BULLIZMI
Çdo lloj dhune nuk është bullizëm, por çdo lloj bullizmi është dhunë.
Bullizmi, është një agresion që shfaqet në disa forma dhe mund të bëhet shumë kërcënuese per shëndetin fizik dhe psikologjik të personit që e pëson atë. Zgjidhjet janë të shumta, rruga për tek zgjidhja është vetëm një: mos hesht!Nga Besmir Guri psikolog
Bullizmi, është një agresion që shfaqet në disa forma dhe mund të bëhet shumë kërcënuese per shëndetin fizik dhe psikologjik të personit që e pëson atë. Bullizëm, janë ato situata kur një fëmijë ose grup fëmijësh, duke përfituar nga forca/fuqia, pushteti që ata mund të kenë, përbuzin, fyejnë, refuzojnë, përjashtojnë, kërcënojnë, godasin një fëmijë apo një grup tjetër fëmijesh “më të dobët” se ata në mënyrë të përsëritur, duke ju shkaktuar dëmtime fizike si dhe lëndime serioze të mirëqenies psiko/emocionale.
Disa nga mënyrat e shfaqjes së këtij fenomeni janë: thirrja e dikujt me emra fyes, tallës, shkrimi i mesazheve lëndues, lënia jashtë aktiviteteve, kërcënimi, të bërtiturit, frikësimi, vjedhja ose dëmtimi i sendeve/gjërave të tyre personale, goditja, shkelmimi, pickimi i tyre, ose detyrimi për të bërë gjëra apo për t’u përfshirë në sjellje që ata nuk duan të përfshihen.
Të gjitha sa më lart, klasifikohen në 5/pesë forma më të hasura të bullizmit:
1. Bullizmi fizik, ka në thelb sulmin dhe goditjen fizike të viktimës.
2. Bullizmi verbal, ka në thellbin e tij përdorimin e fjalës me konotacion negativ ndaj viktimës, për ti shkaktuar atij presion dhe vuajtje psikologjike.
3. Bullizmi social, ka në thelb përjashtimin, kur personi veçohet me detyrim nga grupi apo pjesëmarrja në një aktivitet, duke u përbuzur me synim nënvlerësimin dhe poshterimin e tij.
4. Bullizmi i shkruar, në thelb të tij përfshin shkrimin e mesazheve ofenduese dhe poshtëruese për tjetrin, duke ja derguar atij individualisht ose duke i ekspozuar në mjedise publike me emrin e viktimës.
5. Bullizmi elektronik, ky lloj bullizmi mund të jetë më i riu nga koha, por dhe një nga më të përdorurit dhe nënkupton ngacmimet lënduese, tallës dhe kërcënuese që i bëhen personit nëpërmjet mjeteve elektronike computer/telefon, kryesisht në rrjetet sociale.
Në rast të bullizmit, kemi gjithmonë dy palë, nga njëra anë është dhunuesi personi i cili ushtron bullizëm dhe nga ana tjeter, është viktima personi që pëson apo vuan bullizëm.
Personat që janë viktima të bullizmit, ndihen vazhdimisht të frikësuar, të pasigurt dhe mund të mendojnë se duhet të ketë diçka që nuk shkon me ta, madje në shumë raste personi arrin deri aty sa fajson edhe veten për atë që ndodh, duke e pare vetën si nxitës të bullizmit. Bullizmi ka pasoja negative tek të gjithë viktimat e tij, por dëmi psikologjik shumëfishohet tek fëmijët që janë të mbindjeshëm emocionalisht.
Fëmijët dhe të rinjtë, të cilët janë apo kanë qënë viktima të bullizmit, janë më të rrezikuar se fëmijët e tjerë për të shfaqur: stres kronik, ankth të lart, mendime pesimiste dhe irracionale, vetmi dhe mbyllje në vetvete, shqetësim të vazhdueshëm, vetbesim të ulët, rënje e interesit sidomos për mjediset ku i ushtrohet bullizmi, simptoma psiko – somatike (dhimbje koke, dhimbje stomaku, shenja lodhje, mungesë oreksi, urinim i pavullnetshëm, ku shqetësimet sa më lart, në rast se zgjasin në kohë pa u trajtuar, mund të cojnë deri në një përfundim fatal në depresion.
Kërkimet më të shumta rreth bullizmit, janë bërë në një kontekst shkollor, por bullizmi mund të ndodhë edhe në mjedise të tjera, madje edhe në familje. Një nga përkufizimet më të pranuara gjerësisht për bullizmin, është dhënë nga studiuesi australian Ken Rigby (2002), sipas të cilit: “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin + një veprim që lëndon + një disbalancë në forcë midis personave + një përsëritje (në mënyrë tipike) + një përdorim i padrejtë i forcës + një kënaqësi e dukshme e agresorit si edhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”.
