Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Chat Shqip

Chati më i madh Shqipëtar Takohu.com

Futu në Chat !

  • PËRSHËNDETJE VIZITOR!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Anëtarët e rregjistruar kanë privilegjin të marrin pjesë në tema të ndryshme si dhe të komunikojnë me anëtarët e tjerë. Bëhu pjesë e forumit Netedy.com duke u REGJISTRUAR këtu ose nëse ke një llogari KYCU. Komunikim alternative i ketij forumi me vajza dhe djem nga te gjithe trevat shqiptare? Hyr ne: CHAT SHQIP.

Çfarë po ndodh me skraparllinjtë?

Nete2

ⓃⒺⓉⒺⒹⓎ.ⒸⓄⓂ
ANETAR ✓
Regjistruar më
Korrik 24, 2018
Mesazhe
4,221
Pëlqime
522
“Unë jam i pari, sepse jam nga Skrapari”

Ylli POLOVINA


Në vitet 1950-1960 të shekullit të shkuar nga Çorovoda drejt vijës hekurudhore, stacionit të Rogozhinës dhe në motet më pas të Lushnjës, nisej përditë një autobuz me udhëtarë që do të shkonin më tej, sidomos në Tiranë. Kur pas Beratit hynin në rrugën nacionale dhe ndeshnin me makina të tjera të cilat ecnin në të njëjtin drejtim, pasagjerë të rinj në moshë e grishnin shoferin e autobuzit që t’i kalonte në shpejtësi ato, duke thirrur pak a shumë: “Jemi i pari, sepse jemi nga Skrapari”.

Ju kujtohet se LSI fillimisht u formatua si një parti skraparllinjsh, rasti i parë i këtij lloji në historinë e shtetit tonë pas pavarësimit, por më vonë u shndërrua në parti nacionale. Gjithsesi ata që bënin shpoti me LSI, tre germat e saj i interpretonin si Lëvizja e Skraparllijve të Inatosur.

Një muaj më parë, më 25 korrik 2019, shtypi bëri të ditur se edhe Presidenti i Republikës në një bisedë televizive e kishte spikatur veten si “skraparlli”.

Të gjithë nga pak mburren me prejardhjen vendore të tyre, të qytetit, të krahinës apo të fshatit. Jo rrallë kjo dukuri shndërrohet nga krenari e ligjshme në shovinizëm lokal, pse jo edhe në ideologji. Ajo që mund të vihet re tani për tani është se skraparllinjtë kanë fituar gjithnjë e më shumë, çdo ditë e më tepër, terren dukjeje publike, protagonizëm. Në një farë mënyre ata kanë dalë prej territorit të ngushtë të krahinës së tyre të prapa Tomorit dhe ndodhen në një marrshim ngadhënjyes për t’u zgjeruar. Janë në ekspansion, me sa duket me synim rritjen e rolit kombëtar (Jam i pari, sepse jam nga Skrapari).

Kjo është një risi që duket sikur ngushton të tjerët, por nuk ngjason si e tillë. Në një shoqëri plot vitalitet një palë mund të gjejnë vend më të spikatur thjesht duke përcaktuar më mirë pozicionin e tyre. Ja pse kjo zhvendosje dukshmërie e skraparllinjve nuk i bën dëm Shqipërisë. Në këtë botë fati është me më të zotin, ndonjëherë edhe me më të fortin. Për t’i kuptuar më mirë këta bashkëkombës në shumëfishim po provojmë të bëjmë një shpjegim të idesë së mësipërme.



Cili është skraparlliu, tiparet e tij sulmuese

Jo çdo skraparlli i mbart cilësitë më të spikatura të kësaj popullsie lokale. Sipas autorit të këtyre rradhëve, një skraparlli nuk është kurrë person brutal, ca më pak i dhunshëm. Skraparlliu natyral, i vërteti, skraparlliu “bio”, origjinali, thjesht është sulmues. Ai nuk e mezishtyn veten përpara, por mësyn. Objektivi i tij: hapësira jetike, ajo që e mban mirë. Por ndërkaq, duke shkuar drejt hapësirave më të gjëra, skraparlliu nuk ka në kokë asnjë program shoven si për shëmbull do të ishte doktrina “Skrapari mbi të gjitha”. Askush nuk e ka dëgjuar një frazim të tillë.

