Goditet organizata kriminale në Athinë, mes të arrestuarve 20 shqiptarë, si vepronte banda dhe çfarë iu zbuloi policia
Një aksion i madh i policisë greke ka çuar në pranga 30 persona, 20 prej të cilëve shqiptarë, 8 pakistanezë, 1 rumun dhe 1 nga Bangladeshi. Të arrestuarit ishin anëtarë të një grupi që kryente vjedhje të pasagjerëve të transportit publik. Gjatë aksionit, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe 9 të huaj të tjerë, si pjesë e bandës.
Të arrestuarit akuzohen për krijimin e një organizate kriminale me raste të shumta të vjedhjeve, si dhe për shkelje të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave. Që nga fillimi i tetorit 2021, ata kishin krijuar një organizatë të strukturuar kriminale, me veprim të përhershëm, ku çdo anëtar i grupit kishte rol të përcaktuar.
Banda ishte e ndarë në nëngrupe dhe kishte si qëllim vjedhjen e përditshme të pasagjerëve në transportin publik. Ata vepronin kryesisht në orët e pikut, kur kishte më shumë pasagjerë në autobusë, metro apo edhe në stacione, ku ju merrnin atyre portofolët e sende të tjera. Autorët vepronin në vende, ku nuk kishte kamera sigurie dhe përdornin shprehje të veçanta me kod në komunikimet e tyre telefonike.
Nga hetimet e deritanishme të policisë në Athinë, janë zbuluar 81 vjedhje ndaj pasagjerëve, me një përfitim financiar që kalon shumën e 50 mijë eurove. Nga kontrollet e kryera në banesat e 20 anëtarëve të organizatës kriminale, janë gjetur dhe sekuestruar 10 laptopë, 83 celularë, 11 ora, 5 kuleta, 3 çanta, byzylyk femrash 3070 euro, 5 makina private, 2 motoçikleta, një sërë aksesorësh, një sasi e vogël kanabis e papërpunuar, si dhe një sërë dokumentesh, shënime të shkruara me dorë, kartela dhe fatura të transportit publik.
Vihet re se shumica e anëtarëve të kësaj organizate kanë qenë edhe më parë të arrestuar për vepra të ngjashme. Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës.
(BalkanWeb)