Ky është një debat i bukur dhe thellësisht filozofik që mund të zgjojë shumë mendime dhe perspektiva të ndryshme. Disa mund të besojnë se shpirti binjak është një person i veçantë që na është caktuar të takojmë dhe që na plotëson në një mënyrë unike. Për ta, ky individ është dikush që na kupton pa fjalë, me të cilin kemi një lidhje të thellë shpirtërore dhe që është pjesë e jetës sonë për një arsye të madhe.
Të tjerë mund të mendojnë se shpirti binjak nuk është një individ i veçantë, por një ndjesi të brendshme—një lloj energjie që na ndjek dhe na udhëzon gjatë gjithë jetës. Kjo mund të jetë një ndjesi e thellë që na bën të kuptojmë se jemi të lidhur me diçka më të madhe, që kalon çdo lidhje të thjeshtë njerëzore. Kjo ndjesi mund të shfaqet në më shumë forma, dhe ndoshta mund të jetë më shumë se një marrëdhënie, por një lloj përvoja shpirtërore që kërkon të na ndihmojë të evoluojmë.
Cilat janë mendimet tuaja rreth kësaj? Si e përkufizoni ju shpirti binjak?
Unë besoj se shpirti binjak ekziston kur e gjen atë që në rrugën e saj, pa u njohur, ka pasur një jetë të ngjashme me tënden, prej vetes së saj, pa u ndikuar aspak prej teje. Keni pasur jetë paralele edhe pse pa u takuar asnjëherë më parë.
Por në momentin që jeni gati për njëri-tjetrin unë besoj se Zoti e bën të mundur atë takim sepse ju do ta çmoni njëri-tjetrin dhe nuk do e shpërdoroni me teka apo me gjaknxehtësi, me hatërmbetje apo papjekuri.
Besoj se njeriut i duhet të kalojë shkretëtirën i vetëm për të gjetur tokën e premtuar, në këtë botë që bëhet sa vjen e më shumë shkretëtirë, i duhet të tregohet shumë i duruar dhe të mos e humbë shpresën.
I duhet të jetë vizionar e të mos e humbë idealen e tij derisa ajo të mishërohet tek një njeri që e bën më të mirë.
Besoj se njeriu ashtu siç është besnik ndaj idealit të dashurisë, ashtu edhe Zoti është besnik ndaj premtimeve të Tij, dhe do i japë mundësi që ta njohë më të mirën që ka ruajtur për të.
Ndërkohë gjatë kohës së ecjes në shkretëtirë njeriu përgatit veten, karakterin, përkushtimin, kalon luginën e vdekjes dhe nuk ndalet në të vdekur të pakallur që kanë vrarë ëndrrat me të keqen që u ka marrë frymën e trupin dhe i ka shpërfytyruar duke i bërë të pandieshëm e të paturp.
Çfarë nuk ka parë e përsëri nuk ka ndalur në shoqërinë e tyre, nuk ka gjetur vendmbërritjen tek asnjeri, por ka vazhduar edhe sikur kjo të ishte një endje e përjetshme.
Sepse nuk mund të bashkohesh me atë që të vret shpirtërisht, është një lloj transplanti që shpirti ynë nuk do ta pranonte, dhe imuniteti ynë do ta largonte por do të të vriste edhe ty. Ndërsa i vetëm mund të mbetesh i gjallë dhe të shpresosh për atë që shpirti yt e pranon natyrshëm, që bota jote shpirtërore nuk e lufton përbrendshëm pa e kuptuar, por ajo të jep jetë, të jep dritë me mirësinë e saj, me dashurinë e saj.
Ajo ka aq shumë dashuri për gjithë botën jo vetëm për ty, të mëson ta duash gjithçka përsëri nga e para, të mëson të duash më shumë në çdo imtësi të përditshmërisë, të rilindësh me pastërtinë e saj, me butësinë e saj, ajo të mbush me gëzim dhe të bën të jesh më i mirë, të purifikon shpirtin.
Ajo bëhet bekimi yt më i madh dhe e ndien se lidhja juaj shpirt më shpirt i kapërcen kohërat dhe kufijtë e njohur prej teje, ndiheni gjithë kohës të përqafuar dhe çdo gjë tjetër ndal së ekzistuari.