Fredi dhe Trus, banda e vajzave adoleshente holandeze që joshte dhe vriste nazistët
Kur motrat Fredi dhe Trus Overstegen ishin të vogla, nëna e tyre i vendoste të flinin në të njëjtin shtrat. Ky nuk ishte një akt i lidhjes së imponuar midis 2 motrave. Edhe pse familja kishte më shumë sesa një dyshek, që të gjithë të improvizuar dhe të mbushur me kashtë, ata e ndanë banesën e tyre modeste me refugjatët hebrenj që strehonin rregullisht.
Vajzat nuk e kishin problem të flinin bashkë, Të rritura kryesisht nga nëna e tyre, Trintje, pasi prindërit e tyre u divorcuan, Fredi dhe Truus u rritën si komuniste në atë që atëherë ishte fshati Shoten (tani pjesë e Harlem) në Holandën e Veriut në vitet para Luftës së Dytë Botërore.
Trintje u mësoi vajzave dhembshurinë për njerëzit më fatkeq se ato vetë. Motrat krijuan kukulla për fëmijët e prekur nga Lufta Civile Spanjolle. Ato e ndanë shtëpinë e tyre me njerëzit që largoheshin nga Gjermania por edhe Amsterdami.
Dhe kur nazistët e pushtuan Holandën në majin e vitit 1940, Fredi dhe Trus shpërndanë pamflete që kundërshtonin pushtimin, dhe grisnin posterat propagandistikë që kërkonin punëtorë në Gjermani. Ishte një punë shumë e rrezikshme dhe subversive.
Kur nazistët pushtuan Holandën, Trintje siguroi largimin e refugjatëve që kishin pritur në shtëpi deri atëherë, nga frika se do të zbuloheshin për shkak të prirjeve të njohura komuniste të familjes së saj. Më pas shumë prej tyre u dëbuan dhe u vranë. Kjo trishtoi dhe zemëroi shumë Fredi dhe Trus.
Kur udhëheqësi i një grupi holandez të rezistencës vuri re për prirjen e tyre radikale, i kërkoi Trintje nëse vajzat e saj mund t’i bashkoheshin lëvizjes. Në atë kohë Fredi ishte 14 vjeçe, ndërsa Trus 16 vjeçe. Pa qenë shumë të vetëdijshme se çfarë po bënin, ato ranë dakord.
Shumë shpejt, vajzat adoleshente po angazhoheshin në misione të tjera përveç shpërndarjes së literaturës. Ata po i joshnin nazistët që të shkonin me to në pyll, ku më pas i vrisnin. Për një fare kohe, Fredi dhe Trus ishin vajzat e vetme në grupin prej 7 personazh të quajtur Këshilli i Rezistencës së Harlemit.
Pasi u rekrutuan nga komandanti Frans Van Der Vil në vitin 1941, që të dyja mësuan parimet bazë të sabotimit. Ato mësuan si të hidhnin në erë linjat hekurudhore dhe urat, si të qëllonin me armë, dhe si të qarkullonin pa u zbuluar nëpër një zonë të mbushur me ushtarë nazistë.
Aftësia e fundit ishte më shumë produkt i pamjes së tyre. Me flokët e kapur gërshet, Fredi dukej si një vajzë 12 vjeçare. Pak ushtarë dyshonin kur të dyja vajzat teksa udhëtonin me biçikletat e tyre nëpër territorin e pushtuar, megjithëse ato vepronin fshehurazi si korriere, duke transportuar dokumente dhe armë për rezistencën.
Të dyja motrat dogjën pa u zbuluar një magazinë të ushtrisë naziste. Por rezistenca kishte një mision tjetër për to, të cilën Fredi e përshkroi më vonë si një “të keqe të domosdoshme”. Ato duhej të vrisnin oficerët nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre holandezë.