Skraparlliu si rregull nuk vjedh. Komitllëku i tij historik, ndryshe prej disa krahinave të tjera kombëtare, ka qenë jo për kusarì, por për mbrojtje të lirisë së vetes dhe të fatit të njerësve të të tjerë, të të thjeshtëve. Skraparlliu e ka për pasion të jetë i pari në krahë të të pambrojturve dhe të ndihet prijës i tyre duke i ndihmuar. Vepron kështu edhe për një arsye të çiltër: ndihet edhe i rëndësishëm. Vetëndjerja i rëndësishëm është oksigjeni i banorit historik të Skraparit.

Saktësojmë: Skraparlliu bën prestigj me veprën bamirëse, jo me atë shtypëse dhe plaçkitëse.

Një bio-skraparlli nuk është kurrë gojëndyrë apo i rrëmujshëm, me kokën shtrirë nga kembët ose e anasjella, me këmbët mbi kaptinë. Një banor i krahinës ku emri i vjen prej fjalës shkrep (mali) e ka më të lehtë e më të dëshiruar të bëhet i pari si komandant, por jo si udhëheqës. Ai prin një çetë, pesë të tilla, por kurrë një armatë, një ekonomi të tërë, një territor të madh. Skraparlliu është plot instikte praktike, ai nuk ha me lugë më të madhe se goja. Kur ndonjëri prej tyre e bën këtë nuk gëzon simpatinë e tyre.

Bio-skraparlliu kërkon më së pari të bëjë histori dhe jo patjetër pasuri materiale. Historia për të është gjithçka, ajo i mban të gjallë, kurse kamja ia mpin instiktet, ia dhjamos. Pasuria e tepruar ia përgjum të mbijetuarit me kryelartësi të merituar. Skraparlliu synon të jetë i dalluar nga të tjerët, por jo i veçuar.

Bërja e historisë dhe jo e plaçkës është puna e tyre më e pëlqyer. Sepse e kanë këtë qëllim të palëkundur janë shumë të organizuar dhe veprojnë në mënyrë kompakte, si ushtri e lehtë në të lëvizur. Në këtë karakteristikë i ndihmon tradita dhe kultura e fisit, rregullat e tribusë, të cilat skraparllinjtë i modernizojnë duke ia përshtatur çdo zhvillimi të Shqipërisë. Edhe në këtë mijëvjeçar të tretë gjesti që skraparllinjve u jep gëzim të madh është organizimi i ritit të takimit dhe daljes së bashku në fotografi i të paktën tre brezave të fisit të tyre. Ndonjëherë bëhet fjalë për disa dyzina, një “kompani” e vërtetë.

Skraparllinjtë nuk janë popullsi sedentare, por shumë dinamike, lëvizëse. Ajo lëviz sepse di të integrohet atje ku do të shkojë, ndryshe nuk do të bënte asnjë çap. Këtu, në vendndodhjen e re, ajo shkon e rri afër qoshes, por, e theksojmë, nuk shtyn njeri. Zë vendin e lënë pakujdesshëm hapur. Skraparlliu e merr pushtetin nëpërmjet “rregullit”.

Ndërkohë janë edhe popullsi punëtore. Të qenë përtacë do të ushtronin përreth arrogancë mbytëse për mirëqënien e të tjerëve, çfarë ata nuk e duan. Skraparlliu e ka të çmuar lidhjen me njeriun, e ka kult. Ai të pret me gëzim në shtëpi, po ashtu edhe kur të jep një kafe në klub. Po të mos mbajë njerëz rreth e rrotull kush do ta dëgjonte skraparlliun e si do të ndihej i pari?

