Gerard Depardieu-një huligan në ekran dhe në jetë
Prej një viti jeta e aktorit francez me nënshtetësi ruse Gerard Depardieu ka kapërcyer kufijtë ravijëzuar mirë të suksesit dhe adhurimit. Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria franceze e ka akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual për një ngjarje që hamendësohet të ketë ndodhur në gusht të 2018-ës, por deri më tani nuk është mësuar emri i 22-vjeçares që mendohet se ka rënë preh e këtij sulmi. Aktori atëherë ishte 69 vjeç, ndërsa sot mbush 73 vjeç.
“Unë jam viktima e Depardieu. Ka kaluar një vit që kur është ngritur aktakuza. Nuk mund të hesht më, ka shkruar disa ditë më parë në llogarinë e saj në Twitter, aktorja franceze Charlotte Arnault. Ai është i akuzuar për sulm seksual prej një viti, por vazhdon të punojë, ndërsa unë e kaloj kohën duke mbijetuar. Kjo jetë më ka humbur prej tre vitesh dhe unë dua ta fitoj atë pa e mohuar veten… Nuk fitoj asgjë tjetër përveçse shpresës për të fituar integritetin tim. Të hesht është si të varrosëm për së gjalli”, ka treguar aktorja.
Depardieu, natyrisht, i mohon akuzat. Hetimet u ndërprenë për mungesë provash dhe nuk dihet ende pse kanë filluar tani. Sa herë ky aktor përfshihet në telashe, vëmendja mbi të kthehet nga e kaluara e tij, dhe ku në të shumtën e rasteve etiketohet si skandaloze, duke përfshirë histori dashurie, fëmijë jashtëmartese dhe sjellje jo fort të hijshme nën efektin e alkoolit.
“Jam rritur në rrugë dhe aty kam mësuar të shkruaj e të lexoj, jo në shkollë. Rruga nuk fal asgjë, duhet të besosh në fatin tënd dhe të mbështetësh vetëm te vetja”, thotë aktori.
Gerard vendosi të largohej nga vendlindja e tij dhe në moshën 16-vjeçare u gjend në Paris pa para, pothuajse analfabet, duke folur në dialekt madje edhe duke belbëzuar pak. Ai u bë aktor. Ai bëri një audicion për mësuesin e famshëm francez Jean Laurent Kosche dhe u pranua të trajnohej falas në Teatrin Kombëtar Populaire. Pas diplomimit filloi punë në grupin amator “Cafe de la Gap”.
Ai praktikon me shumë zell drejtëshkrimin, merr pjesë në vallëzime për të përsosur lëvizjet e tij, të cilat ishin të ngurta, për shkak të trupit të tij të madh, ai është 182 cm i gjatë dhe peshon mbi 100 kg. Përveç kësaj, ai ka tipare të vrazhda dhe një hundë si patëllxhan, shpatulla të forta të një punëtori, e thënë ndryshe, nuk ishte aq i bukur dhe i pashëm sa ishin në modë aktorët e kinemasë para futjes së tij në skenë.
Pamja dalluese e Depardieu i vleu atij për profesionin e aktrimit, plus kujtesa e tij e shkëlqyer për të mësuar përmendësh shumë rreshta. Ai doli për herë të parë në ekran në vitin 1967. Që atëherë, ai ka luajtur më shumë se 200 role në film dhe televizion dhe vazhdon të aktrojë edhe pse rrallë. Ka periudha që bën 4-5 filma në vit, ndërsa në vitin 1972 edhe tetë. Ai zakonisht kërkohet si një huligan simpatik. Kështu shfaqet në filmin provokues “The Waltzers” dhe regjisori Beptpan Blie bëhet udhërrëfyesi ynë në kinema. Miqtë dhe shokët e Depardieu nga Shkolla Patrick Devection, Miy Miy dhe Isabelle Juppe gjithashtu fituan famë nga ky film.
Pasuan shumë vite punë dhe role të ndryshme, të cilat e bënë aktorin të preferuarin e publikut francez. Atij i pëlqen të aktrojë në komedi, por gjithashtu ndërton imazhe komplekse psikologjike. Ka punuar me regjisorë si Mapco Fepepi, Beppado Beptolychi, Jean-Luc Godapp, Francois Tufofo, Andrzej Baida.
Raportet e tij me gratë kanë qenë shumë komplekse. Ai është shprehur se më asnjërën nga tre gratë që lindi fëmijë, nuk arriti dot të krijojë një familje të vërtetë.
“Nuk më pëlqen ideja e një familjeje. Familja është e neveritshme, vret lirinë, vret dëshirat, vret ëndrrat është një gënjeshtër. Është shumë e ngjashme me pamjet televizive që mashtrojnë shikuesin”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht qëndrimit të tij ndaj martesës, Depardieu ka qenë i martuar prej 25 vitesh me Elizabeth Guinho, të cilën e takoi në grupin e teatrit kur ishte shumë i ri. Ajo vinte nga një familje e pasur dhe studionte në universitet. Ata u martuan në vitin 1970. Julie u kujdes për edukimin e tij dhe lindën dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, e cila ndoqi gjurmët e babait të saj.