Këto karakteristika, e bëjnë bullizmin jo vetëm një sjellje të dhunshme atipike dhe shumë specifike në raport me lloje të tjera të dhunës në shkollë, por gjithashtu edhe shumë të vështirë për t’u identifikuar, pasi personat që pësojnë bullizëm,shpesh druhen të kërkojnë ndihmë për shkak të frikës nga hakmarrja e dhunuesit, ndrojtja, turpi, mungesa e shpreses, mos besimi se ka një rrugëdalje, mungesa e informacionit se ku mund të drejtohet për ndihme, mungesa e mbështetjes. etj.
Përse një fëmijë priret që të bëhet bullist ose ka element dhe tendencë për të ushtruar bullizëm?
Kjo është një pyetje e cila nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët. Disa dhunojnë sepse janë të pakënaqur me veten dhe duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo duket se ju sjell atyre “kënaqësi”. Disa të tjerë dhunojnë sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se janë ata dominues në mjedisin e tyre dhe se janë ata që komandojnë. Të tjerë dhunojnë sepse e perceptojnë dhunën si të vetmen formë që siguron zgjidhje në mjedisin social, sidomos në rast se kundërshtohen në qëllimet e tyre.
Shpesh, për fatin tone të keq, disa fëmijë dhunojnë sepse familjet ku jetojnë, janë tolerantë ndaj dhunës dhe kanë modeluar një sjellje të dhunshme, ose më keq akoma, i gëzohen faktit që fëmija është zot i vetes, (edhe pse kjo e arritur nëpërmjet përdorimit të dhunës). Megjithatë, mund të përgjithësojmë faktin se tek këta fëmijë, pavarësisht arsyeve të ndryshme, empatia është e dobësuar, dhe e kanë të vështirë të kuptojnë se sjelljet dhe veprimet e tyre, janë të gabuara dhe nuk arrijnë të kuptojnë lehtë se si ndjehen realisht viktimat e tyre si pasojë e dhunimit që ata ju bëjnë.
Pse disa fëmijë bien më shumë preh e bullizmit?
Mund të ndodh që disa fëmijë bëhen viktima të bullizmit pa pasur ndonjë arsye dukshëm të veçantë, por zakonisht shumica e rasteve që pësojnë bullizëm, ndodh sepse mund të jenë të ndryshëm në një farë mënyre, disa shembuj: për shkak të nevojave të veçanta fizike, vështirësisë në të folur, ngjyrës së lëkurës, peshës së madhe/obez, trupit shumë të shkurtër apo shumë të gjatë, mënyrës se si ata sillen, karakteristikave të personalitetit, rezultateve në mësime, nivelit të zhvillimit që ata kanë etj. Karakteristikat sa më lart, mund të bëhen lehtësisht arsye të mjaftueshme për personin që ushtron bullizëm që të fillojë një dhunë sistematike, poshtëruese dhe me pasoja të rënda për fëmijën, ku veçanërisht gjurmët e pasojave psiko/emocionale, fëmijës mund ti mbetën për gjithë jetën si një traume e fshehur psikologjike, e cila mund të ngacmojë gjendjen e tij shpirtërore edhe në moshë madhore.
Çfarë mund të bëhet për të luftuar bullizmin?
Disa këshilla:
• Rregulli i parë ku duhet të fillojë gjithçka, inkurajojeni fëmijën të flasë, dëgjojini me shumë vëmendje se çfarë fëmija ju thotë dhe tregohuni vazhdimisht mirëkuptues dhe mbështetës ndaj shqetësimit të tij.
• Shikoni me kujdes gjatë bisedës nëse fëmija ka mendime kritike për veten dhe ndjenja faj se ai është shkaktari i situatës, shumë shpesh fëmija e gjen fajn tek vetja, është e rëndësishme t’u bëni të qartë se nuk është faji i tyre që gjërat kanë shkuar ashtu, në mënyrë që të mos ketë ndjenjën shkatërruese të vetëfajsimit.
• Pyetni fëmijën me shumë kujdes dhe në mënyrë graduale rreth asaj çka i ka ndodhur, duhet patur parasysh se po flisni për diçka të dhimshme për fëmijën dhe atij i nevoitet pyetja e përshtatshme dhe koha e duhur për tu shprehur. Fëmija mund të ketë ngjarje abuzive të atilla që e bëjnë të bllokohet nga sikleti dhe turpi, sidomos kur nuk pyetet në mënyren e duhur. Një nga mënyrat e duhura, është që duke i lënë kohën e nevojshme, të flisni me fëmijën situatë pas situate se çfarë do të bëni ju bashkë me të për t’a zgjidhur këtë problem, duke i siguruar një zgjidhje për cdo rast. Kjo përqasje, ndihmon fëmijën të shprehet, pasi ndjen se fjala e tij po vlerësohet dhe rrit optimizmin se problemi i tij po shoqërohet me një zgjidhje.
