Gjashtë rastet kur njerëzimi është përpjekur të nxjerrë ar nga uji i detit
Foto ilustrim
Në vitin 1872, kimisti britanik Eduard Sonstad zbuloi gjurmë të pakta ari në ujin e detit. Deri në atë moment, shkencëtarët e dinin se uji i oqeaneve përmbante argjend, bakër dhe plumb. Por asnjëra prej tyre nuk vlen aq sa ari. Sonstad sugjeroi ndërtimin e depozitave të mëdha buzë detit që mund të mbusheshin gjatë baticës së lartë, për të nxjerrë metalin e çmuar nga detet (sasi që vlerësohet të jetë rreth 65 miligramë ar për 1 ton ujë deti).
Sot disa ekspertë argumentojnë se nxjerrja e arit nga ujit i detit mund të bëhet një alternativë më tërheqëse ndaj praktikave aktuale të minierave të arit në tokë. Madje, minierat në ujërat ndërkombëtare pritet të nisin punën nga viti 2025. Autoriteti Ndërkombëtar i Shtratit të Detit, ka dhënë deri më tani më shumë se 30 kontrata për eksplorimin e depozitave minerale në thellësinë e deteve.
Por ambjentalistët thonë se kjo do të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ekosistemet oqeanike që tashmë po përpiqen t’i përshtaten ndryshimit të klimës. Por për fat të keq llogaritjet e Sonstad ishin të ekzagjeruara. Një studim i vitit 1990 i publikuar nga shkencëtarët e MIT, zbuloi se ka vetëm rreth 1 gram ar të tretur (sot me vlerë rreth 63 dollarë) për çdo 100 milionë ton ujë në Oqeanin Atlantik dhe Paqësor.
Ndaj shumë ekspertë mendojnë se ky ar do të kishte një kosto shumë të lartë. Gjithsesi kjo nuk i ka penguar studiuesit në të kaluarën që ta provojnë këtë mënyrë të nxjerrjes së arit. Preskot Xhernegan, një pastor nga Masaçusets dhe me telashe të mëdha financiare, u sëmur rëndë nga tifoja në verën e vitit 1896.
Kur u shërua, ai pretendoi se kishte parë në ëndërr sesi mund ta kthente ujin e detit në ar. Kështu lindi një mashtrim i bujshëm. Xhernegan bashkëpunoi me mikun e fëmijërisë Çarls Fisher, një zhytës i trajnuar, për të tërhequr investitorë për shpikjen e tij “Gold Accumulator”, Mbledhësi i Arit.
I hipur në një skelë në Providens, në Rod Ajland, Xhernegan zhyste në ujë një kovë zinku të mbushur me merkur, pretendonte se ai aktivizonte një bateri që siguronte rrymën elektrike të nevojshme për nxjerrjen e arit. Por investitorët nuk e dinin se shoku i tij i fëmijërisë, Fisher, zhytej nën ujë dhe e zëvendësonte merkurin me ar të blerë.
Deri në vitin 1898, kompania e tyre grumbulloi gati 1 milionë dollarë (rreth 34 milionë dollarë sot) dhe punësoi më shumë se 100 njerëz për të drejtuar skemën. Gjërat morën tatëpjetën kur hetuesi privat Uilliam Felan, u ndje i mashtruar për pjesën e tij të pasurisë dhe publikoi atë që dinte mbi mashtrimin në gazetën “NewYork Herald”. Kur investitorët shkuan të kërkonin paratë e tyre, dy mashtruesit ishin arratisur. Xhernegan me familjen e tij shkoi në Evropës, ndërsa për Fisher nuk u dëgjua më.
Ndërkohë gjatë Luftës së Parë Botërore, kimisti gjerman Fric Haber drejtoi një ekip shkencëtarësh në vijën e frontit, duke ndihmuar në përdorimin si armë me gaz klorin dhe agjentët e tjerë kimikë. Por Haber nuk u gjykua për krime lufte. Madje, në vitin 1918 fitoi Çmimin Nobel për shpikjen e procesit Haber-Bosch.
