Ballkani, i papërgatitur për sulme kibernetike: Paralajmërimi i ekspertëve
Që marsin e vitit të kaluar, përmes një artikulli të gjatë, BIRN tërhiqte vëmendjen tek kërcënimi i sulmeve kibernetike në Ballkanin Perëndimor, vendet e të cilit përshkruheshin si të papërgatitura sa duhet për një situatë të tillë.
“Në letër mund të duken ashtu, por në praktikë gjërat janë krejt ndryshe” theksohej në shkrimin që niste me një ilustrim të sulmit më serioz të këtij lloji në Maqedoninë e Veriut: atij ndaj website-it të komisionit qendror të zgjedhjeve në vendin fqinj.
Në të gjithë Ballkanin, shtete si Maqedonia e Veriut kanë hedhur në letër planet për të trajtuar kërcënimin nga terrorizmi kibernetik, por shkalla e sulmeve këto vitet e fundit, e shoqëruar me faktin se shumë prej tyre mbeten të pazgjidhura, tregon një mangësi serioze kur vjen fjala tek vënia në realitet, thonë ekspertët.
Në mënyrë alarmante sipas tyre, Bosnje-Hercegovina nuk ka as një strategji gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike në nivel shtetëror. Në rastin e Shqipërisë, nënvizohej se “shumicës së objektivave u mungojnë mjetet e duhura për të zbuluar dhe reaguar ndaj sulmeve kibernetike”.
Me numrin në rritje të kompanive dhe organeve shtetërore që zhvillojnë shërbime dixhitale, do të jemi dëshmitarë të një numri në rritje sulmesh në të ardhmen”, ishte paralajmërimi atëherë.
Kërcënim madhor për shtetet e Ballkanit konsiderohej se përbënte sidomos Ransomeware, një virus që krypton të dhënat e përdoruesve e kërkon shpërblim për rikthimin e tyre.
Në 2020-tën, hakerët shënjestruan administratën publike të qytetit verior serb të Novi Sadit, duke bllokuar një sistem të dhënash dhe duke kërkuar 400,000 euro për të rikthyer qasjen në informacion.
“Ne nuk e paguajmë shpërblimin,” tha asokohe kryebashkiaku Milos Vuceviç.
“Nuk di as si ta paguaj, si ta justifikoj koston në buxhet. Nuk është realiste të paguhet kjo. Askush nuk mund ta shantazhojë Novi Sadin,” u shpreh ai.
Por problemi i kapercen kufijte ballkanike. Së fundi, agjensia e lajmeve Ansa njoftoi se agjensia italiane e taksave mund të ketë rënë pre e një sulmi kibernetik nga grupi LockBit.
Autoritetet atje po hetojnë për të marrë nëse janë nxjerrë informacione prej saj, teksa raportohet se hakerat mund të kenë vjedhur 78 gigabajt të dhëna.
Sipas Il Sole 24 Ore, grupi ka publikuar lajmin e hakimit në dark web dhe ka kërkuar t`i dorëzohet një shpërblim për pesë ditë, në të kundërt kërcënon të bëjë publike të dhënat.
Top Channel