Afganë në Shqipëri e Kosovë? Reuters: SHBA zhvillon bisedime sekrete për t’i strehuar
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar bisedime të fshehta me më shumë vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, kanë deklaruar katër zyrtarë amerikanë për agjencinë Reuters.
Administrata amerikane, sipas agjencisë, ka kërkuar edhe nga Shqipëria e Kosova që të strehojë afganët e lidhur me SHBA-në derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane. Këto burime i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve.
Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët. Amabasada amerikane në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës ende nuk kanë reaguar. Edhe ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit, vende të përmendura për pritjen e afganëve, nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë Reuters për të komentuar këtë çështje.
Raportimi i agjencisë Reuters vjen në një kohë kur në Afganistan janë duke u zhvilluar luftime të ashpra mes forcave të qeverisë afgane dhe talibanëve, të cilët po synojnë të marrin sa më shumë kontroll të territorit. Ofensiva e talibanëve filloi menjëherë pasi forcat e huaja, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara njoftuan se kanë filluar tërheqjen nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve ushtarake atje. Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.
Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA. Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të cohen në një shtet të tretë, ku mes vendeve te përmendura janë dhe Shqipëria e Kosova, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikimi.
Top Channel