Ndërkohë që vetëpëlqehen si të parë, pra janë kryelartë, ata nuk e mbajnë hundën përpjetë. Studiuesi Petrit F. Zeneli, ndërsa kolonjarët i përshkruan si “më me ego, më pretendues për jetën, më ambiciozë dhe të panënshtrueshëm” se skraparllinjtë, të cilët i konsideron “më të thjeshtë, më të dashur e më të vojtur”, tregon edhe këtë hollësi. Sipas tij, në rast se një kolonjari hunda i bie përdhe ky nuk bën as gjestin për ta ngritur, kurse banori i Skraparit e merr nga toka dhe e vë në vendin e vet në fytyrë.

Skraparllinjtë “bio” prodhojnë, në të vërtetë, jo psikologji robërie, por lehtësi lirie. Kjo ndodh sepse ata për nga tradita e tyre historike, shekull pas shekulli, janë fshatarë të lirë, malësorë të pakushtëzuar nga pushtime të huaja, trysni që e ka pësuar masivisht fusha.

Skraparlliu nuk sundohet, ai vetësundohet.

Mendësia për të qenë të parët është lajtmotivi i jetës së tyre, projekti që duhet realizuar patjetër sa janë gjallë. Skraparlli në fund të rreshtit nuk ka. E megjithatë ai nuk bëhet fodull, ndoshta kapadai nga pak. Nuk bëhet fodull, sepse nuk është kokëbosh. Ai dëshiron të mësojë, të nxëjë. Skraparlliu është përthithës i përhershëm informacioni e dijesh. Po të jesh beratas, siç e ka origjinën autori i këtyre rradhëve, e di fare mirë se si gjatë viteve tridhjetë të shekullit të shkuar dhe po ashtu pas çlirimit të vendit, ata që nga ky qytet shërbyen si mësues në Skrapar, kanë përjetuar një dashuri magjike prej vendasve. Në këtë krahinë shkrepash katër muret përdhesë rë një shkolle të thjeshtë fillore shndërroheshin në pallat shumëkatësh kulture.

Bio-skraparlliu pëlqen të shkollohet, sepse tek ta libri përbën kult, është mik shtëpie, qoftë edhe vetëm një të jetë.

Ata dëshirojnë të marrin ngarkesë jete, jo të vërdallohen me duar në xhepa. Jetë të lehtë për ta s’ka. Duan peshë përgjegjësish, ndryshe nuk do të ndiheshin të nevojshëm dhe për rrjedhojë shumë të rëndësishëm. Përgjegjësinë si peshë reale dhe jo si gjoja, e duan sepse përveç se ambicie e kanë motiv, arsye ekzistence. Përgjegjësinë nuk e duan sepse kanë neps pushteti, por nga që zotërojnë kurajë dhe forcë shpirti të mjaftueshme për ta mbajtur.

Bio skraparlliu bën biseda me brendësi, jo të sipërfaqshme. Biseda (kuvëndimi), duke përfshirë edhe ritin e dollive, është shkolla diplomatike e tyre. Skraparlliu në bisedë nuk të mërzit dhe as të lodh. E çuditshme se si ka gjetur një pikë pajtimi mes dëshirës së tij që të jetë i pari dhe njëkohësisht të të trajtojë si një partner.

Skraparlliu “bio” zakonisht është gjakftohtë dhe pëlqen t’i hapë rrugë mirëkuptimit e jo përplasjes. Nuk e pëlqen sherrin. I rri larg sepse ai e ul dhe madje e poshtërron, i xhvesh dhe i varfëron personalitetin. Banori i Skraparit jeton më së pari për dinjitet.

Skraparlliu priret ndaj kompromiseve, llogarive vetiake ku i del më mirë. Por interesaxhi nuk mund ta quash, sepse nuk vë këtë motiv të parin. Nuk bëhet as servil për t’ja arritur një qëllimi. E di që lufta për pushtet kërkon që ta mbash kokën pa e përrulur.

