92 emigrantë të zhveshur shpëtohen në kufi, Greqia dhe Turqia akuza të reja
Zbulimi i 92 emigrantëve të zhveshur në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë gjatë fundjavës ka nxitur akuza midis dy vendeve dhe dënime nga Kombet e Bashkuara.
Greqia ia ka lënë fajin Turqisë, duke thënë se “sjellja” e saj është “turp për civilizimin”.
Por Turqia nga ana tjetër i ka konsideruar pretendimet e shtetit fqinj si “lajme të rreme”, dhe e ka akuzuar për “mizori”.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë, ka bërë thirrje për hetime, dhe ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet dhe pamjet shokuese”.
Zyrtarët policorë kanë thënë se hetimet e tyre, dhe ato të zyrtarëve të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Kufijtë, Frontex, kanë gjetur të dhëna se migrantët kanë kaluar lumin Evros, në territorin grek, nga Turqia, me disa gomone.
Sipas Frontex burrat kanë qenë kryesisht nga Afganistani dhe Siria.
Greqia i ka bërë thirrje Turqisë që të respektojë një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian, sipas së cilës, Ankaraja është pajtuar për të ndalur valën e migtantëve në Evropë, në këmbim të miliarda eurove si ndihmë.
Athina ka thënë se së shpejti do të vendosë tela gjemborë në një territor prej 40 kilometrash, në kufi me Turqinë, për të parandaluar hyrjen e migrantëve në shtet.
Top Channel