Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Fisi i Kelmendit

Jupiter666

Anetar i ri
ANETAR ✓
Regjistruar më
Gusht 10, 2020
Mesazhe
3,760
Pëlqime
2,219
Kelmendi,

Malësia e Kelmendit shtrihet në skajin verior të Alpeve Shqiptare. Në kuptimin etnografik, fisi i Kelmendit bën pjesë në malet e Malësisë së Madhe. Sipas shtrirjes së vjetër fisnore Kelmendi kufizohet me Hotin, Kastratin dhe Shalën në jug, me Gash e Krasniqe në lindje, kurse me Vasojeviçët, Kuçin, Triepshin dhe Gruden në veri. Banorët e këtij fisi, banojnë kryesisht rreth dy burimeve të lumit Cem, Vuklit dhe Selcës dhe lumit të Vermoshit. Komuna e Kelmendit sot ka 6344 banorë, të përqendruar në fshatrat : Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Brojë, Kozhnja, Nikç, dhe Vukël.
Përmbajtja

1 Emri i fisit
2 Origjina
3 Kelmendasit gjatë pushtimit otoman
4 Komunizmi
5 Shih edhe
Emri i fisit
Emri këtij fisi vjen nga fjala latine clemens-(tis), dmth. i urtë, i thjeshtë, i mirë. Këtë emërtim të natyrës së njeriut, më vonë e gjejmë si emër personal, Clemens. Ndër shkrimet e studiuesve të huaj e gjejmë në forma të ndryshme fonetike "Klemnti", "Klimenti", "Clementiner" etj. kurse në gjuhën shqipe "Klmen-Klmente"3) gjegjësisht "Kelmendi". Për herë të parë, në kuptimin e sotëm, si emër personal, e takojmë tek zëvendësi i tretë i Shën Pjetrit Papa Klementi e I-rë (90-101), cili duke predikuar fjalën e Krishtit ndër paganë, u martirizua. Kelmendasit këtë e kanë mbajtur për Shenjt, dhe mbrojtës të fisit në tërë historinë e tyre duke ia kushtuar njëherit edhe tempujt e lutjes ndër kisha. Për këtë arsye kelmendasit në mënyrë të veçantë i nderonin papët e Romës. Këtë gjë na e dëshmon në një relacion për kelmendasit dërguar Selisë së Shenjte në vitin 1636, nga At Bonaventura. Ai shkruan se kur se serbët e fesë ortodokse, të ardhur në tokat kelmendase për të shpëtuar nga barbarizmat e ushtrisë turke, filluan ta fyenin papën, këta të fundit i kërcënuan se do t´i përzinin nga territori i tyre fisnor.

Si toponim, ky emër identifikohet me emrin e kështjellës bizantine "Klementiana", të cilën e përmend historiani i epokës Justiniana Prima (527-565), Prokopie i Cezaresë. Sipas historianit serb Vladislav Popoviq, kjo kështjellë duhet të këtë qenë e vendosur ndër viset e Kelmendit, ose në veri të liqenit të Shkodrës. Kurse për Sufflay-n kjo fortesë duhet të këtë qenë në rrugën romake Shkodër - Prizren, tek dogana e Shpëtimit Shenjtë (Svetog Spasa).
Origjina Origjina e fisit të Kelmendit, si dhe fiseve të tjera të Malësisë së Madhe, sipas trajtimeve shkencore, deri me sot është ende e paqartë. Por e gjithë kjo nuk do të thotë se nuk duhet të bëhen përpjekje për të plotësuar apo shtjelluar sado pak atë çka albanologët shqiptarë e të huaj, si Selami Pulaha, Rrok Zojzi, Milan Šyfflay, Franz Baron Nopcsa, Georg Stadtmuller, Giuseppe Valentini dhe në kohën e fundit, Peter Bartl-i, kanë shkruar mbi origjinen e fisit në fjalë si dhe për fiset e tjera të Malësisë së Madhe. Albanologët e huaj si dhe ata shqiptarë, në mungesë të dokumenteve të shkruara, prejardhjen e këtij fisi e shpjegojnë sipas koncepteve të gojëdhanave popullore. Kështu, sipas misionarit françeskan Bernardo nga Verona, i cili për shumë vite punoi në mes të këtij fisi, në relacionin e dërguar "Kongragates për Ungjillzim" në vitin 1663, në mes të tjerash shkruan: "nuk është e lehtë të thuhet nga e ka origjinën ky fis, por është bërë zakon me thënë se kjo popullsi është pasardhëse e Kuçasve ose e fqinjëve të tjerë"; , kurse Arqipeshkvi i Shkodrës (1656-1677) dhe më vonë i Shkupit (1677-1689) Pjetër Bogdani, në relacionin e vet të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjte, ndër të tjera thotë: "sipas gojëdhënës, i pari i kelmendasve ka ardhur nga rrjedha e epërme e lumit Moraça"9), dmth nga fiset e vjetra shqiptare kodrinore, të cilat, sipas Valentinit janë: Piperri, Kuçi, Vasojeviçi, Bratonoshiqi, Palabardhet-(Bjelopavliqi) 10) etj. Më pas, i pari i kelmendasve u martua me një vajzë nga fisi i Kuçit dhe djalit të parë të lindur ia vuri emrin Kelmend.11) Ndërsa albanologu i shquar Zef (Giuseppe) Valentini, pas shumë versionesh, si më te besueshmin variant mban atë se ky fis rrjedh nga fisi i vjetër Kodrinor shqiptar i Kuçit, e ky i fundit rrjedh nga fisi Berishë, të cilin në dokumente e gjejmë që në vitin 1242.12). Sidoqoftë, një mbiemër të dokumentuar të këtij fisi ne e gjejmë në vitin 1353 me emrin, Gjergji, i biri Gjergj Kelmendit nga (vendi) Spasë, (dominus Georgius fulius Georgii Clementi de Spasso)13) tek fortesa e lartpërmendur Clementiana, kurse si fis të organizuar mirë, e takojmë në vitin 1497. .Megjithatë, kur themi se zanafilla e fiseve sipas konceptit shkencor dhe atij popullor zakonisht lidhet me emrin e toponimit, ose me emrin e një antroponimi në patronim (mbiemër njeriu), më vonë në emër vllaznie dhe së fundi në emër fisi, dhe se, mbeturinat e rendit fisnor në Shqipëri janë të trashëguara nga kohët më të lashta të historise sonë,14) d. m. th. nga trungu ilir, e kur në anën tjetër mësojmë se sa i lashtë qenka prejardhja e këtij emri, në mënyrë të natyrshme i bëjmë vehtes pyetjen: Vallë, a mund të na tregojnë gjë fjalët e enciklopedisë gjermane, të botuar në Altenburg në vitin 1824, e cila këtij fisi i kushtoi 22 rreshta, e ku ndër të tjera thotë: " Kelmendasit, Arnautët, janë nga fiset e vjetra ilire".15) Pra, ndoshta kemi të bëjmë me një fis të lashtë, i cili gjatë invazioneve barbare sllavo-avare në trojet tona mbeti krejtësisht nëndhe deri në shekullin e XI-të (sikurse vetë emri i popullit shqiptar dhe historia e kishës shqiptare), sepse, siç e dimë, ky fis në rrjedhen e historisë kombëtare shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe atij fetar në Shqipërinë e Veriut, me çka shkurtimisht do te njihemi në vazhdim.

