Göbekli Tepe: A ka qenë tempulli më i vjetër në botë një observator astronomik?
Meqë është ndërtuar mijëra vjet përpara çdo gjëje tjetër që dimë në përmasa të ngjashme, Göbekli Tepe është një burim magjepsjeje për shumë njerëz. Spekulimet rreth qëllimit të kësaj strukture janë të shumta. Shumë prej tyre sugjerojnë se ai i ka shërbyer si një observator astronomik, dhe kjo duket sa e besueshme, aq edhe e paprovuar.
Bota sapo po dilte nga Epoka Akullnajore e fundit kur u ndërtua Göbekli Tepe në Turqinë e sotme. Për më tepër, në atë kohë bujqësia mund të mos ishte shpikur ende, ndërsa qeramika me siguri që jo. E megjithatë, njerëzit gjysmë–nomadë arritën në njëfarë mënyre, të ndërtonin një strukturë prej guri që do t’i mahniste pasardhësit e tyre mijëra vjet më vonë, dhe që ka mbijetuar deri më sot.
Edhe pse ne nuk dimë thuajse asgjë mbi njerëzit që e ndërtuan sitin gati 12.000-vjeçar, ai ndan shumë tipare me tempujt më të fundit që arkeologët mendojnë se kanë shërbyer për qëllime fetare. Dihet shumë pak për natyrën e fesë së praktikuar atje.
Por gdhendjet e shumta të kafshëve mbi gurët gjigantë, sugjerojnë se ato ishin me rëndësi të madhe për ndërtuesit. Në një epokë kur mungonte drita artificiale, njerëzit ishin shumë më të lidhur ngushtë me qiellin e natës sesa shumica prej nesh sot. Shumë site të reja neolitike, si Stonehenge, u ndërtuan për t’u lidhur me lindjen e diellit në data të rëndësishme.
Ndaj nuk ka asgjë të pabesueshme në lidhje me idenë, se një tempull i ndërtuar në një majë mali mijëra vjet më parë të jetë përdorur për të studiuar qiejt, dhe ndoshta për ta lehtësuar këtë gjë. Megjithatë, në konturet e Göbekli Tepe, nuk është gjetur asnjë simbol i Diellit apo Hënës.
Në vend të kësaj, njerëzit janë përpjekur ta lidhin orientimin e tij me yjet, ndërsa studiuesitnuk janë dakord se tek cilët yje ishin të përqendruar. Profesor Xhulio Malji i Universitetit Politeknik të Milanos propozon një rreshtim me yllin Sirius, por të tjerë kanë sugjeruar Orionin ose Mjellmën.
Megjithatë, kjo ide është e pamundur të provohet apo të rrëzohet. Pasi vendet ku ngrihen dhe perëndojnë këto yje në periudha të veçanta të vitit ndryshojnë përgjatë shekujve, për shkak tëtrajektores së Tokës. Një ide edhe më emocionuese, por e dyshimtë në aspektin shkencor, është se tempulli regjistron përplasjen në Tokë të një komete që shkaktoi ngjarjen e njohur si “Younger Dryas”, kur bota u ftoh shumë për rreth 1 mijë vjet.
Ajo ngjarje ishte padyshim e vërtetë, por mundësia që shkaku të ishte një kometë është shumë e debatueshme. Edhe në mesin e mbështetësve të teorisë së përplasjes së kometës, janëtë paktë ata që pretendojnë se ngjarja ka ndodhur pikërisht në Göbekli Tepe.
Megjithatë, një ekip studiuesish nga Universiteti i Edinburgut, pretendon se gdhendjet në një pjesë të Tempullit, i njohur si Guri i Shkabave, përfaqësojnë një ngritje të papritur të kometave. Duke shkuar edhe më tej, ata pretendojnë se ato përputhen me yjet e përshkruar në Gurin e Shkabës me yjësitë specifike, siç nuk kanë qenë 13.000 vjet më parë.
Guri i Shkabës mendohet të jetë piktura grafike e parë në botë. Ajo përshkruan një kokë njeriu në krahun e një shkabe dhe një trup njeriu pa kokë. Në të ka figura të ndryshme, por disa pretendojnë se ajo përfshin gjithashtu regjistrimin e përplasjes së një komete.
Nëse është e vërtetë, kjo jo vetëm që do të konfirmonte teorinë e kometës “Younger Dryas”, por do t’i përcaktonte ngjarjet në një mënyrë shumë të saktë. Dhe do të tregonte gjithashtu se ndërtuesit e Göbekli Tepe kanë qenë të aktualizuar me ngjarjet e kohës. Megjithatë, disa arkeologë vazhdojnë të jenë skeptikë.
/ iflscience – bota.al