Edhe pse prej qindra e qindra vitesh kanë jetuar në një reliev pothuaj thellësisht malor e mjaft të pjerrët, ata çuditërisht nuk janë shalgjatë. Shumica duken trupmezatarë dhe me shtat të hajthëm. Kur zhvendosen nga vendlindja kërkojnë territor me ajër të pastër dhe nuk e braktisin dietën e tyre të ushqimit bulmetor. Kështu, si të jenë austriakë, i kanë të rrallë obezët. Pamjet e tyre paraqesin përgjithësisht silueta elegante. Ja pse rroba u qëndron mirë në trup dhe pastërtia e teshave u bie menjëherë në sy.



Janë kolonë, por nuk kolonizojnë

Skraparllinjtë origjinalë, autentikë, kryecilësinë e tyre për të qenë të parët e manifestojnë kryesisht në raportet me pushtetin politik. Ai është adhurimi i tyre, kryepasioni. Edhe nëse janë të dalluar në profile të tjera, profesionalë, nuk e lënë mënjanë një kordon lidhjeje me politikën. Në rast se nuk bëhen dot të mirëpritur atje, atëherë i dalin kundër, bëhen kryengritës. Rëndësi ka që politika duhet ta dijë mirë se ata ekzistojnë.

Riza Cerova mbetet simboli më i parë i këtij “trazovaçi”. I shkolluar si ushtarak, pra me këtë veshje të pëlqyer shumë prej skraparllinjve, ai iu imponua historisë kombëtare dhe njërit ndër më të fuqishmëve pushtetmbajtës: Ahmet Zogut. Riza Cerova, nga që skraparllinjtë janë përpjekur ta mbajnë të tërin për vete dhe e kanë madhështuar vetëm si hero lokal, në mënyrën e vet ka qenë Çe Guevara shqiptar. Ai ishte eksportues i revolucionit socialist nëpër glob.

Ndërkohë skraparllinjtë kanë edhe një bashkëkrahinar të tyre me “Gines”: Ilir Metën, i cili u bë kryeministër 30 vjeç, 44 vjeç kryetar i Parlamentit dhe 48 President i Republikës. Marshimin e tij të pazakonshëm e ka kryer vetëm nga ushtrimi i punës së politikanit. Megjithatë më i përshtaturi mes dashjepolitikës dhe profesionit jashtë saj duket se është Kahreman Ylli. Më i zëshmi dhe origjinali, më i harruari në të njëjtën kohë, më i trajtuari padrejtësisht, mbetet Mestan Ujaniku, krijuesi i çetës së parë antifashiste shqiptare, kronologjikisht ndër të parat në Ballkan. Në të kundërt i arrituri në dhomat e larta të pushtetit politik pa bujë, si vetëm kryetruprojë dhe kameraman i familjes së Enver Hoxhës, ka qenë Sulo Gradeci.

Ndërkaq gazetari Bashkim Koçi duke spikatur lëvizshmërinë e madhe nëpër territor të skraparllinjve, shkruan: “Karakteristikë e tyre është se kudo ku janë vendosur, kanë krijuar kolonitë e tyre të pastërta, unike”. Siç e shihni ai i quan këto koloni homogjene.

Një mënyrë e tillë veprimi ka qenë ajo e grekëve të lashtë. Lëvizshmëria e tyre e jashtëzakonshme për të emigruar të patretur nëpër bashkësi të tjera popujsh, shkonte më tej: krijonte qytete të rinj. Përngjasimi në këtë rast nuk bëhet për t’i barazuar, sepse do të ishte teprim, por për të spikatur këtë karakteristikë të tyre shumë ndryshe nga popullsi krahinash të tjera shqiptare. Autorit të këtyre rradhëve i është krijuar perceptimi se në kombin tonë skraparllinjtë aktualisht janë popullsia lokale më “pushtuese”. Nuk krijojnë dot koloni (përveç ndonjë shoqate mezimbijetuese) as tiranasit, as durrsakët, as beratasit, as vlonjatët identitetfortë, madje as korçarët, bashkëkombësit më emigrues që kemi. Studiuesi me origjinë nga Myzeqeja, Jovan Jano, në një këndvështrim të tij për zhvendosjen e skraparllinjve nga viset e pas malit të Tomorit në vendlindjen e tij fushore, shkruan se ata e shndërruan Dushkun në një “Çorovodë të Myzeqesë”. Madje Bashkim Koçi e plotëson këtë pamje: “Nuk është rastësi që skraparllinjtë kanë krijuar “qytezat” e tyre në Dushk, Grabian e Çermë të Lushnjës; në Thumanë dhe Fushë-Krujë; në Sukth të Durrësit; në Uznovë e Otllakë të Beratit; në Portëz e Seman të Fierit; në Maliq e Lubonjë të Korçës dhe gjetkë”.

