Bimët
1. Asarum europaeum është një bimë që në gjuhën tonë quhet kopedan, bartlyeni, helmetun etj. Kryesisht përdoret si "bar Shëngjergji". Në Marec, lidhur me këtë bimë, ekziston bestytnia se kjo bimë mbron nga qeniet e këqija. Ja si është tregimi në origjinal:
"Dy shtriga ishin kan'nisë me hangër ni fmi. Kur hynë n'aborr, hetuen se kalit i kish pas met n'thunër do helmetun. Si e panë kit bari ikën, se ku ka helmetun nuk muj'bajnë keq."
2. Gështenja, ndryshe në popull quhet kshtajë, kështajë. Arbreshët e Zarës e quajnë maron. Në rrethin e Strugës është zakon që natën, kur të hyjë dhëndëri, në darkën e parë me nusen, përveç ushqimeve tjera, të ketë edhe 7-8 kokrra gështenja të ziera a të pjekura. Nëse nusja nuk bën fëmijë, atëherë ajo zgjohet te ndonjë gështenjë dhe lutet për të qenë fertile. Ndërsa për ditën e Shëngjergjit dilet në pyll në të ashtuquajturat "panagjire të gështenjave" në shenjë gëzimi për ditët e bukura pranverore dhe me dëshira për verë të frytshme.
3. Qershija, nuk bën të prehet ngase në këtë botë paska ardhur me njëqind besa. Ajo bën me u përdorë vetëm për urë dhe vig, për shpi kurrë. Kjo bindje ekziston në Llap, ndërsa në Tepelenë, ditën e vitit të ri dhe në ditën e ujit të bekuar, hidheshin në zjarr bisqet, copat e shkopinjtë e qershisë, ndërsa hiri i tyre hidhet më pastaj në vreshta.
4. Thana - Në shumë vise besohet se thana është bimë e mallkuar nga ana e Profetit, ngase e ka penguar atë përderisa ai kishte tentuar të ikte nga çyfarrët. Ai i kishte thënë thanës: e para lulofsh, e mrama i piqsh, dru kurrë mos u bofsh!.
Në rrethin e Strugës dhe Kërçovës për Ditën e verës (14 mars), në hyrje të shtëpive dhe kasolleve të bagëtisë vihen rrema thanash. Në mëngjes herët, të nesërmen i pari që zgjohet nga gjumi, i merr rremat e thanës dhe me to zgjonë nga gjumi anëtarët tjerë, duke filluar nga më i riu i familjes, dhe duke uruar "si thana qi asht e fortë ashtu tëi t'jesh i fortë, si thana qi ka shpërthy, ashtou tëi shpërthejsh". E tëra kjo bëhet që anëtarët e familjes vitin e ardhshëm të jenë më të shëndetshëm, më të fortë dhe fatlumë.
5. Ftoi, Në shumë vende të Kosovës natën e Shëngjergjit dredhin penj të bardhë e të kuq, i lënë tërë natën në degë të ftoit ose edhe të kaçës, të nesërmen i marrin dhe ua vëjnë djemve dhe vajzave në qafë, ngase e kuqja dhe e bardha simbolizojnë shëndetin.
6. Daucus carota L. Bimë e cila në gjuhën shqipe quhet karotë, në disa vende të banuara me shqiptarë quhet edhe lulenjerëzie, luleperde, lulemarrje, lule e marrës, lulebereçeti, luleturpi etj. Emërtimi i kësaj bime vjen nga bestytnia duke u bazuar në pjesën qendrore të lules e cila është me ngjyrë të zezë.
Agroweb