• Sigurojeni fëmijën, se nuk do të ndërmerrni asnjë veprim pa u konsultuar më parë me të. Duke vepruar në këtë mënyrë, do të forcohet besimi i fëmijës dhe benefitet e bashkëpunimit me fëmijën do të jenë më të mëdha dhe të shumë anshme, pasi ndër të tjera, fëmija vendoset nga pozita e viktimës pasive, në pozitën e bashkëpunëtorit aktiv.
• Diskutoni rreth bullizmit me persona të tjerë, të cilët mund ta kenë ndeshur këtë fenomen dhe mund t’ju japin ide dhe sugjerime për zgjidhje, pasi edhe pse rasti mund të ndryshojë në rast, disa praktika mund të funksionojnë shumë mirë për çdo rast.
• Ngrini grupe mbështetëse për të adresuar nevojat dhe problemet që vijnë nga bullizmi. Ky fenomen duhet trajtuar vazhdimisht në shkollë me nxënës, prindër dhe mësues rreth të gjithë elementeve që shoqërojnë bullizmin, e mbi të gjitha fokusuar në: parandalim dhe ndërhyrje. Shkolla mund të marrë masa duke caktuar një “nxënës apo një të rritur përgjegjës”, i cili do të vëzhgojë dhe monitorojë cdo rast me synim parandalimin, ndërhyrje për zgjidhje kur ka ndodhur, apo vëzhgim dhe monitorim i cdo rasti të zgjidhur me qëllim mos ripërsëritjen në të ardhmen. Brenda institucioneve arsimore, është e rëndësishme të zhvillohen vazhdimisht politika kundër bullizmit, të cilat mund të ndihmojnë në reduktimin e tij.
• Inkurajoni fëmijët të listojnë një listë me emra të personave që ata i shikojnë si mbështetës dhe ndihmues në rast se do të ndodheshin nën rrezikun e bullizmit, më pas lista e personave të propozuar, të shqyrtohet rast pas rasti për të ngritur me ta grupin e punës.
• Shpjegoni vazhdimisht tek fëmijët se denoncimi i një rasti bullizmi, nuk është spiunim apo një punë që nuk na përket, por se është një ndihmë dhe përgjegjësi e jona për të reaguar. Duhet të dominojë tek të gjithë fëmijët parimi se: çdo fëmijë ka të drejtë të ndjehet i sigurt dhe i mbrojtur.
• Ju mund të provoni t’i gjeni fëmijës një shok më të “fuqishëm” se ai, në mënyrë që ai të ndjehet i sigurt, si dhe mund t’i mësoni të zhvillojnë aftësitë reaguse dhe vetëmbrojtëse, duke ilustruar situata konkrete se si mund të veprohet në një rast të caktuar.
• Nxitini fëmijët të shoqërohen me shokë e shoqe, të kalojnë kohë me ta, të zënë shokë të rinj,kini parasysh se fëmijët që ndërmarrin ndaj tyre sjellje bullizmi,kanë më pak gjasa t’u afrohen nëse ata janë gjithmonë të shoqëruar ose në grup.
• Nëse fëmija në një farë mënyre, është “i ndryshëm” nga shokët në elementë të dukshëm, ndihmojini ata t’a shikojnë ndryshueshmërinë si vlerë dhe të jenë krenar për këto ndryshime. Një fëmijë që ka respekt për veten dhe ndjehet krenar për aftësitë dhe vlerat që ai ka, ka më pak gjasa që të jetë viktimë e bullizmit dhe do të jetë më në gjendje të përballet me bullizmin.
Drejtohu tek psikologu i shkollës. Në çdo rast bullizmi, psikologu i shkollës mund të japë ndihmesën e tij si njohës i mirë i këtyre situatave. Psikologu i shkollës është një nga aktorët më të rëndësishëm për trajtimin e rasteve të bullizmit, pasi ndërhyrja e tij është e planifikuar në shumë dimensione, si: informon rreth bullizmit, vlerëson raste, planifikon ndërhyrje, ofron konsultim profesional, kryen këshillim dhe trajton rastin me të dyja palët e konfliktuara.
Këto këshilla, mund të plotësohen dhe me shumë të tjera, megjithatë është e rëndësishme të theksohet se cdo rast bullizmi dallon nga tjetri, dhe duke qenë kështu, edhe zgjidhja duhet përshtatur me rastin konkret, duke hartuar plan pune të personalizuar sipas rrethanave të rastit.
Në rast se ju jeni pre e bullizmit, apo nje shoku/shoqja juaj është viktimë e kësaj dhune, mos hezito të kërkosh ndihmë. Zgjidhjet janë të shumta, rruga për tek zgjidhja është vetëm një: mos hesht!
(Punoi: Besmir Guri psikolog; Portali Shkollor)