Martesa e tij me Elizabeth mori fund kur aktorja dhe modelja senegaleze Karin Silas lindi një vajzë të quajtur Gerard Roxanne. Jo se ai nuk e kishte tradhtuar më parë gruan, por kësaj të fundit i erdhi në ndihmë, fëmija jashtëmartesor, plus
pasioni për bukuroshen Carole Bouquet, për shkak të së cilës aktori u largua nga shtëpia.
Carole Bouquet
Carole ishte martuar tre herë para se të lidhej me Depardieu. Ajo ishte fytyra e Chanel. Ata u njohën nga filmi “Too Beautiful for You” (1989), por u deshën gjashtë vjet që ajo të divorcohej nga burri i saj për Depardieu. Lidhja e tyre zgjati deri në vitin 2005, ata nuk kanë fëmijë. Aktori u detyrua të durojë xhelozinë e madhe të Carole. Ajo e ndjek kudo, nuk e lë të marrë frymë dhe nuk i beson. Për të, ai është si një fëmijë, mendjelehtë, i dashuruar dhe për këtë arsye nuk e humbet nga sytë.
Depardieu ka qenë i lidhur gjithashtu edhe me shkrimtaren Clementine Igou për 15 vjet.
Kudo ku shfaqet Depardieu është një material me vlerë për paparacët. Sepse prania e tij në festa, shoqërohet në pjesën më të madhe me skandale. Një fakt të tillë shumë gazetarë e kanë lidhur me konsumimin e tepërt të alkoolit. Vetë ai ka pohuar se nuk i mjaftojnë 14 shishe verë në ditë.
Aktori jo vetëm që pi eliksirin e rrushit, por edhe e prodhon atë. Ai bleu një kështjellë të shekullit të 12-të në Luginën Loire dhe një rezidencë të madhe prej 27 hektarësh të mbjellë tërësisht me vreshta. Çdo vit prodhon rreth 250 mijë shishe, nga të cilat 60 mijë janë thjesht të ambalazhuara dhe presin të stazhionohen. Ai hapi edhe dy restorante në Paris. Depardieu botoi edhe një libër gatimi në vitin 2005, i cili shpejt u shndërrua në një bestseller.
Ai nuk është futur në biznes për të fituar, pasi fiton mjaftueshëm në kinema. Në vitin 2005 u deklarua si aktori më i paguar në Francë dhe në 2008 më i pasuri. Ka marrë pjesë në shumë iniciativa bamirësie. Ndërsa së bashku me Carole Bouquet kanë 50 shoqata bamirësie në mbarë botën që ndihmojnë fëmijët në Kamboxhia. Ai ka ndërtuar disa spitale dhe ndonjëherë ndihmon personalisht mjekët atje. Në vitin 1996, atij iu dha Urdhri Francez i Legjionit të Nderit për një donacion tepër bujar për një qendër rehabilitimi në Paris për të varurit nga droga.
Aktori francez, Gerard Depardieu, mori pasaportën ruse. Ai deklaroi në atë kohë se kishte vendosur ta dorëzojë pasaportën franceze menjëherë, pasi kryeministri e kritikoi për faktin se u largua drejt Belgjikës për t’iu shmangur taksave.
Taksa e 75% për të gjithë ata, që fitojnë një milion euro në vit, u propozua nga presidenti socialist Francois Hollande, duke provokuar një valë kritikash nga të pasurit, një pjesë e të cilëve kërcënuan se do të zhvendoseshin jashtë vendit kur ndërkohë Rusia aplikon një taksë më të ulët prej 13 % mbi fitimet e të pasurve.
Së bashku me pasaportën ruse, aktori mori si dhuratë edhe një apartament me 5 dhoma në qendër të Saransk. Një muaj më vonë, atij iu dha titulli “Qytetar Nderi i Çeçenisë”. Në fund të vitit 2018 u mësua se ai ndryshoi regjistrimin e tij nga Saransk në Novosibirsk. Në siberi, synon të drejtojë një biznes ushqimor dhe të bëjë një dokumentar për qytetin, porositur nga Channel 1. Ndërkohë, ai mori si dhuratë një rezidencë në Bjellorusi, afër Minskut, ku mund të ndërtonte një shtëpi. Në vitin 2020 ai u konvertua në Ortodoks.
Aventura ruse nuk e ka penguar aktorin të kthehet në Belgjikë. Në vitin 2018, ai shpalli dëshirën e tij për të jetuar në një shtëpi në Algjeri. Edhe pse zgjedh perëndimin për të jetuar, ai nuk ndryshon mendje sa i përket atdheut të tij.
“Franca është bërë si një idiot i drejtuar nga Disneyland”, tha ai.
Top Channel