktatorëve jugosllavë dhe shqiptarë”. Revista “Federata Ballkanike” që ishte organ i popujve të shtypur të Ballkanit e që do të bëhej edhe në gjuhën shqipe, duke u bërë zëdhënëse e shqetësimit serioz dhe indinjatës së opinionit demokratik të kohës, shpalli të vërtetën përpara botës, e mori në mbrojtje Haki Stërmillin, tregoi rrethanat e ngjarjes dhe bëri thirrje për mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Duke e denoncuar aktin e padrejtë të bërë në kurriz të Haki Stërmillit, “Federata Ballkanike” vinte në dukje me guxim se veprime të tilla bëheshin në kuadrin e pazarllaqeve pa skrupull në mes dy qeverive antipopullore që s’ndodh jo vetëm me qeveritë, por as me klanet dhe tributë më primitive. “Qeveria jugosllave në këtë kohë, i kishte dorëzuar Zogut dhe 48 emigrantë politikë të cilët kishin kundërshtuar politikën ç’kombëtarizuese të Beogradit në Kosovë terrorin sistematik për të shkatërruar jetën dhe zakonet shqiptare”.

“Në vend të një nderi të dytë- vazhdon artikulli- “dorëzimi i robërve”…”- që qeveria jugosllave i bënte Zogut, arrestonte Haki Stërmillin dhe ia dorëzonte me pranga në duar xhandarëve shqiptarë. Haki Stërmilli nga kjo kohë gjendet në burgun e Tiranës. Më tej, revista duke e quajtur këtë një krim që tejkalon në llahtari çdo gjë barbare”, i drejtohet opinionit publik me këto fjale: “Ku janë institucionet humanitare të Europës dhe Amerikës? Ne u bëjmë thirrje shoqatave të të drejtave të njeriut të të gjitha vendeve…. Në qoftë se humanizmi qëndron në ndihmën dhe mbështetjen që duhet t’u jepet të munduarve, ja rasti më i mirë, ku mund të provohet ai…”.

Në qoftë se në artikullin e parë flitet pjesërisht për Haki Stërmillin, artikulli i dytë “Bashkëpunimi në mes diktatorëve jugosllavë dhe shqiptarë i kushtohet tërësisht mbrojtjes së tij. Ndërmjet të tjerash aty shkruhet: “Kur në Jugosllavi deklarojnë se dikush arratiset, shtojnë menjëherë se gjatë kësaj “tentativë arratisjeje” xhandarët kanë qëlluar mbi të dhe e kanë vrarë. Këtë herë, megjithatë xhandarët nuk mund ta vrisnin Haki Stërmillin, por ja dorëzuan autoriteteve shqiptare në mënyrë që të vritej nga xhandarët e mbretit shqiptar”.

Revista njofton opinionin publik se qeveria shqiptare do ta nxjerrë Haki Stërmillin para gjyqit politik dhe se ky gjyq ka dënuar tashmë personalitete politike, kundërshtare të regjimit aktual. “Për këtë qëllim- sqaron artikulli më tutje lexuesin “Janë shpërndarë urdhra të shumta konsullatave të ndryshme shqiptare që të mbledhin e të transmetojnë në Tiranë, materiale që do ti shërbejnë si bazë për të dënuar Stërmillin. Dhe konsullatat i janë vënë punës për të nxjerrë artikujt e Haki Stërmillit që ka shkruar gjatë emigracionit kundër regjimit gjakatar të Ahmet Zogut dhe bejlerëve”.

Artikulli përfundon me një thirrje poetike: “Jeta eHaki Stërmillit është në rrezik. Ai do të dënohem me vdekje dhe do të ekzekutohet në qoftë se krimi nuk do të pengohet nga ndërhyrja e popujve të shtypur në përgjithësi dhe atyre ballkanikë në veçanti”. Tamam në këtë kohë që revista “Federata Ballkanike” shpalli më të madhe rrezikun që i kërcënohet jetës së demokratit revolucionar shqiptar dhe kërkoi që ai të mbrohet, mblidhet në Gjermani-Frankfurt, Kongresi i dytë Botëror i Lidhjes kundër imperializmit dhe për çlirimit kombëtar.

Në këtë Kongres morën pjesë mbi 250 delegatë nga të pesë kontinentet, 8 prej të cilëve ishin delegatë nga Ballkani. Populli shqiptar u përfaqësua nga Komiteti i Çlirimit Nacional dhe Komiteti i Kosovës. Në presidiumin e Kongresit, Fan Noli do të zinte vend në mes savantëve të shquar siç ishin H. Barbysi, A. Anjshtajni, delegatët ndoqën me vëmendje fjalimin e Fan Nolit e këtij militanti shumë të njohur kundër diktaturës së Ahmet Zogut dhe kundër fashizmit e imperializmit….”Dhe miratuan një rezolucion mbi çështjen shqiptare. Pikërisht këtë forum ndërkombëtar, forcat demokratike e revolucionare të emigracionit shqiptar e shfrytëzuan për mbrojtjen e jetës së Haki Stërmillit. Kongresi shpalli një varg dokumentesh që demaskonin e stigmatizonin regjimet reaksionare të Ballkanit dhe dënimit të padrejtë të luftëtarëve të lirisë. Prej këndej merr shkas dhe telegrami i protestës që u bë me emër të Kongresit.

“Anëtarët e poshtëshënuar të Kongresit të dytë Botëror të Lidhjes-thuhet në të, protestojnë energjikisht kundër torturave çnjerëzore të kryera në burg mbi të burgosurin politik Haki Stërmilli. Ata kërkojnë kthimin sa më të shpejtë të lirisë dhe ndalimin e ndjekjeve kundër tij. Është në interes të Shqipërisë, si një gjë shumë e rëndësishme që t’i jepet e drejta kërkesës sonë”.

Është për nder të lëvizjes demokratike e revolucionare shqiptare të kohës të vemë në dukje se protesta për mbrojtjen e Haki Stërmillit, u nënshkrua nga një varg personalitetesh të shquara me famë botërore. Ndërmjet tyre vlejnë të përmenden shkrimtari H. Barbys, Sen Katajama anëtar i Presidiumit të Komintermit, A. Anjshtajn, fizikant i madh, prof. Nejedli, kryetar i Akademisë së Shkencave të Çekoskollvakisë, profesorët e njohur T.Lessing e Resch, deputetët britanikë J. Martou Kirkwood, Bridgeman, deputetët gjermanë V. Munzenberg, Geischke, E. Hollein, deputeti Italian dr. Miglioli, shkrimtarët R.Ruben, H. Stocker, Goldeshmit, deputetët Indian Gupta e Saklatabala, kryetarët e Bashkisë së Stokholmit C.Lindhagen etj. Protesta e nënshkruar nga kjo plejadë personalitetesh bëri padyshim jehonë të madhe. Ajo ndikoi drejtë për së drejti në shpëtimin e jetës së Haki Stërmillit. Vetë fakti që gjyqi politik i Zogut e dënojë më 3 gusht 1929 shkrimtarin demokrat vetëm me 5 vjet burg, flet mjaft qartë për këtë ngjarje sa dramatike dhe historike.
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back