Siç shihet në regjistrimet e hollësishme të Defterit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1497, kelmendasit para pushtimit turk jetonin në dy fshatra: fshatin Selçisha ku ishte vendosur katundi Liçeni dhe fshati Çpaja-Spai-Ishpaja ku ishin vendosur katër katunde dhe kishte 152 shtëpi16). Truallishta e përbashkët quhej Petersjan-Petershban-Bishtan, dhe gjendet një orë larg Selcës, në veri të Podgoricës. Fakti se në vitin 1582 në Kelmend shënoheshin vetëm 70 shtepi17), tregon qartë se me ardhjen e pushtuesit aziatik ky fis u detyrua të bëjë lëvizje brënda Malësisë dhe të shpërngulet në viset e Anamalit, fshatrat Muriq, Shestan dhe Goljemadhë në Mal të Zi1 . Kurse sipas relacionit të providurit Marin Bolica, procesi i organizimit territorial i këtij fisi si dhe fiseve Hot, Piper, Kuç etj,19) në fund të shekullit të XVI kishte përfunduar dhe ishte formuar tashme teritori bazë i Kelmendit. Në relacionin e tij të vitit 1638 dërguar Selisë së Shenjtë, ipeshkvi i Sapes Frang Bardhi, thotë: "Kelmendasit banojnë ndër male shumë të mëdha dhe me pozita të forta ndërmjet Bosnjës dhe Shqipërisë. Ata janë me kombësi shqiptare, flasin shqip dhe janë të përfshirë ndër kufijtë e Shqipërisë, ushtrojnë besimin tonë të shenjtë katolik romak".20) Përndryshe, sipas dokumenteve, që në vitin 1671 këtë fis e gjejmë të ndarë në tri vllazní: Selcë, Vukel, Nikç dhe në vitin 1688 edhe vllaun e katërt Bogë21) që në fakt paraqitnin katër degët e fisit të shpërndarë nëpër katër lugina. Sipas ipeshkvit te Sapes, Gjergj Bardhit, i cili më 8 korrik 1634 beri një vizitë baritore në malet e Dukagjinit, Pultit e Kelmendit, në këtë vit, ky fis kishte 300 shtëpi me 3200 shpirtëra.
 
Kelmendasit gjatë pushtimit otoman

Pas rënies së Medunit më 1457, dhe më në fund, të Shkodrës më 147923) ushtria pushtuese osmane ngadalë arriti tashmë që pushtetin e vet ta shtrijë edhe në viset e Malësisë (së Madhe). Kelmendasit në pjesen më të madhe të tyre, përkundër njohjes së pushtetit sulltanor në vitin 1497, me gjithë vështërsitë e mëdha jetësore me të cilat ballafaqoheshin, qendruan të panënshtruar duke mos paguar asnjë lloj detyrimi ndaj pushtuesit deri në vitin 1664. Deshmi për këtë është fakti se kelmendasit nuk ishin të regjistruar në Defterin e Sanxhakut të Shkrodrës të vitit 1485. Pothuajse ekzistonte traditë në të gjithë malësorët të refuzohej dora e pushtuesit turk. Kjo mund të vërehet edhe në relacionin e Marin Bicit (1608-1624), arqipeshkvit të Tivarit, i cili në vitin 1610 i shkruante Selisë së Shenjte, se malësorët janë vetëm të besimit latin (katolik) të ndarë në fise Kelmend, Grudë, Hot, Grise, Kastrat, Tuz, Shkrel, etj. Përsa i përket Kuçit, gjysma e tyre janë të fesë ortodokse, pjesa tjetër të fesë katolike, e të gjitha këto fise jetojnë në bjeshkë të papërshtatshme dhe asnjëherë nuk u janë nënshtruar tuqve. Përndryshe, Bici në këtë relacion emërtimin Kelmendi e përmend për gjithë konglomeratin verior shqiptar, duke përfshirë këtu edhe fiset gjysëm të slavizuara si, Bjelopavliqët (Palabardhet), Piperët, Bratonozhiqet dhe Kuqasit. Organizimi i parë i malësorëve me përmasa ballkanike, për t'iu kundërvënë turqve me përkrahjen e aleatëve, të Selisë së Shenjtë dhe spanjollëve, mbajtur në Kuç në vitin 1614, bëri që Kelmendi të bashkojë 650 luftëtarë dhe të formohej aleanca ushtarake "Bashkimi i Maleve" për luftë çlirimtare kundër osmanllinjve. Kështu, malësoret u bënë një fuqi e rëndësishme, e cila përcaktoi fatin e sundimtarëve të Sanxhakut në grindjet e tyre për pushtet. Nuk kaluan shumë vite dhe pjesa më e madhe e zonave malore duke udhëhequr kryengritje të vazhdueshme hodhi poshtë si detyrimet e vitit 1497, ashtu edhe regjimin e timarëve. Kështu, në fillim të shekullit XVII, spahinjtë u dëbuan përgjithmonë nga 11 krahina të Malësisë së Madhe, pra edhe nga Kelmendi, i cili sipas relatorëve kishtarë, bëri kryengritjet më të mëdha duke qenë edhe i favorizuar nga shtrirja gjeo-strategjike. Shumica e malësorëve, pas sakrificave të mëdha, rrënimeve, dëmtimeve, marrjes së njerëzve si skllevër, mbeti fshatarësi e lirë. Kelmendasit, të lirë nga armiku nëpër malet e tyre, për shkak mungesës së tokës, luftonin me armikun tjetër, varfërinë, e cila ata i detyronte të grabisnin pronat e feudalëve, karvanet tregtare dhe disa herë vetë qytetet. M Bolica, në kronikën e tij të vitit 1614, thotë se rajoni i Plavës dhe i Gucisë, të cilin e administronin turqit, është shkatërruar shumë herë nga plaçkitja e kelmendasve që jetonin në fqinjësi direkte. Për këtë, Porta e Lartë, në vitin 1612, u detyrua nën udhëheqjen e pashait të Podgoricës, Cem Çaushit të ndërtonte një fortesë të madhe mbi fshatin Gerçar, në vendin e quajtur Godilje, fortesë që u emërtua Qytet i Ri. Përndryshe, kelmendasit i quajnë njerëz të palodhur dhe trima. Ipeshkvi i Sapës Frang Bardhi, për kelmendasit sulmues, në një relacion të vitit 1638 thotë se, ata u bënin sulme të pandërprera karavanave në Shqipëri, Bosnjë dhe Serbi. M. Bolica, shkruan gjithashtu se sulmet e këtij fisi si dhe fiseve të tjera, kanë arritur deri në Filibe, qytetin e sotshëm Plovdiv në Bullgari. Këtë gjë kelmendasit e bënin me siguri edhe për shkak të grumbullimit të materialit luftarak për të bërë luftë me turqit. Kjo shihet në luftrat çlirimtare të udhëhequra më vonë kundër Asllan Pashës së Podgoricës në vitin 1613, Ibrahim Agës të Shkodrës në vitin 1617, dhe Mehmet Beut në vitin 1633 etj. Në vitin 1638, pas një përgatitje të gjatë, me direktivat e vetë Sulltan Muratit IV (1623-1640), nën udhëheqjen e Vuço Pashës nga Bosnja dhe sanxhakbeut të Shkodrës, Ali Çengiqit, ku morën pjesë, sipas ipeshkvit të Sapës Frang Bardhit 15.000 ushtarë (kryesisht me përbërje turq, dalmatinë, serbë bullgarë dhe boshnjakë), qeveria turke bëri një luftë masovike, vendimtare për shkatërrimin e këtij fisi heroik. Por edhe pas një lufte njëvjeçare nuk ia arriti që t'i mposhtë trimat kelmendasit, të cilët me një luftë vetmohuese ia arrtitën ta mbrapsin në vitin 1639 armikun. Madje ata shpreheshin se, vetë Papa i Romës është lutur për ne qe të na ndihmojë Zoti në këtë betejë. Kështu kelmendasit, edhe pse të dërrmuar, ruajtën amanetin e të parëve: "fe dhe atdhe". Megjithatë, kelmendasve nuk iu desh të prisnin shumë për luftën e tyre: në vitin 1645 filloi lufta 25 vjeçare për Kretën, një ballafaqim ky veneciano-turk që e kishte arenën e luftës në Ballkan. Kelmendasit gjatë kësaj kohe hynë në marrëveshje me venecianet dhe në muajin gusht të vitit 1648 nga paria e Kotorrit morën ftesë, që së bashku t'u kundërviheshin turqve për t'i çliruar tokat shqiptare deri në Krujë. Si datë për të sulmuar Shkodrën u caktua 27 shkurti 1649, por edhe pas përgatitjeve të mëdha që u bënë në Budva, sulmi nuk u realizua.