Kjo metodë kimike e kthente azotin në pleh kimik që përdorej për të korrat. Gjatë dekadës që pasoi, Haber u përpoq fshehurazi të rikuperonte arin nga uji i detit, për të ndihmuar në shlyerjen e reparacioneve masive të luftës që iu vendosën Gjermanisë.
Ai vlerësoi se 65 miligramë ar mund të nxirreshin nga 1 ton ujë deti. Fric dhe kolegët e tij punuan shumë për të zhvilluar një metodë që mbështetej në energjinë elektrike të kushtueshme dhe centrifugat masive. Por në fund rezultoi se sasia e energjisë së harxhuar ishte shumë më e madhe sesa fitimi nga ari i nxjerrë.
Ndërkohë sipas një artikulli të vitit 1934 në “New York Times”, një fabrikë e kompanisë “Dow Chemicals” pranë Vilmingtonit në Karolinën e Veriut, pretendonte se mund të mblidhte “mijëra miliarda dollarë” në formën e prej ari të pastër, argjendi dhe metale të tjera nga uji i detit brenda një dekade.
Fabrika, e ndërtuar fillimisht për nxjerrjen e bromit nga uji i detit që përdorej tek benzina, ishte i pari i këtij lloji. Presidenti i kompanisë, Uilliam Dau, tha se sasia e ujit që pompohej çdo ditë nëpër uzinë supozohet se përmbante diku midis 300 dhe 1.000 dollarë ar (6.000 dhe 21.000 dollarë në dollarët e sotëm). Por në vitin 1941, Dau njoftoi se “kishin mbledhur jo më shumë se një kokrrizë ari nga një ton ujë deti.
Më afër në kohë, në vitin 2012, shpikësi nga Teksasi Mark Sallivan kërkoi nëpërmjet medias një investim prej 1 milionë dollarësh për konceptin e tij “Gjeneratori Sallivan”, për të cilin ai pretendoi se e përdorte ujin e detit dhe forcën Coriolis (të shkaktuar nga rrotullimi i Tokës) për të prodhuar një vorbull me avull.
Ky uragan hipotetik mund të përdoret më pas për të rrotulluar turbinat e gjeneratorit dhe për të krijuar energji të pastër. Sallivan shtoi se nënproduktet e procesit do të përfshinin ujë të pijshëm dhe depozita minerale, mes tyre dhe ari.
Ndërkohë në vitin 2018, kimistët në Zvicër identifikuan një material të ri që grumbullon arin që gjendet në det. Ata raportuan se “sfungjeri” i tyre molekular – një polimer i mbushur me pore që e rrisin sipërfaqen e tij – tërheq 90-99 për qind të joneve të arit që gjenden në ujë.
Vitet e fundit, një numër në rritje kërkimesh ka identifikuar një bakter të vogël në formëshufre si një kandidat ideal për nxjerrjen e arit nga uji i detit. Delftia acidovorans u identifikua për herë të parë në tokë në Holandë. Por kohët e fundit është gjetur edhe në mjedise të tjera, kryesisht në kanalet e lavamanit dhe dushit.
Këto habitate të zgjedhura janë zakonisht toksike, për shkak të përqendrimeve të larta të metaleve të rënda. Por bakteri lulëzon sepse sekreton një peptid (i njohur si delftibactin) që i neutralizon jonet e ngarkuara. Për pasojë, jonet e arit shndërrohen në nanogrimca, të cilat grumbullohen në pjesë më të mëdha.
Studiuesit në Gjermani, identifikuan kohët e fundit gjenet që e bëjnë të mundur këtë, dhe i inkorporuan me sukses një mikrob të përditshëm, E. Coli, për të rikuperuar arin nga mbeturinat elektronike. Por deri më tani, sasia e arit të nxjerrë në këtë mënyrë është gati e papërfillshme. Shkencëtarët nuk po nxjerrin shufra ari në laborator, dhe kjo metodë nuk ka gjasa të jetë praktike në nivel industrial.