Edhe pse i paligjshëm Zvicra nis shitjen e kanabis nëpër farmaci si pjesë e një hulumtimi të ri!
Kanabisi po del në shitje në farmacitë në Zvicër si pjesë e hulumtimit të ri për rregullimin e drogës. Të stigmatizuar prej kohësh për përdorimin e tij të paligjshëm, shkencëtarët tani po shikojnë se si shitja legale e kanabisit ndikon në konsumin dhe shëndetin midis përdoruesve.
Studimi i ashtuquajtur “Weed Care” do t’u lejojë 370 pjesëmarrësve të blejnë ligjërisht produkte nga nëntë dispanseri në Bazel. Zyrtarët shëndetësorë shpresojnë se studimi, i cili do të fillojë më 15 shtator, do të trajtojë pyetjet politike në lidhje me rregullimin e mundshëm të kanabisit, i cili është i paligjshëm në Zvicër, me përjashtim të rasteve mjekësore.
“Pyetja e parë kërkimore është nëse konsumi ndryshon – nëse konsumohet më shumë, më pak apo e njëjta sasi”, tha Regine Steinauer, kreu i departamentit të varësisë në Universitetin e Bazelit. “Dhe ne po hetojmë gjithashtu nëse gjendja mendore apo shëndeti fizik ndryshon kur konsumohet kanabisi nga farmacitë”.
Pjesëmarrësit e hulumtimit zgjidhen nëse përdorin aktualisht kanabis dhe duhet të kryejnë anketa gjatë gjithë studimit 30-mujor. Ata mund të blejnë produkte të ndryshme kanabisi me 8 deri në 12 euro për gram – një çmim i përcaktuar nga norma aktuale në tregun e zi.
Por pjesëmarrësit duhet gjithashtu t’u përmbahen kufizimeve mujore se sa kanabis mund të blejnë. Lukas Engelberger, drejtor mjekësor për Bazelin, tha: “Nuk ka të bëjë me legalizimin e plotë – por rregullimin – ku konsumi është i mundur në një mjedis të mbrojtur. Kjo është ajo që ne duam të testojmë tani.”
Projekti u miratua nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) në prill. Katër lloje të ndryshme bari kanabisi dhe dy lloje hashashi do të jenë të disponueshme në farmaci, të cilat pjesëmarrësit e studimit mund t’i blejnë pasi të tregojnë kartat e tyre të identitetit.
Zyra shëndetësore e Zvicrës vlerëson se ka rreth 200,000 konsumatorë aktivë të kanabisit në vend, pavarësisht se droga është e paligjshme. Në vitin 2008, rreth 60% e votuesve zviceranë kundërshtuan një propozim për dekriminalizimin e konsumit të kanabisit në një referendum.
Edel Strazimiri / SCAN