Studiuesi aktiv dhe po ashtu publicisti enciklopedik, Zylyftar Hoxha, autor i disa librave, vëren se kjo ikje nuk është vetëm një mënyrë për të shpëtuar nga rrethimi i malësisë ku jetojnë dhe ku mirëqënia lyp shumë mundim për t’u arritur. Ai mendon se vetëm një pjesë e kësaj është motivi kryesor shtytës i lëvizshmërisë së gjallë (dhe agresive) të skraparllinjve, tjetra, me sa duket më kryesorja, është prirja e tyre e zhvendosjes drejt tregjeve të mëdha, pra drejt poleve të zhvillimit ekonomik. Varfëria askujt nuk i pëlqen, por skraparllinjtë nuk e honepsin sepse ajo i bën të parëndësishëm, të mos vënë dorën në xhepin e tyre për të qerasur. Por si mund të ndihesh “zotëri” pa ca monedha në xhep?

Ndërkaq studiuesi Demir Korita ka bërë një përgjithësim historik të këtij tipari lëvizshmërie për zgjerim, një lloj “Shqipërie” apo “republike” të vogël brenda të madhes. Kudo ku vendosen ata rrinë kompaktë, të ngjizur, të bashkuar dhe kjo u krijon përshtypjen të tjerëve se janë gati të mësyjnë për të skraparlizuar territorin. Por kjo nuk ndodh asnjëherë. Ata ndihen pastërtisht banorë të krahinës së tyre dhe njëkohësisht të vendit të ri ku kanë migruar. Skraparlliu në Berat që në fillim bëhet beratas, në Lushnjë apo Fier po ashtu, në Durrës pa dyshim. Këtë cilësi dyterritorialëshe e kanë shumë popuj, më të spikaturit janë hebrenjtë.



Revanshi i tyre sipas kronologjisë

Demir Korita ka vënë re se ekspansioni i skraparllinjve ka nisur “në fund të shekullit të 18-të dhe fillim të shekullit të 19-të, periudhë që përkon me masat e shpronësimit të disa spahinjve e bejlerëve të kësaj zone nga qeveria osmane”. Sipas tij, ekspansioni u krye në Berat e rrethinat e tij të zhvilluara, po ashtu në Myzeqe. “Një lëvizje tjetër e brendshme migruese e popullsisë së Skraparit, shkruan ai, është bërë gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914”. Arsyeja Lufta Ballkanike dhe ajo e Parë Botërore.“Pas vitit 1922, spikat Korita, me formimin e shtetit shqiptar, u ngrit administrata lokale, prefektura, nënprefektura, postat e xhandarmërisë. Një pjesë e skraparllinjve me shkollë u vendosën si punonjës të kësaj administrate në qarkun Beratit dhe në atë të Fierit”.

Në 1935 Demir Korita vëren rol të madh të bashkëkrahinasve të tij në kryengritjen antizogiste të Fierit, në përshkrimin e të cilës në dekadat e fundit mund të vësh re një prirje të thekshme për ta skraparlizuar: të paktën gjestin e vrasjes së gjeneral Gilardit që ditën e parë të shpërthimit të kryengritjes. “Mbas vitit 1940, mëshon Demir Korita, “migrimi i skraparllinjve filloi të rritej ndjeshëm”, sidomos në Lushnjë e Fier, në Myzeqe. Kjo ishte plastdarmë e parë e madhe e tyre drejt ekspansionit nëpër Shqipëri.

