Prof. dr. Bardhosh Gaçe
(Shënime mbi librin “Ulliri, pema e dhimbjes” të Dhimitër Anagnostit)
Në historinë e librave ka pasur gjithmonë një kureshtje të madhe për memuarët gjithëllojesh, pavarësisht stilit, se si janë shkruar, të njerëzve që shoqëria njerëzore dhe koha ka pasur një marrëdhënie dhe komunikim përmes artit, kinemasë, librave, politikës apo profesioneve që njerëzit i takon me to.
Dhimitër Anagnosti është një nga pionierët dhe njerëzit që gjithë jetën e tij, vijon të ketë një komunikim shpirtëror dhe emocional me shqiptarët, duke qenë njëri nga regjisorët e kinemasë shqiptare më të dashur, më produktiv dhe më bashkëkohor.
Dymbëdhjetë vepra kinematografike që nga viti 1961 (si skenarist, regjisor dhe operator) përbëjnë edhe thelbin e kinematografisë shqiptare, duke kujtuar si të tilla:”Cuca e Maleve” (1974), “Përjetësi” (1974, poemë filmike), “Motive nga dita e diel” (1973, film dokumentar), “Malet me blerim mbuluar” (1971), “Parafabrikatet” (1970, film dokumentar), “Plagë të vjetra” (1968), “Duel i heshtur” (1967), “Gjirokastra” (film dokumentar), “Gurët dekorativ” (1962, film dokumentar), “Komisari i dritës” (1966), “Toka Jonë” (1964), “Njeriu kurrë nuk vdes” (1961, film me metrazh të shkurtër), “Lulëkuqet mbi mure” (1976), “Monumenti” (1977), “Në shtëpinë tonë” (1979), “Vëllezër dhe shokë” (1982), “Gurët e shtëpisë sime” (1985), “Përrallë nga e kaluara” (1987)”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), “Gjoleka – djali i Abazit” (2006) etj. përbëjnë një korpus interesant ngjarjesh qoftë në punën dhe talentin e një regjisori, skenaristi dhe të një operatori, por më tepër përbëjnë një material jetësor jashtë fokusit të kamerës, kontaktet me njerëzit, ngjarje dhe histori të shumta, të cilat nuk i nxënë filmat dhe dokumentarët.
Dhimitër Anagnosti nuk e anashkalon edhe këtë pjesë të rëndësishme të jetës së tij, madje ata kanë një forcë dhe një peshë të madhe në ekuilibrat që kërkon një kineast.
Anagnosti, krahas skenarëve, ka lëvruar edhe dramaturgjinë si dhe romanin. Në botimet e tij kanë lënë gjurmë edhe “Përrallë nga e kaluara” dhe “Gjoleka – djali i Abazit” (dy skenarë letrarë), Tiranë 2009, “Nata e trokitjeve në xhama” (dramë) Tiranë 2009, si dhe romani “Koburja nga Europa” Tiranë 2014, duke dëshmuar kështu prirjen e tij të thellë letrare dhe estetike.
Libri i shkruar nga Anagnosti titulluar “Ulliri, pema e dhimbjes”, ka një kumt interesant dhe domethënës, përmes një simbolike komplekse, që lidhet me drurin e ullirit, drurin hyjnor të paqes, i cili në të shumtën e herës vendoset dhe qëndron mbi sinorë dhimbjeje dhe plagësh, shoqërohet me një miniskenë, në të cilën shënohet: “Në libër rrëfehen tri breza: Ati, Biri dhe dy Vajzat. Mediumi i tyre vetë është autori i librit”.
Po pse ka një merak të tillë Dhimitër Anagnosti, për çfarë ai e porosit lexuesin e tij, me një gjasë interesante, si një “formulë biblike hyjnore”, për ta orientuar lexuesin në komunikimin e tij me librin? Unë, si mik i tij dhe një lexues korrekt i literaturës letrare dhe letërsisë artistike, e kuptoj mjaft mirë Anagnostin; i cili, dhe ai mendon po si unë, lexuesin e rrëmbejnë historitë, përshkrimet, tipat, karakteret, tregimet, skicat, dilemat dhe sentimentet e thella të artistit dhe kineastit.