Dhe detyra kryesore e Fredi dhe Trus, ishte të vepronin si karrem. Një herë, kur Fredi po vëzhgonte nga larg situatën, Trus hyri në një restorant dhe filloi të bisedonte me një oficer të rangut të lartë SS. Ndërsa po flirtonte me të, ajo i kërkoi të dilte për një shëtitje në pyll. Pasi shkuan në një pyll aty pranë, Trus dhe ushtaraku nazist u përballën me një anëtar të rezistencës. Ky i fundit e vrau oficerin dhe e fshehu trupin e tij në një gropë që e kishte hapur më herët.
Fredi dhe Trus u bënë shumë shpejt të afta të eliminonin vetë objektivat e tyre, të cilat Fredi do t’i përshkruante më vonë si “likuidime”. Ndonjëherë vajzat lëviznin me një biçikletë. Trus pedalonte ndërsa Fredi qëllonte nga mbrapa. Ndonjëherë i ndiqnin oficerët deri në banesë për t’u zënë pritë.
Edhe pse e konsideronin të nevojshme këtë detyrë, vajzat e kishin të vështirë ta pranonin. Ndonjëherë, kujtonte Fredi më vonë, ajo qëllonte një nazist dhe më pas ndiente një detyrim të çuditshëm për ta ndihmuar atë të ngrihej.
I vetmi mision që refuzuan ishte plani për të rrëmbyer fëmijët e ushtarakut të lartë nazist Artur Seis-Inkuart, me idenë që fëmijët e tij mund të shkëmbeheshin më pas me radikalët holandezë që ndodheshin në burg. Nga frika se fëmijët mund të lëndoheshin gjatë rrëmbimit, Fredi dhe Trus nuk pranuan.
Vajzave iu bashkua në vitin 1943 edhe një ish-studente e juridikut, 22-vjeçarja Zhanet Shaft. Të tria vajzat u bënë të pandashme, duke vepruar si një njësi e koordinuar për misionet e sabotimit. Gjatë 2 viteve të ardhshme, ato vazhduan të eleminonin oficerët nazistë dhe t’i shmangeshin identifikimit, edhe pse nazistët e njihnin Shaft për shkak të flokëve të saj të kuq.
Në prillin e vitit 1945, vetëm disa javë para fundit të luftës, Fredi dhe Trus u shqetësuan kur Shaft nuk u kthye në bazë pas një misioni. Ato u tmerruan kur zbuluan se shoqja e tyre ishte arrestuar në një pikë kontrolli kur një oficer zbuloi rrënjët e kuqe të flokëve të saj, të cilat ajo i kishte lyer me të zezë për të shmangur zbulimin.
Shaft u ekzekutua më 17 prill, dhe mësohet se ajo u tall me xhelatin e saj, kur ai dështoi ta vriste në përpjekjen e tij të parë. “Unë jam një qitëse më e mirë sesa”- i tha ajo. Të pikëlluara për humbjen e Shaft, Fredi dhe Trus u përpoqën të ri-integroheshin pas luftës në jetën normale.
Fredi u martua dhe pati fëmijë, për të cilat u shpreh me vonë se e ndihmuan shumë të kalonte traumat psikologjike të luftës. Ndërkohë Trus i derdhi emocionet e saj në vepra arti, duke skalitur edhe përmendore për Shaft dhe shkruar një libër me kujtime. Në vitin 1996, të dyja motrat hapën Fondacionin Kombëtar “Hannie Schaft”.
Në vitin 2014, kryeministri Mark Rute i dha Kryqin e Luftës së Mobilizimit për shërbimin e tyre gjatë luftës. Trus vdiq në moshën 92-vjeçare në vitin 2016. Ndërsa Fredi në vitin 2018.
Nuk dihet saktësisht se sa nazistë vranë vajzat, pasi sa ishin gjallë hezituan të flisnin për këtë gjë. Sa herë që pyetej, Fredi përgjigjej gjithnjë më fjalinë “Një ushtar nuk pyetet asnjëherë për këtë gjë!”.
/ MentalFloss – Bota.al