Mëvonë, për shkak të ruajtjeve të pozitave të veta të cilat kërcënoheshin gjithnjë nga hordhitë osmane dhe për arsye të islamizimit të një pjesë të fisit, Kelmendasit për një kohë u terhoqën nga kjo marrëveshje veneciane, në trojet e veta. Por, gjatë viteve 1686-1699, kur austriakët avancuan deri ne Prizren dhe Shkup në luftë kundër osmanllinjve, kelmendasit përsëri ndryshuan qëndrimin e tyre dhe iu bashkangjitën gjeneralit austriak Piccolominit, i cili kishte përfshirë në marreveshjen e 12 tetorit 1689. edhe fisin e Kelmendit. Dyshimi i shprehur nga autorët serbë mbi pjesëmarrjen e kelmendasve në luftën e madhe austriako-turke (1683-1699), është i pabazuar. Këtë gjë shumë qartë e deshmojnë burimet austriake në fund të XVII. Jo rastësisht, Graf Luigi Ferdinand marsigli (1658-1730), në një promemorie, drejtuar mbretit Leopoldit I, më 1 prill 1690 për Shqipërinë dhe kelmendasit thekson se, "Pikolomini bëri marrëveshje me Kelmendasit dhe me ata që jetonin në Rozhajë dhe përrreth saj" dhe, se "Kelmedasit jetojnë në Shqipërinë Turke". "Ata - vazhdon marsigli - shtrihen nga afersija e Prishtinës, në Pejë e Plavë deri në Shkodër". Këtë me siguri e thotë për arsye se Kelmendasit kanë qenë të shpërndarë edhe në këto vende, së paku në rrethin e Pejës. Për një shtrirje të ngjashme na flet edhe harta venedikase e Giovanni Giacomo Rossi-t, e vitit 1689 ku shihet qartë se territori i këtij fisi është i shtrirë deri në Hercegovinë. Graf marsigli, këtë e shkruan për të treguar rëndësinë e madhe që kishte ky fis. marsigli, i cili gëzonte një autoritet të madh në shtabin e perandorisë austro-hungareze, nuk mund të ishte i keqinformuar, gjë që e pohon edhe Rajko Vaselinoviq.

Në vitin 1700, për t'i mposhtur kelmendasit, Porta e Lartë angazhoi pashain e Pejës dhe të Dukagjinit, Hodoverd Mahmutbegun, i cili me dredhi dhe pará depërtoi në drejtim të Ulqinit dhe Tivarit, pasi nënshtroi Malësinë e Madhe. Sipas relacionit të vitit 1702 dërguar Selisë së Shenjte nga arqipeshkvi Shkupit, Pjetër Karagaqit, kelmendasit, pas një rezistence të spikatur, nga dhuna e madhe 274 familje u detyruan të shpërngulen dhe të vendosen në rrethin e Novi Pazarit, në Peshtër, Rozhajë dhe Rugovë. Kështu, vazhdoi shpërngulja pakthim, tashmë masovike e kelmendasve e cila kishte filluar më parë, që në vitet 1661, 1667, 1669 në grupe të vogla për në Plavë e Guci. Për gjendjen e tyre të mjerë ekonomike dhe fetare, më së miri njoftoi Arqipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviqi (1701-1712) në letrat e tij baritore dërguar Selisë së Shejtë që nga viti 1702 e tutje,. i cili tashmë i kishte marrë nën kujdesin e vet atëror.

