E ndoqi dhe e sulmoi me thikë, pasi burri e tradhtonte me të/ Shqiptarja plagos bashkëatdhetaren në Greqi
Në prokurorinë e Selanikut është dërguar sot në mëngjes një 25-vjeçare shqiptare, e cila akuzohet se pasditen e së mërkurës ka goditur me thikë një 27-vjeçare edhe ajo nga Shqipëria, për arsye xhelozie.
E reja akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe pritet dëshmia e saj në hetuesi dhe prokurori.
Sipas informacioneve të policisë gjithçka ka ndodhur pasditen e së mërkurës rreth orës 19:00, në rrugën Ralli, në zonën e Pylaias në Selanik, kur 27-vjeçarja po shkonte në shtëpinë e saj.
25-vjeçarja e ka ndjekur, e ka sulmuar me thikë dhe e ka plagosur në bark dhe në shpatull.
E plagosura ka shkuar për ndihmë në shtëpinë e motrës së saj, në një rrugë aty pranë, ndërsa autorja e sulmit, nënë e dy fëmijëve të mitur, është pikasur në vendngjarje nga një patrullë policie, së cilës i ka rrëfyer aktin e saj, ndërsa i është gjetur edhe thika me të cilën ka kryer sulmin.
27-vjeçarja është dërguar menjëherë me autoambulancë në spitalin Papageorgiou, ku po trajtohet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmive të motrës së saj, 25-vjeçarja e ka sulmuar gruan duke i bërtitur se kishte marrëdhënie të paligjshme me bashkëshortin e saj.
“Motra kishte shumë dhimbje nga goditjet që mori me thikë dhe nuk fliste. Ajo u dërgua në spital me dy plagë me thikë në anën e majtë të barkut dhe një në shpatull, por fatmirësisht mësoj se është mirë”- ka thënë ajo.
Top Channel