Paslufta u shumoi praninë skraparllinjve në Berat, veçanërisht në vendet më të larta të pushtetit lokal. Ka disa vite ku këtu sundoi tek qytetarët psikoza e një alarmi “skraparlizimi”, gjendje meraku që mezi u zbut dhe nuk u neutralizua kurrë, madje as me shoqërinë e hapur të pas motit 1990. Dekadën e fundit në këtë qytet një pjesë të rëndësishme të qeverimit ia kanë dhënë jo dy partive të mëdha historike të qytetit, PD dhe PS, por aleates së këmbyer mes të dyve, LSI.



Strategë të vërtetë: si e kapën Bektashizmin

Ekspansioni i tyre mund të vëzhgohet edhe provohet edhe si ata, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, përfshinë në sinoret e tyre Tomorricën, pas Beratit territori më historik i asaj hapësire demografike, krahinë më e spikatur se Skrapari. Këtë dukuri shpresojmë ta interpretojmë në ndonjë rast tjetër. Ka dalë për Tomoricën një dyvëllimësh cilësor me afro njëmijë e dyqind faqe me autorë Elmas Guga (matematikan) dhe i biri Arben (mjek). Më shumë se një redaktor i thjeshtë i tij, ndihmës i vërtetë i këtij botimi është studiuesi i spikatur edhe si njeri kulture, Hajri Nuhu.

Hajriu mes të tjerash është autori i një studimi mbi bashkësinë e skraparllinjve në Durrës. Këtu ndodhet komuniteti më i madh i tyre: 15 mijë vetë. Ata, një qytet i vogël brenda qytet-portit më të madh të Adriatikut jugor, kanë edhe megalagjen e tyre, e shkruar zyrtarisht si “5 shtatori”, por e thënë mes durrsakëve si “Lagjia e skraparllinjve”. Ajo nuk është në fushë, por atje ku banuesit ndihen më autentikë: mbi kodër.

Kjo e Durrësit, e kompaktësuar jo nëpërmjet gjesteve apo përkatësive politike, por nëpërmjet aksioneve kulturore, është më e madhja diasporë e brendshme e skraparllinjve në Shqipëri. Kapja e këtij pozicioni të përparuar strategjik që para nëntëdhjetës u shërbente sepse prej këtu ata e kapnin më lehtë Tiranën. Tiranë-Durrësi qe po ashtu tregu më i madh i Shqipërisë realkomuniste, ca më i shumtë ky shndërrim kur ndodhi pas rënies së diktaturës. Në këtë “plastdarmë”, Durrës, skraparllinjtë ndodhen më afër “mbretit”. Sepse, siç e thamë më sipër, pushteti publik është porti më i madh dhe më terheqës i grumbullimit të tyre.

Kryevepra e pushtetëzimit të tyre mbetet mënyra se si fene gjithshqiptare të bektashinjve e bënë sinonim të vetes, fe të tyre. Sipas “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” të vitit 2008, “Edhe pse fillimet e Bektazhizmit në trojet shqiptare janë mjaft të hershme, prania e këtij urdhri në këto treva dokumentohet duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XVII dhe fillimi i atij XVIII. Duke theksuar rolin e madh përhapës të këtij urdhri në Shqipërinë e Jugut nga Ali Pashë Tepelena, Fjalori Enciklopedik vë në dukje prani të tij jo vetëm në Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe Mallakastër, por edhe në Skrapar, Kolonjë, Korçë, Elbasan, Kavajë, Krujë, Dibër, Gjakovë, Tetovë, Gostivar, Strugë etj. Pra ka një hapësirë tërësore shqiptare të bektashizuar, çfarë do të thotë një prirje jo krahinore, por nacionale të pajtueshme me këtë doktrinë fetare, e cila kish devizë kryesore parimin “Pa atdhe nuk ka fe”.