Gjatë luftës ruso-austriake kundër turqve (1735-1739), austriakët përsëri u përpoqën si shumëherë më parë ta çlirojnë Balkanin nga hordhitë turke dhe arritën madje deri në brendësi të Serbisë, ku më 28 korrik 1737, pa luftë, morën Nishin dhe Novi Pazari. Patriarku serb i Pejës Arsenije IV. Shakabenda, arqipeshkvi i Shkupit Mëhill Suma, ai Ohrit Joasaf, hynë në bisedime të fshehta me Vjenën, për të organizuar një kryengritje. Kelmedasit, së bashku me fiset e tjera të Malësisë, me këtë rast i dhanë një mbështetje të fortë këtij organizimi. Në anën tjetër, shtabi perandorak u kishte premtuar shqiptarëve se në rast të vendosjes së paqës dhe nëse rajonet e tyre nuk çliroheshi nga sundimi turk, malësorët do të mund të emigronin në rajonet perandorake, d.m.th. në brendësi të Serbisë. Por, fatkeqësisht, shkatërrimi ndodhi më shpejt se sa kelmendasit dhe kryengritësit e tjerë kishin imagjinuar. Kështu, austriaket u detyruan të zbrapseshin e të hiqnin dorë edhe nga Prishtina. Me 24 gusht ra Novi Pazari, ku kishin përparuar 200 kelmendas, 200 nga Hoti e 100 nga Gruda. Kryengritësve shqiptarë dhe serbë, së bashku me trupat austriake nën komanden e kolonelit Lentulus, iu desh të tërhiqeshin për në Kryshevc47). Pas këtij dështimi më 4 tetor kelmendasit dërguan një përfaqësues në shtabin austriak tek feldmarshali Sekendorf për të kërkuar si mjet shpëtimi, emigrimin në Banat-Vojvodinë. Kështu, në nëntor të vitit 1737, një grup i madh i këtij fisi, së bashku me disa nga fiset të tjera të Malësisë së Madhe, rreth 4000 vetë, u dërguan në rajonet e Rudnikut, Nishit, Mitrovicës, Sremit, Karlovcit. Në vitin 1738, për shkak të sulmeve barbare turke në Valjevë, u masakruan dhe robëruan 3000 shqiptarë dhe serbë. Kjo bëri që disa nga malësorët të kthehen në trevat e veta të okupuara, një grup t'i bashkangjitej ushtrisë austrohungareze, kurse një pjesë tjetër të mbetet në Serbi, ku më vonë në vitet 1749-55 u përqëndruan në banim të përhershëm në fshatrat Hritkovci, Nikinci dhe Jarak. Në këto vende kelmendasit qëndruan dhe ruajten deri në gjysmën e dytë të shek. 19 gjuhën dhe etninë e tyre. Megjithe ambientin orthodoks serb përreth, ata mbetën katolikë. Sipas regjistrimit të vitit 1900 këto fshatra numëronin 4438 banorë shqiptarë, kurse sipas një kronike në vitin 1921, në Hritkovc flisnin akoma 5 vetë shqip dhe në Nikince vetëm 4 vetë. Por në këtë popullatë tashme të sllavizuar edhe sot e kësaj dite mbetet e pashlyer vetëdija e origjinës. Kelmedasit që mbeten në Shqipëri nga viti 1737, (bëhët fjalë për më shumë se gjysmen e fisit) vazhduan revoltën kundër turqve edhe pas tërheqjes së austriakëve, ashtu si dhe fiset e tjera kodrinore. Ekspedita ndëshkimi për nënshtrimin e kelmendasve u zhvilluan edhe në vitet 1739, të udhëhequra nga Ibrahim pasha i Trebinjës, dhe në vitin 1740, nga Sulejman Pasha i Shkodrës, i cili kishte superioritetin absolut, por nuk e përjetoi gjatë këtë sukses, sepse po në këtë vit vdiq). Gjatë luftës austro-ruse me turqit 1787-1792, ku merrnin pjesë edhe malazezët, me përjashtim të Piperit, fisi i Kelmendit nuk i mbeshteti. Kjo mospërfshirje erdhi vetëm nga antagonizmi i tyre kundrejt malazezve. Këta, së bashku më banorët e Kuçit, me të cilët pothuajse gjithmonë qëndronin së bashku, kësaj herë qëndruan në anën e Mahmut Pashë Bushatliut, i cili duke manovruar mes Austrisë e Rusisë, donte të krijonte një pozicion të pavarur kundrejt Portës. Në kohën e Rilindjes Kombëtare, në mesin e atyre burrave të Malësisë së Madhe të cilët moren pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, ishte dhe seljani Ujke Gila, si vëlla më i madhi i katër bajraqeve që kishte Kelmendi: Selca, Vukli,Nikçi dhe Boga. Sidomos gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare, kelmendasit ishin nga ato fise që u ngriten kundër dhënies së territoreve shqiptare, Malit të Zi. Të fuqishme ishin edhe protestat e tyre kundër të ashtuquajturit kompromisi "Corti" mbi shkëmbimin e territoreve.

Më 24 mars të vitit 1911, Turgut Pasha, komandanti i ekspeditës turke kundër kryengritësve malësorë, shpalli tradhtarë disa prej burrave më të nderuar të Malësisë së Madhe. Në mesin e tyre ishin edhe Fran e Mirash Pali, Lucë Mark Gjeloshi nga Selca. Por e gjithë kjo, si dhe shumë kercënime e vrasje të tjera që iu bënë këtij fisi nga pushtuesit, nuk i zbrapsen këta trima që të marrin pjesë në gëzimin shumë të pritur, krah për krah me Hot, Grudë Kastrat, Shkrel e Shalë në majën e Bratilës së Deçiqit, më 6 prill 1911, ku me urdhërin e trimit legjendar Dedë Gjo' Luli, Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjetër Zefi ngriten flamurin kombëtar shqiptar. Kelmendasit nuk mbetën prapa as në Kuvendin e Gërçes, i cili u mbajt më 10-23 qershor të 1911, në kulmin e kryengritjes së Malësis së Madhe, duke dërguar si përfaqesues të vetin Lule Rapuken nga Vukli, Col Dedën nga Selca, Llesh Gjergjin, bajrakatarin e Nikçit. E kështu, malësorët kelmendas, tashmë, luftë pas lufte ishin të molisur dhe të shperndarë. Numri i tyre në vendlindje në vitin 1916 ishte: Selca 852 banorë, Vukli 712, Nikçi 685, Boga 228, gjithsejt 2475 banorë.

Po kaq e rëndësishme në historinë e ketij fisi ishte koha kur nga shtetet fqinje bënë përpjekje si shumë herë më parë t'i zaptonin trojet tona. Kështu Kelmendi, përkatësisht paria e Bogës së bashku me fiset e tjera, më 2 korrik 1919 nënshkruan Memorandumin që do t'i dërgohej Konferencës së Paqës në Paris, ku shprehën qartë kundërshtimet për cungimin e trojeve stërgjyshore. Po kështu, këtë pakënaqësi e shprehën së bashku me malësorë të tjerë edhe me grykën e pushkëve në vitin 1920, duke i dëbuar ushtritë grabitqare serbo-malazeze nga këto vise njëherë e përgjithmonë.

18C245FE-CCF6-411F-A3AA-5957D6E0E9F6.jpeg
 
O plak une jam krasniq per vete
 
Komunizmi dhe fisi​

Më në fund, pas marrjes së pushtetit në Shqiperi nga forcat komuniste në vitin 1944, për Malësinë e Madhe si një zonë atdhetare, liridashëse dhe fetare, nisi një epokë e re e vërtetë zie e ideuar prej forcash qartësisht antishqiptarëve Kështu, më 27 dhjetor 1944, në fshatin Ivanaj të Bajzës, burrat e mbledhur në shtëpinë e Gjokë Tomë Kokajt, bënë besëlidhjen e tyre për dalzotje kundër komunizmit të kuq, të cilin në Shqipëri e kishin sjellë agjentët sllavë. E gjithe Malësia pothuajse u ngrit në këmbë dhe u organizua për rezistencë. Kështu Kelmendit i printe seljani, Prekë Cali, i cili më 1 janar të po këtij viti, mblodhi të tri bajraqet e veta: Selcë, Nikç e Vukel, dhe me 150 burra zuri vend në bregun e djathtë të Urës së Tamarës. Për rreth një muaj, ai ndaloi hovin e e të ashtuquajturës brigadë e parë partizane shqiptare, e cila, së bashku me forcat aleate komuniste serbo-malazezë, dëshironin ta pushtonin pendën e hekurt të racës shqiptare - Malësinë. Por trimat malësorë të zbathur e të zhveshur, pa ngrënë e pa pirë, pa armatimin e duhur, nuk mundën t'i bënin ballë gjatë, betejave të hordhive të kuqe prosllave. Kështu, pas betejës së përgjakshme të janarit të vitit 1945 te Ura e Rrjollit ku morën pjesë trimat e Kastratit, të Hotit, Shkrelit dhe Bajzës65) etj, e ku malësorët pësuan disfata të renda, për ta filloi një kalvar i ri ku me qindra u pushkatuan me gjyq e pa gjyq, nga Kopliku, Bajza deri ne majat e Vermoshit. Si shenjë hakmarrje për t'i gjunjëzuar deri në fund malësorët, po këtë vit, në Shkodër, pikërisht në Zall të Kirit u pushkatuar trimi i Kelmendit burri 78 vjeçar Prekë Cali. Sipas raportit të shefit së Mbrojtjes Shkodrës, Zoi Themeli, gjatë kësaj vale, 44 Kelmendas u vranë, 21 u plagosën, 3 të tjerë u pushkatuan, sepse qenë bashkëpunëtorë të Prekë Calit; 34 shtëpi u dogjen. Pra, ky fis kësaj here u dogj nga vetë shqiptarët66). Në fund të bie në sy se, ne vitin e pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Kelmendi tashmë numëronte 2.475 frymë, dhe se 3% kishin pranuar islamizimin. Më se shumti ndër vllaznitë kelmendase u islamizue Nikçi, deri në 10 %.. Kundrejt atyre luftrave të përgjakshme pesëshekullore, dhe presioneve të ndryshme: tatimeve të mëdha, dërshirmes-jeniçerizmit, marrjes skllevër, torturave çnjerëzore, likuidimeve fizike etj, ky fis, si dhe fiset e tjera shqiptare edhe pse të dërmuar, arritën te mbijetonin, ndokush më pak e ndokush më shumë, duke ruajtur etninë e pastër, fenë stregjyshore, e cila kombit i dha dritë e jetë. Në fund, themi se fisi i Kelmendit si një gjymtyrë e rëndesishme e popullit tonë me një organizim dhe vet flijim të mahnitshëm gjatë tërë të se kaluarës, edhe kundrejt demtimëve te popullatës qe pati, luftoi dhe rreshtoi fitorët të panumërta duke ndërkombëtarizuar edhe më shumë çeshtjen tonë dhe duke i treguar qeverisë osmane si dhe fuqive ballkanike se trojet e stërgjysherve dhe etnia do të ruhen me çmim jete si sytë e ballit.
 