Në këto labirinte të këtyre kujtimeve, proza e tij shndërrohet në një vepër vërtetë artistike (duke qenë aftësia e tij dhe mjeshtëria e të shkruarit), porse në këtë labirint humbet qëllimi i tij, dëshira e tij për t’u lënë pasardhësve një formë biografike të tre brezave që zë libri, në këtë “jetë-shkrim” interesant.
Është një merak artisti, poeti, shkrimtari dhe kineasti. Dhe në këtë formë, autori në skedën që sposton faqet e librit gjatë leximit, nuk harron të tregojë se brenda këtij libri është një biografi e shtrirë në tri breza. Anagnosti në “monologun” e fillim librit shkruan: “Përse i shkruaj këto rreshta?! Që të “bisedoj” me fëmijët e mi e me fëmijët e tyre e më tej në breza për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji, kuptim. Si të jetohet ajo më mirë, në kuptimin material, intelektual, moral dhe emocional”. Në të gjitha ngjarjet veta e parë tregon se autori është brenda gjithë këtyre ngjarjeve në një formë të caktuar.
Rreth dyzetë e shtatë tituj, që përbëjnë rrëfime, skica, meditime, copëza udhëtimesh, sinopse, pamje të pjesshme, ngjarje të trishtueshme dhe të gëzuara, edhe një novelë (novela “Katerina”) pa dyshimin më të vogël janë dëshmi jetësore të Dhimitër Anagnostit, të cilat kanë zënë një vend të qëndrueshëm në shpirtin dhe kujtesën e tij, në rrugëtimin e tij jetësor, që pa dyshim përbëjnë edhe një shtyllë të fortë dhe të formimit të tij si njeri, intelektual, artist dhe krijues.
Në këtë skenë të madhe lëviz, ngrihet dhe ulet, trembet dhe çlirohet nga pengjet shpirti brilant i Anagnostit. Rrëfimet dhe ngjarjet jetësore që sjell autori në tregimet jetësore “Ç’ka thotë baba”, “Dy Zefat”, “Goxhua”, “Usta Mehmeti”, “Nata e breshrit”, ”Pasagjeri nga malësia”, “Thëllëza në kafaz”, “Lulet e Burbuqes”, “Monolog në varreza”,“Amaneti” dhe pjesë të tjera, lëviz një botëkuptim interesant, një preje anatomike e çuditshme, ku shfaqet një lloj anatomie etnopsikologjike e racës shqiptare, e njerëzve që mbartin të kaluarën tradicionale, por edhe aktualitetin.
Ka një prirje në rrëfimete Anagnostit, ndoshta edhe për shkak të edukimit familjar, por edhe nga aftësia që ka një shkrimtar apo skenarist, atij i pëlqen të skalisë karakteret njerëzore. Duke pasur një aftësi depërtuese në psikologjinë e njeriut që i gjendet përballë, me atë që komunikon apo edhe në një soditje të zakonshme, Dhimitër Anagnosti nuk i shmanget prirjes për të dhënë karaktere. Ka një reflektim të karaktereve, që autori i gjen në mjediset e punës, por më së shumti ato vijnë nga vendlindja apo anët e tij, herë përmes kujtimeve, herë përmes ngjarjeve dhe herë duke qenë vetë protagonist i rrëfimit.
Ndërsa karakteret specifike, të cilët ai i skalit me një ndjesi prej artisti, janë ato në mjediset e xhirimeve apo ku luhen skenat, veçmas karakteret e malësorëve të Mirditës, të cilët nuk janë të qytetit, por të provincave të saj. Personazhet jetësorë si Zef-at, Goxhua i vendlindjes së tij, Burbuqja- rritësja e luleve, kovaçi Mehmeti, vogëlushi në kinemanë e Kavajës, por edhe shumë ngjarje të tjera jetësore, janë “lexime” nëpër kohë të humanizmit, tradicionalizmit (djali i vogël në tregimin “Ç’ka të thotë baba” e ka fjalë të perëndisë atë që thotë babai i tij), por edhe shumë ngjarje të tjera ku lëviz një filozofi popullore “disidente” në raport me kohën, në një këndvështrim të gjerë janë burime të rëndësishme dhe të formimit të tij.