Ëngjëllushe Braçellari, autore e librit “Skrapari, gjurmë nën harresë”, duke pranuar se teqeja e parë u ngrit në Frashër në 1830, prej ku nisi edhe përhapja e doktrinës së bektashizmit për tërë Shqipërinë e Jugut, në Skrapar teqeja e parë e nisi veprimtarinë e vet në 1855 (Prishtë). Më 1889 vijoi në Therepel, më 1889 në Backë, në motet 1908 deri 1916 në fshatrat Kuç, Cericë dhe në Kulmak.

Ndërkohë në fillim të shekullit të njëzetë, kur shteti ynë po kërkonte pavarësimin dhe pas kësaj po merrte formë institucionale, ndodhi hovi i skraparllinjëve për ta zotëruar Bektashizmin. Përveç prirjes së tyre gjenetike për të kapur çdo mjet që i afronte me pasionin e pushtetit politik, me urdhrin tolerant mysliman ata i bashkonte atdhetarizmi. Skraparllinjtë janë patriotë të përkushtuar.

Më 17 janar 1921 bektashinjtë shqiptarë organizuan në Teqenë e Prishtës (Skrapar) Kongresin I Bektashian, ku u shpall Autoqefalia e Klerit Bektashian, por Kongresi i Dytë u mbajt në 9 korrik 1924 në Teqenë Hajdarije të Gjirokastrës, ku edhe u vendos që predikimi fetar të bëhej në gjuhën shqipe.



Xhevair Spahiu, ikona e vërtetë e tyre

Skrapari ka aktualisht shumë bij të spikatur edhe aktualisht, emra mjaft të pranishëm, ditënatë të ngulitur para syve të shqiptarëve. Mustafa Nano është një i tillë, i etur për t’u dukur, por i aftë. Ndërkohë ka shumë diskretë, që nuk duan t’u qëndrojnë në sy ditënatë njerëzve. Janë botues dhe kryeredaktorë të disa të përditshmeve, gazetarë televizioni, shkrimtarë. Tipiku i jetës larg syve është mjeku dhe dikur ministër i Shëndetësisë Hajli Alushani. E citojmë me emër sepse është njëri nga rastet ku mishërohet më mirë skraparlliu i viteve dymijë.

Mes këtyre të fundit autorit të këtyre rradhëve për “revanshin” e skraparllinjve në shekullin e njëzetë deri në ditët tona ka percetimin se një emër është ikonë: Xhevair Spahiu. Ky kryepoet i fjalës dhe i metaforës së vetëtimtë, është edhe autori i “shkurtimave”. Këto janë poezi të shkurtëra dhe plot densitet mendimi dhe arti. Ato mund t’i krijojë vetëm një njeri që ka kondensuar tek vetja tërë malin e Tomorrit.

Ndërkohë duhet thënë se bio-skraparlliu ka edhe një emblemë. Këtë e përshkruan qartë studiuesi Nuhu: është bashkëshortja e tij. Bio-skraparlliu kur merr rrugë e hipën atë mbi kal, rehatosur në postiqe dhe vetë merr në duar kapistallin. Ecën në këmbë. Krenar pa dyshim.



Tiranë, më 19 gusht 2019
 

Welcome to the forum 👋, Visitor

To access the forum content and all our services, you must register or log in to the forum. Becoming a member of the forum is completely free.

Theme customization system

You can customize some areas of the forum theme from this menu.

  • Wide/Narrow view

    You can control a structure that you can use to use your theme wide or narrow.

    Grid view forum list

    You can control the layout of the forum list in a grid or ordinary listing style structure.

    Picture grid mode

    You can control the structure where you can open/close images in the grid forum list.

    Close sidebar

    You can get rid of the crowded view in the forum by closing the sidebar.

    Fixed sidebar

    You can make it more useful and easier to access by pinning the sidebar.

    Close radius

    You can use the radius at the corners of the blocks according to your taste by closing/opening it.

  • Choose the color combination that reflects your taste
    Background images
    Color gradient backgrounds
Back