Bjeshkët e Kelmendit​

Kelmendi ka pasur bjeshkët e veta ne Bjeshkët e Nëmura, rreth Plavës e Gucisë mbi Deçan, mbi Pejë, mbi Andrijevicë e mbi Beran, Hoti, Gruda, Kastrati, Shkreli, Trijeshi e Koja, për eka dihet, nuk kanë pasur hise por në paste dalë kush për hatriee. Kjo pjesë tjetër e Malësise ka pasur bjeshkët e veta : Hoti ka dalë ne Veleeik, të ndare në hise të ndryshme ngastra), sipas bajraqeve : Brushtulla, Kopita, Gropa e Ahit, Shtjerri, Bjezhgazhi, Lugu i Shakujve, Mala e Pshises etj. Gruda pa pasur Jeshnicen mbi Vermosh, por duke u vrarë me fqinjet i është dashur te shesin Bjeshkën për te paguar gjaqet, kështu që ka mbetur pa bjeshke. Në kohën e sotme, pra, e vetmja njësi Bajraku, Gruda, nuk ka Bjeshke.
Kastrati bjeshkën e vet e ka pasur në Veleeik, te ndare sipas bajraqeve : Drugomir, Fushe e Zezë, Krenashdol e Lqeth. Edhe Shkreli ka pasur bjeshkët e veta mbi Shkrel nga Lindja, nder të tjera, me ze Korrila e Shkrelit, si dhe kah Veleeiku-Vrithin, Rranxat e Vrithit dhe Troshanet e Vrithit, por do pasur parasysh se qëkur i ra Hoti përmes kufirit, kësaj anë iu keput edhe Bjeshka ne Veleeik, kështu që Traboini e Drumja kanë për bjeshke Eemerin, Bukuviqin kah Tebanat e Vuksanas. Për t'u furnizua me ujë kanë pasur Gezojt shpelle 20 m e thelle ku përmes shkallesh te gurta i afroheshin ujit për t'u furnizuar. Edhe Korita dikur ka qenë e Hotit, por ja hoqën dorë. E Hotit ka qenë edhe Smutigorja e vellezerve Gjelae (Gjelajve) përmbi Vermosh, por mbeti pa te, sepse, edhe sot shihen vorret e Hotjaneve ne ato brigje: burra, gra, fëmijë te mbytur, e pra qysh atëherë Hoti nuk ka dalë me ne ato bjeshke. Në baze të kallëzimeve të burrave të moshuar te Shkrelit, paraqitja e bjeshkëve të kësaj pjesë të Malësisë së Madhe, ka qenë :
  • 1. Zagora : Një pjesë te Fushe-Zezes dhe pjesën e Draganit.
  • 2. Vrithi : Troshanin, një pjesë Fushe-Zezë në Glecan Graban.
  • 3. Dedajt : Brushkullin dhe një pjesë te Koriles.
  • 4. Bzhezh Eek Dedajt : Korile, Gryke Lugje, Negovan.
  • 5. Xhajet : Draganine.
  • 6. Ducajt : Kamshallin dhe Breg-Beqen e pak Gryke - Lugje.
  • 7. majat : Mshitel e pak Gryke-Lugje.
Gruda deri diku e ka zëvendësuar bjeshkën, që nuk e ka pasur, me freskinë e njomësinë e Lumit Cem që e përshkon përmes Grudën. Shumë shtepi të Grudës janë ulur ne Lug te Cemit e kanë kalur pjesën më të nxehte të verës.
 