Anagnosti depërton në mjediset familjare, në historitë e të shkuarën, por edhe në kohën e tij, dhe në mënyrë specifike, sjell për të rrëfyer një pjalm të mrekullueshëm të psikologjisë popullore, filozofinë jetësore.
Tregimet, rrëfenjat, kujtimet e treguara dhe të jetuara vetë nga vendlindja dhe trevat e bregdetit, ku deti dhe mali takohen në të gjitha këto kujtime përbëjnë një enciklopedi jetësore, të cilat shtegtojnë në jetën e tij, në punën e tij të përditshme. Nëse në Veri kineasti na zbulon karakteret malësore, si Nikolla i vogël në kujtimet që sjell pjesa “Ç’ka thotë baba”, dy Zefat në kujtimet “Dy Zefat”, Hamzai te rrëfenja “Figuranti” edhe në ndonjë rrëfenjë tjetër, ku bie në sy një dashamirësi njerëzore, një raport mjaft konfindent në marrëdhënie me kohën, nga treva që ai njeh mirë (vendlindja dhe bregdeti në përgjithësi, deri në Vlorë), spikasin gjendje të çuditshme familjare, histori me burra të hershëm dhe gra që marrin rolin e burrave në shtëpi.
Rrëfenja “Fotografia” ka një marrëdhënie të imët dhe emocionale, të një nëne plakë, me burrin e saj të vdekur, tek i cili sheh modelin e burrit të vërtetë, por që në kohën për të cilën bëhet fjalë, komunikimi që sjell tregimi është interesant.
Kujtesa për Goxhon në tregimin me titull “Goxhoja” është një nga rrëfimet më të bukura. Në të gjithë kujtimin që Anagnosti ka për Goxhon, një person në të cilin plekset dija, emancipimi, por edhe mjedisi ku ai banon, (natyrisht vendlindja e autorit), sepse Goxhoj kishte qenë emigrant i hershëm në Perëndim.
Siç edhe kuptohet, kujtime të tilla, me njerëz që kanë mbetur në kujtesën e autorit dhe me të cilat ai ka komunikuar plotësojnë një kontekst të caktuar të marrëdhënieve me kohën të tij. Goxhoja ka kulturë perëndimore, është një njeri pa komplekse dhe i emancipuar, të cilin autori e sheh përballë një realiteti të kushtëzuar.
Në shumë rrëfime, tregime e skica të vetat ka kontekste të kësaj natyre, pavarësisht se qëllimi i tij është biografik. Në një sërë kujtimesh, të cilët nuk janë të pakët, Anagnosti ka një prirje për të rrëfyer për familjen, veçmas për babanë dhe nënën. Babai ka jetuar që fëmijë në Amerikë, dhe lidhja e tij me këtë vend është e fortë. I larguar që në moshën nëntë vjeçare dhe i përfshirë thellësisht në jetën e Amerikës, kujtimet për të kanë një sugjestion të rëndësishëm Rrëfenja “Help yourself, Jim!” është një copëz jetë nga Amerika, që një djalë i vogël nga Bregdeti e ka nisur që nga mosha e vogël.
Një rrëfim interesant, i cili mbart tiparet e kohës dhe karakteristikat tipike të njerëzve të anëve të tyre, është rrëfenja “Pagëzimi” në të cilin rrëfehet për një histori të zakonshme dashurie, e cila kalon nëpër një fill të hollë. Liza, një vajzë ortodokse, një partizane, kërkon të martohet me një shok të sajin partizan Mehmetin, që është mysliman. Është një histori që ngre dilema të mëdha, gjithsesi të rëndësishme për kohën. Aventura e kurorëzimit të dashurisë mes dy të rinjve ka në mes kufizimin e besimeve, por mbijetesa e saj duhet të kalojë përmes sakrificës së sinqeritetit të mohuar të Mehmetit para partisë. Ai është pagëzuar në ortodoks për të pasur dashurinë e Lizës, por që ajo zbulohet. Autoriteti i besimeve dënohej nga partia. Gjithsesi dashuria e tyre mbijeton, ajo përbën një vlerë njerëzore.