HISTORITË E PAVDEKSHME TË BACËS SË KELMENDIT PREKË PJETËR CALI (1872 – 1945)​

Ushtarë shqiptarë, burimi: Londër 1809
“Pusho kangën o zogu i malit,
Se po të dëgjon Memi i Smajlit”
shprehje malaziase
Nga Klajd KAPINOVA, Nju Jork (SHBA)
Në afërsi të Lezhës dhe jo larg Shkodrës, në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit) në një shtëpi të thjeshtë malësore babait Pjetër e nënës kreshnike Rudes, u lindi fëmija i parë “familjari bujar, piramida e kufirit shqiptar, krenarie e Këlmendit dhe e Malësisë së Madhe, atdhetari i zjarrtë, Martiri i Demokracisë: Prek Pjetri (Cali) Hasanaj.” (Pjetër Kola Lajçaj, ‘Kumtesë mbi monografinë e Prek Calit’, Revista KUVENDI, E përmuajshme kombëtare, informative dhe kulturore, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 65 – 73).
Familja e re Cali (Hasanaj – Selmanaj), kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërat e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, moshën 21 – vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën. Motra e vetme e Prekës, Lula, u martua, kur u rrit në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin.
Prekë Cali, si fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend. Bjeshkët e këtij fisi, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve. Kësisoj, të parët e fisit, sikurse ishin edhe trimat e anashkaluar në histori, si: Memi i Smajlit, Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), Dedë Shabani, Dul Doshi dhe djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., të cilët, gjithnjë janë përleshur flakë për flakë me synimet shoviniste të kuçasve malazias. Ata me përkrahjen e Perandorisë Ruse, kërkonin të gllabëronin tokat arbërore si Vermoshin, Vuklin e Nikçin, sëbashku me bjeshkët e tyre të përmendura…
Preka nga shtati ishte shumë i gjatë e i pashëm. Ata që e kanë njohur nga afër thonë, se kishte shpatulla shumë të gjëra, kraharor të zhvilluar, trup vigan plo enërgji, fisnik në shpirt, i matur në fjalë dhe veprime, gojëtar i pashoq, në kuvende e oda burrash. Pushkën e kishte një shok të pandarë, që nuk e hiqte asnjëherë nga dora. I pëlqente të vishej me rrobat tradicionale të malësorit çakshirë, xhamadan, jelek dhe kapic të bardhë mbi flokë, alltinë turke dhjetshe të veshur me argjend në brez dhe një grumbull vargjesh të argjentë varur.
Tek Preka, mbi të gjitha spikatën virtytet pozitive tradicionale të malësorëve, të cilat i reflektoi në marrëdhëniet e përditshme mes miqve e shokëve. Deri në moshën 30 –vjeçare asnjëherë nuk synonte të dilte përpara vojvodëve dhe as krerëve të tjerë, që ishin më të moshuar se ai. Kjo është një edukatë e vlerë fisnike e malësorëve tanë, e transmetuar brez pas brezi në oda e kuvende burrash.
Ishte zemërbutë dhe i afër për miq e dashmirë të vet dhe të atdheut. Luan i vërtetë në fushën e betejës. Gjithmonë i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku dërdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta të atdheut.
Studiuesi dhe bashkëluftëtari Marash Mali, kujton: “Ucë Turku, bisedonte shumë herësh në veçanti me Prekën. Ai kishte krijuar përshtypjen se ai kishte shumë cilësi, pothuaj të rralla, që e naltësonin dhe nderonin përsonin e tij në të ardhmen, sidomos për çashtjet patriotike, por asnjiherë nuk ia thonte këto.”
Ai ishte i martuar dy herë, me gruan e parë Dranden jetoj shumë pak, sepse ajo vdiq e re, nga sëmdja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç.
Kurse nga martesa e dytë me Pashë Prekën, nuk pati fëmijë. Sikurse dihet Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës. Pas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake. Pashka, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit Gjystja, ishte mbesa e Prekë Calit, ku, qëndroj për shumë vite deri sa mbylli sytë në fund të viteve ’60.
Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Europës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania).
Marash Mali, sot i moshuar me banim në Florida (USA), sërisht kujton vendosmërinë e Prekës për çështjen e kufijve, duke iu dretjuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, Native American i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të Native American i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe…Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë!
Njeni nga të Komisionit tha: – “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur: – “Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fiqnjët.”
Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit jugosllav. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nik Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.”
Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën, mbasi e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan:
“****, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive europiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prekë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë. Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prekë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas këtij dokumenti, Prekë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili besonte Prekë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.” (Spathari, f. 93).
E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës. Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur ‘tabe’, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder – Atdhe – Besë e Fe”.
“Lidhja e Shkodrës”, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat pas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike. E gjithë programi konkret nga fraza e parë dhe deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës deri në fund ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës kishte marrë dhen si epidemi, e po synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë.
Pjetër Smajlaj, sjellë nga kujtesa episode, që i ka rrëfyer babai Kolë Pjetër Smajlaj me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen e tyre bujare. Preka, gjithnjë ka qenë i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet e qendisura me kujdes nga vendasit. Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk. Mendimi i tij visar, përparimtar e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjik të shëndosh në bashkbisedimet me të huajt e bashkatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë.
Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normat ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga ‘Kanuni i Lek Dukagjinit’. Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që pas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467 – 1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke. Ky ligj (Kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat rajoni malor është qeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt në pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës…
Preka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Ende sot, flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar. Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire.
Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale ‘Shqipëria etnike’ (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja.
Edhe sot, ekziston shprehja malaziase, për stërgjyshërit e Prekë Calit: “Pusho kangën o zogu i malit/Se po të dëgjon Memi i Smajlit”. Dhe është Prekë Cali, që ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona.
Ishte ai, dhe vetëm Prekë Cali, që apeloi vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Terthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi. Prandaj, 820 partizanëve sllavo – serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria.
Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo – sllavët, u larguan pa kryet e Prekë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.”
Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Mbretit Ahmet Zogu, ai herë pas here bën kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin, pranë organizatave ndërnacionale. Në këtë kohë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ai ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe. Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, Prekën me disa të tjerë i internuan burgun e kalasë së Gjirokastrës.
“Lirimi i Prekës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70)
Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895 –1961), rishikoj vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit.
Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut.
Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht.
Qysh kur dy burrat e njohur i shtrenguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se:
“ – Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marr me politik dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo?
– Jo, iu përgjigj Preka, vetëm me politik as nuk jam marr as nuk merrem!
– Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I.
– Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam ken kundër shqiptarve. Un kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.”
Pas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prekë Calin Kapiten Rezervë. Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas naganin me dorezë të bardh me nënshkrimin: “Ahmet Zogu I”.
Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë Sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash. Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav.
Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv.
Studiuesi malësor 85 – vjeçar Marash Kolë Mali (1920), ish – burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri (një familje e njohur vojvod në Dedaj të Shkrelit, shënimi im K.K.), në librin e fundit shkruar në Florida, Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare, rikujton:
“U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malsisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mulo Bajraktarit, i cili ishte komandant i vullnetarve të Malsis asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët qendrën e tyne e kishin në Reç (mbi Koplik të Sipërm, shënimi im K.K.). Çun Junuzi, asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit.
Mbasi folën Mulo Bajraktari e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegat në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shënimi im K.K.) fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo – gjerman, pra Boshti po e humb luftën. Ne nuk duhet të kemi tjetër mbeshtetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleat, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbshtemi që tani fituesve? Unë them se po!”.
Ndërsa Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lan ne sherrin tek dera e shpisë?!” Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila po përfundonte pa asnji vendim.
I fundi, që e mori fjalën ishte Prek Cali, i cili me nji za të naltë e të shqerrun tha: “Ai djaloshi i Reçit, foli e deshi të na tregoj, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën. Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje i paskena prue sherrin te dera e shpisë. Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kan zanë vend këtu afër. Mua më duket, se sikur po rrim duarkryq ose në gjum, pa marrë asnji vendim. Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojm këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nqoftëse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën e do t’i dëboj prej Rranxave të Malsis!…” (Mali, f. 340).
Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 26 – vjeçar Mirash Fran Rrukaj, kur morën vesh, se një batalion me ushtar partizan, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritat në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës.
Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.” Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensiven. Për shumë kohë gjamët e pushkve ushtonin. Armët e Kelmendit pritën e thyen partizanët. Komandanti që kishte disa spijuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shpin e tyne dhe kështu luftimet vijun panderpremje. Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdek të gjithë. Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani me banim në Florida Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave” (Shtëpia Botuese Camaj – Pipa, Shkodër, 2001, f. 51)
Kryepatrioti, ishte infomuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit. Atdhetari ballist Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të kishës.
Sipas urdhërit (të firmosur nga terroristi “hero i popullit” Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës së I – rë (nga Shtabi i Korparatës së III – të) Batalioni i I – rë u nis në drejtim të Kelmendit. Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes kishës së Kastratit. Kryengritësit sulmuan batalionin, e arritën t’a shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prekë Calit.
Forcat e batalionit të ndjekjes, bashkë me forcat e poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes.
Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një poetencial i madh besë e burrërie në Malësinë e Madhe. Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit e të ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë.
Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në këto përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori ate dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vertik Bajzës. Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin dhe ishin hedhur në kundërsulm. Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku. Gjaku i tij do të shenjtërorente besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq pas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj.
Kryengritësit me në krye Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e kishës së Bajzës, ku, frati At Ciril Cani rreh kumbonën e kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjelles së djallit të kuq. Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më pas krejt qytetin. Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, pasi iu morën armët. (Butka, f. 19)
“Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj – Bzhete), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë. Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.” (Franz Llesh Grishaj, ‘Shkreli dhe roli i tij në Kryengritjen Antikomuniste e Malësisë së Madhe të vitit 1945, Revista KUVENDI, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 24 – 49).
I sigurtë në “historit” e veta, përfaqsuesi e historishkruesi komunist ushtaraku Ndriçim Plasari, në librin me trillime: Shpresë për popullin, tmerr për armikun (Tiranë, 1971), kushtuar Brigadës I – rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet shkruan: “… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë.
Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur foecën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë.
Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat. Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio.
Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru. Që andej qëllonin në drejtim të qerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur. Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reakionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh…
Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Preng Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300 – 400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcat e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje. Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje. Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…” (Plasari, f. 566 – 567)
Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta. Malësorët kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari bënin një luftëe mbarojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.
“Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prek Calit. Mark Luka dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave. Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorzuem me një kusht, që të vinte Frati i Vuklit, kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë. Dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen ke shtabi i batalionit, në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin:
– E, Prekë Cali, – i tha Mehmeti, – të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?
– Zotni, – iu përgjigj Prekë Cali, – faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16)
Preka e besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Kelmendit, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamez sllav. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinën e Kelmendit.
Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundërmalësorë e kundërkatolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati.
Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu, si bir kleriku muhamedan, e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i hienave të kuqe ishte i befasishëm. Nga Gryka e Grabonit dy toga me “druzhe” (shok) sllavoserb, marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë.
Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945 përfundimisht pushtojnë Vuklin.
Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve i lidhën me konop njëri pas tjetrit, duke i shtyrë, ndonëse ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Më pas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, pasi pjesa më e madhe e tyre qëndruan aty, për të filluar terrorizimin e tërë Kelmendit.
Ata që janë dëshmitar të kësaj poshtërsie të pashembullt, e kanë parë me sytë e tyre, provuar mbi shpinën e vuajtur tërë torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit i lidhën pas kalit dhe ashtu nën tortur, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurt.
Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar gjyqit ushtarak, i cili i dënoi me pushkatim. Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdh gjak malësori shqiptar. Ata si të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj.
“Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armsh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Prek Cali asht dorëzu e pritet t’a binin para Postës. U shihnin grupe individësh. Dikush në heshtje e të tjerë shakllabana që banin komente. Pas disa kohe u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty ku populli të mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë.
Ishin pikrisht këto komente që banin njerzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e sternipave ilirian. Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkve të Kelmendit, ku mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali. Disa fundrrina komunist filluan t’i pshtynin e përbuznin ashtu të lidhun. Kjo pamje e shemtum ma prekte shpirtin. Edhe unë, si kureshtarët që erdhen duke u shtu rrinim të ngrim në heshtje me keqardhje, që vriste me logjiken e përbuzjes ndaj masakruesve të burrit vigan kelmendas, që shikonte se ku po shkonte qyteti i tyne i dashtun Shkodra, e cila pretendonte se ishte qyteti ma i zhvillum në Shqipni…
Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit. Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit. Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij.