Një sërë kujtimesh të tjera kanë të bëjnë me ngjarje të vogla, por të sigluara përmes një sensi dhe interpretimi filozofik nga autori. Kështu, ulliri i duket autorit si një burim drite dhe jete. Vaji i tij digjet për të bërë dritë në kandil. Pra, Anagnosti rrok një marrëdhënie universale, të cilën e gjen në jetën e tij. Kështu ndodh me çdo njeri, pavarësisht mënyrën se si e lexon njëri apo tjetri, pavarësisht se si e interpreton njëri apo tjetri.
Përtej këtij leximi, përtej kaq shumë mbresave që mrekullisht janë shndërruar në tregime dhe skica, në projeksione letrare, Anagnosti qartësisht sjell një kronikë të imët, të gjerë dhe me ngjyra të një prerjeje të gjerësishme kohore të vendit, ku flitet për shumë gjëra, për kulturë, mjedise njerëzore, përjetime jetësore, për një vend në kushtet e kufizimeve ideologjike, për kulturën, për trashëgiminë shpirtërore dhe ngritjen e vështirë kulturore, me një prapambetje tradicionale. Gjenden tipa dhe karaktere, personazhe, që natyrisht janë produkte të shoqërisë njerëzore. Syri i një kineasti dhe operatori, është një shqisë e epërme për të dhënë esencialisht atë që komunikon. Edhe pse autori e konsideron një libër biografik, me një shqetësim gati vetjak, për t’u lënë fëmijëve dhe brezave copëza kujtimesh dhe jete, ai nuk ka mundur t’i shkëputet zejes prej tregimtari dhe krijuesi, me një talent të spikatur.
Pjesa me e madhe e ngjarjeve që kujtohen, shoqërohen apo vendosen në dekore, në një lloj “mekanizmi skenografik” ku shquajnë dritat si në film, dialogët dhe monologët, që janë të zgjedhur dhe të kursyer, retrospektivat, që u krijojnë thellësi, fjalori i zgjedhur popullor, hapësira kumtuese dhe referuese (pasi në shumë rrethana autori sjell tablo, realitete dhe dëshmi nga vendet e zhvilluara të botës, madje edhe nga aktualiteti kulturor, politik dhe i rrymave të artit), por gjithsesi duke qenë produkti i mjedisit shqiptar. Askund më mirë se në këtë hapësirë komunikuese nuk mund të sillej një pamje për Shqipërinë kulturore, kur atë e sheh me sytë e një kineasti, që edhe pse një realitet i zymtë, i kufizuar, ai përshkohet nga një poetikë e brendshme e bukur. Anagnosti është i fshatit dhe i qytetit, të cilat pleksen në një personalitet të dijes dhe të kinematografisë. Pikërisht për këtë shkak, libri “Ulliri, pema e dhimbjes”, është edhe monografi edhe letërsi e shkruar bukur. Nëse ai nuk është lodhur për të gjetur ngjarje, personazhe, tipa dhe karaktere (të cilët kanë qenë të gatshëm), ai i ka gdhendur. Në mermer janë gjithë fytyrat e botës, bukuritë dhe dhimbjet e botës, por për t’i nxjerrë nga masa e ngurtë duhet skulptori. Në fund të fundit një gjë është e rëndësishme në këtë rast, Shqipëria në këtë rast është parë me sytë e një intelektuali dhe njeriu emblematik, që i ka dhënë kaq shumë kulturës shqiptare.