“Unë jam këtu, – u shpreh Prek Cali – ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malcor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” (Pikolini, f. 55)
Por këta, ndonëse përdoren barbarinë komuniste, nuk arritën me tutë (friksu) dhe mposht krenarinë e Malësisë. Malësori e pagoi, por kurrë nuk trathtoi truallin e shtëpisë së vet, duke mbrojtur lirinë nga ofensiva komuniste asokohe.
Me shumë urretje, se nuk mundën të kapnin luftëtarët nacionalistë të lirisë, forcat terroriste partizane: “… banë nji kërdi të zezë, tue torturue deri edhe gra e fëmi. Ata mashkuj apo luftëtar, që gjendeshin në shtëpi i arrestonin, u digjnin shtëpitë, u merrnin pasuninë, ndersa familjet (e luftëtarëve në arrati) tyne i internonin në krahinat e vendit…
Edhe Preka, me nji çetë luftarësh trima e besnik, vendosi e u ngujua në nji shpell, që ishte mjaft e ilzolueme e i përngjante nji fortese të vogël, me nji shprese fare të vogël, se mund të bante si dikur Kelmendi me ushtrin turke, të cilët zinin vende në ndonji luginë ose bregore, duke mos i ndjekur kryengritësit nëpër male.
Me partizanët, ndodhi e kundërta: Ata i ndoqen çetat kamba kambës dhe kur u mirëinformuan, se ku ishin i rrethuan dhe i derguan njerëz për t’u marrë vesht me ta At David Picin, i cili, u tregoi se ishin të rrethum dhe se partizanët kërkonin të dorëzohen pa pushkë. Prek Cali nuk i trembej vdekjes, por ai mendoj, se nji vdekje me gjyqe, asht ma krenare për t’u njoh nga publiku, se për çka e si do të dënohen…
Nga ana e tjetër, Preka kishte disa djem të rinj (Sipas tregimeve të Fritz Radovanit dhe Don Tomë Laca, kujtoj, se Preka, ka pas me vete në shpellë, një djalë të ri që ishte i vëtëm (dëshire) në familje, dhe komunistët i kanë thanë atij, se do t’ia falim jetën djaloshit të ri. Por në fakt, kur janë dorëzuar, duke i prerë në besë kanë vrarë (pushkatuar) të parin atë djalë dëshire, shënimi im K.K.), që nuk donte të rrezikohen, sikur ky të bante rezistencë me armë. Prandaj, u kërkoj partizanve, nëpërmjet Fratit disa kushte:
– Meqë udhëtimi do të bahej me ecje në këmb nëpër Kelmend, të lejohen të kalojnë të armatosun;
– Të mos i cënojnë (keqtrajtoj) kush me dorë;
– Gjykata të bajnë punën e saj.
Këto kushte komunistët ia premtuen, por si zakonisht nuk i mbajtën. Ata porsa kaluen nji copë rrugë të shoqnuem e të rrethuem me shumë partizan, i çarmatosën u lidhën duart, i ulën drejt e në Koplik, ndërsa ne e nesre në qytetin e Shkodrës, në të ashtequjtunin Burgu Gjerman…
Prek Cali asokohe 70 vjeç, ishte i burgosun në nji dhomë më vete e kur të burgosunit ndryheshin në dhoma, ate e nxirrnin dhe shëtiste i vetëm. Ai kishte nji tjetër trajtim prej të burgosurve të tjerë.” (Mali, f. 341)
Në mjedisin e Fushë Çelës, trimin legjendar, e ka rruar pa i njomur mjekrën me pastë rroje një partizane, që shihte nga afër stoicizmin. Skenat e dhunës ndaj Prekë Calit janë të papërshkruar, e ndoshta Shekspiri i madh anglez, do të ishte i pafuqishëm nga fantazia e torturave që kanë përdorur këta.
Preka, ka qenë i bindur se do ta vrasin, por është prerë në besë nga komunistët, të cilët i kanë prmetuar në fillim, se do t’ia falin jetën djaloshit të ri, që ende sot nuk kam mundur që t’i mësoj emrin e mbiemrin, mbasi familja e tij tashmë është e shuar. Përpara momentit të pushkatimit, Prekën, e kanë mbështetur tek muri i Vorrezave Katolike të Rëmanit në qytetin e Shkodrës, të ulur ndjenjur me cigare në gojë (për tallje), i veshur me çakçirë dhe i prishur në fytyrë nga plumbat. Rrëfimin dhe vojimin kur është pushkatuar, ia ka bërë Don Tom Laca.
Atë ditë më 25 mars të vitit 1945, në muret e qytetit të Shkodrës u shpërnda një afishe e madhe e cila kishte këtë titull: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, ku, më pas vijojnë emrat:
  1. Prenk Cali
  2. Dom Ndre Zadeja
  3. Luigj Gjeto Kastrati
  4. Ndok Nik Bardhoku
  5. Ndrek Loka
  6. Arif Selim Hyseni
  7. Ded Lulash Smajli
  8. Gjok Nikaj
  9. Dul Bajrami
  10. Mark Luc Gjoni
  11. Tom Lek Daka
  12. Maliq Bajrami
  13. Gjok Nikoll Voci
  14. Pjetër Ded Gjedashi.
Studiuesi e publicisti Mërgim Korça, gjatë hulumtimeve për përgatitjen e dorëshkrimit: Në përkujtim të Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe, shkruan:
“Si sot e kam parasysh, kur e pruene duer lidhë n’shehët t’Shkodrës kreshnikun Prenk Calin! Ecte kryenaltë, me mjekër t’dendun aj, si me kenë fitues. Por shkjau, brateja e partizanve ngjallnjyes, ia kish n’vesh t’vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës Çelë, e ulne n’gjuj e nji partizane e ekzaltueme ia rroi mjekrrën pa lagë atij. Mjes gishtave t’duerve t’mija me t’cillat kishem mlue ftyrën, kureshtja m’bate me e pa si i shkojshin lotët kreshnikut qi za nuk xirrte dhimbet!
Kjo pamje e mbrame qi kam e prijsit maleve qi pat thye shkjetë n’luftimet e 1911 – ës e të 1913 – ës. Mbas kësaj veç kur ndjeva se e kishin denue me vdekje dhe me 25 mars njimij’ e nandëqind’ e katërdhet’ e pesë e kishin pushkatue Prenk Calin. Ksisoji komunistat shqyptarë e vrane animikun e betuem të shkjaut dhe e hapne rrugën m’u shkue uji n’mulli t’tyne!”
E më poshtë, qëndrimin stoik të Prekë Calit, e ilustron me një burim mnga arkivi:
“Në dokumenta arkivi figuron replika n’Rapsh t’ Hotit n’mjes t’lidhunit Prenk Calit edhe Mehmet Shehit, por ajo kurr nuk u ka ardhë për marë historianve lakej t’diktaturës t’a përmendshin…
I tha Mehmeti: “- E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne. Pse bëre kështu?”
I gjegjet trimi legjendar burrnisht:
“- Zotni, faji bjen mbi ju se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (Korça, f. 5, 6)
Por odiseja e të ngujuarve në shpellë, nuk do të përfundonte me dorëzimin e tyre. Të parët që u pushkatuan, ishin: Dedë Lulash Smajli dhe Dedë Gjon Deda, të cilit i kishin prerë me parë mishin dhe trupin me sopatë. Fran Zef Bajraktarit, ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë me gurët e malit. Luc Gjon Bajraktarin, e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktarin e groposën të gjallë, pasi i dogjën kullën. Marash Vat Lumajn, e pushkatuan para popullit të Vermoshit, si agjitator kundër bolshevizmit.
Dedë Prek Nikën, e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq, në mes të kelmendasve. Uk Mark Biku, u pushkatua në mes të katundit Brojë, për të ngjallur panik. Nik Mark Rezaj, i cili qëndroi 21 ditë i varur në burgun e Koplikut, u pushkatua përsëri pa gjyq. Gjelosh Fran Pellumbi, vdiq në burgun e Kavajës nga torturat çnjerëzore, me fjalëte fundit: Poshtë komunizmi! Pas një gjyqi në Shkodër, u dënua me vdekje kreshniku i Vermoshit, plaku 70 vjeçar Prek Cali. Ky gjyq, do të dënonte plot 25 vetë, nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. Kështu Kelmendi u përzhit dhe u ndeshkua përsëri. (Butka, f. 17 – 18)
Këto janë kelmendasit, që kishin të ruajtur në gene prej gjeneratave virtytet më të mira, si mikprirës e bujar, trima sypatrembur e atdhedashës, njerëz të besës e fetar. Ata e donin meshtarin si antarë të familjes, duke i besuar fjalën e nderit…
Malësia, humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra e u internuan 41 familje të shpallura reaksionare. Malësia, u vesh me petkun e zisë. Malësorët trima, denbabaden të patundur në trojet e tyre, u shpërngulën në kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia. (Butka, f. 21)
Në momentin, që do ta ekzekutonin toga e zezë e pushkatimit komunist, kërkojnë që të denuarit me pushkatim të kthehen mbara (me shpinë) dhe t’ua mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë fjalët:
“ – Nuk shkohet n’Parajsë me shpin dhe me sy t’mbyllun” dhe siç ishte duarlidhur, ngrehi kryet lart, hapi gjoksin, duke shkyer pullat e këmishës dhe u tha:
“ – Kështu vdes shqiptari”.
Para se të rrëzohej, ai trup si një lis, nga plumbat e shqiptarëve të armiqve të nacionit të vet, zëri i fuqishëm i malësorit të bjeshkëve, ushtroi si jehona e luginave:
“ – Rrnoft Shqipnia! Rrnoft populli shqiptar! Heret a vonë Shqipnia do të fitojë.” (Lajçaj, f. 70)
Do të pëlqente, që në shenj nderimi dhe respekti për gjakun e derdhur nga martirët nacionalistë në Shqipëri e Kosovë, të citoj pjesë nga poezie të jezuitit, përsonalitetit të shquar poetit brilant të nacionit Don Ndre Mjedja, shkruar në vitin 1911. E, mos i harroni këto vargje, …jo, kurrë mos i harroni!…
O Shqype, o zogjtë e malëvet, kallxoni
A shndritë rreze lirije mbi ato maje?
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë
Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund kah fluturoni
Nëpër shkrepa me ushtue kangën e saj…
U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja sjellë bregut;
Lirfim përgjigjen qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New York – u, syni i tregut.
Të lumtë, o Ëashington! U zhvillat qielli…
E ndjeu toka njatë shend e u gëzue si fëmija
Që i qeshet lokes kur ja rreshë krahnorit;…
Lirin’ e keni ju! Na hekra kemi.
Na terr e niegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emën kërkund, pa Atdhe; na jemi
Sherbtorët e të huejve nëpër vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona…
Frymë të re tui shprazun për gjithkahna, hija
E Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmënin ushtore,
E idhnim n’anmikun nëpër gji ju qisin.
E nalt ndër maje, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypja Arbënore.
 
edhe lexoj se jane te bukura ?
 
edhe lexoj se jane te bukura ?

Te jesh i sigurtë qe kam lexuar e me pare ....sepse me ka tërhequr nje artikull karagjorgjet e Kelmendit ....me pat bere pershtypje dhe aty fillova e kerkova dhe nga thenjet e babit tim sepse kishte nje kubare na ky fis .....
 
Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back