Askush nuk do ta gjykonte si një kufizim, nëse shënimet jetësore dhe monografike të Anagnostit do të ishin nga Vunoi, Vlora, bregdeti, Tirana, treva dhe mjedise ku ka jetuar dhe ka qenë detyrimisht i lidhur shumë, por dimensioni i epërm i tij e kapërcen këtë “sindromë”. Jo vetëm profesionalisht, por libri ka një marrëdhënie të çuditshme, sa herë që ai gjen rastin shkruan, vlerëson dhe sjell copëza të ndritshme nga personazhe dhe ngjarje si nga Veriu ashtu edhe nga Jugu. Realizmi dhe pamja me të cilën ai e sheh realitetin jetësor, i bëjnë ato të mrekullueshme dhe një tablo realiste, për shkakun e natyrës inspiruese që ka psikologjia e autorit. Këto karaktere, këto ngjarje, këto momente, retrospektiva që përkojnë edhe me kohën e shkrimit e valorizojnë librin “Ulliri, pema e dhimbjes” në sytë dhe kujtesën e lexuesit si një kamerë, në të cilën koha plekset me të shkuarën dhe aktualitetin.
Në libër një frymë aktualiteti kanë njerëzit e familjes, të cilët në të shumtën e rasteve dalin përmes gjendjeve emocionale, duke i parë ata në mjedisin shoqëror, përveçse kur merret me rrethana shumë specifike familjare, ku i shfaqen fëmijët dhe pasardhësit e tjerë, të cilët presin “diagonalisht” kohët, kontinentin dhe lartësitë qiellore. Realisht ky është një moment, i cili lidhet fort me atin dhe familjen, pasi në fund të fundit, autori, librin ia kushton kujtesës familjare. Kjo lidhje e fortë brezash, që të kujton formulën hyjnore biblike, është një ind i qenësishëm i natyrës shqiptare, veçmas mjedisit ku është lindur dhe rritur Anagnosti. Mosha në libër është një “shqisë” tjetër e epërme vëzhguese. Dhe ai e ka bërë mjaft mirë këtë “detyrë”, pasi pjesa më e shumtë e librit edukon duke pasqyruar dhe treguar nëpër “sirtarët” e kujtesës. Një kineast dhe operator ka një shqisë të mprehtë për ngjarjet, karakteret dhe njerëzit, qoftë edhe vizualisht. Madje kjo është materializuar mjaft mirë në librin “Ulliri, pema e kujtesës”, sepse autori ka përfshirë në të dhe mjaft skica, vizatime dhe portrete në miniaturë, duke e bërë “atelienë” e karaktereve dhe njerëzve të madhe.
Dhimitër Anagnosti rrëfen mjeshtërisht, përveçse ai ka një talent të dukshëm për të krijuar “kronikën” e kujtesës, natyra krijuese, ndjeshmëria, talenti për të rrëfyer dhe ndërtuar dialogë, e ka bërë librin një punë mjeshtëri për gjithë llojet që përfshin një libër i tillë, që nga skica, tregimi, novela, memoaret, sinopset, shënimet e vogla etj. Profili i mjeshtrit të kinematografisë dhe të regjisë, i operatorit dhe skenaristit ndërkohë përbën edhe profilin e krijuesit në këtë rast. Ai është një model i mirë edhe si një mjeshtër për të krijuar struktura artistike për të treguar.
Studiuesi Shaban Sinani, duke njohur natyrën rrëfyese të shkrimtarit Dhimitër Anagnosti, në pasthënien e tij në këtë botim, me të drejtë ka përcaktuar se: “Libri i Dhimitër Anagnstit është një tjetër provë se Shqipëria letrare është më e bukura nga të gjitha Shqipëritë: politike, ideologjike, ekonomike, historike. Dhe ky është misioni fisnik i letërsisë…”.
Pleksja e shumë elementeve dhe llojeve në librin “Ulliri, pema e dhimbjes”, (tregime, skica, novela) shpjegon mjaft mirë te lexuesi produktin e vet; të gjitha ngjarjet, personazhet, kohët, kronikat dhe dekori që Dhimitër Anagnosti ka sjellë në libër mbahet mend, pra libri, sapo lexohet hyn brenda lexuesit dhe mbetet aty. Element dhe tregues më racional se ky, nuk mund të gjendet në vlerën që merr një libër bashkëkohor te lexuesi.
Vlorë – Tiranë, gusht 2019